ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Kujtime Të Dr. Jusuf Karadavit - Udhëtimi im në Amerikë (5)

(Kapitulli 20 - vëll. i 3- të)

Dr. Jusuf Karadavi

President i Këshillit Evropian për Fetvatë dhe Kërkimet

 

Udhëtimi im në Amerikë

(5)

 

10. Kongresi i parë botëror për ekonominë islame

Kongresi i parë botëror për ekonominë islame u mbajt në Mekke, nën kujdesin e Universitetit të Mbretit Abdul- Aziz. Ky Universitet kishte Fakultetet e veta në Xhedde dhe në Mekke, e cila më pas mori pavarësinë e saj, duke bashkuar rreth vetes disa Fakultete të tjera e duke u shfaqur më pas si Universiteti Ummul- Kura. Universiteti, për këtë kongres, kishte marrë masa të forta organizative, duke u mbështetur edhe në disa specialistë të ekonomisë islame. Të ftuarit ishin nga të gjitha kontinentet e botës, nga lindja e nga perëndimi, arabë e joarabë, dijetarë të ekonomisë e të tjerë të sheriatit, teoricienë e praktikantë. Tematikat e kongresit ishin zgjedhur me një përkujdesje të veçantë dhe për të referuar ishin caktuar specialistë të vërtetë të fushës dhe njerëz që kishin lidhje burimore me njohuritë e saj.

Të ftuarit ishin lajmëruar kohë më parë nga data e fillimit të këtij kongresi, datën e të cilit u detyruan ta shtynin për shkak të një tragjedie të madhe, atentatit ndaj burrit të ymmetit, trimit të fazës, mbretit të sinqertë Fejsal ibn Abdul- Aziz Al Suud, mëshira e All- llahut qoftë mbi të, i cili gëzoi dashurinë dhe respektin e popullit; i cili pa në të sinqeritetin dhe shërbimin ndaj Islamit dhe rezistencën ndaj armiqve të tij, për këtë i gjithë ymmeti nga oqeani në oqean u mërzit për vdekjen e tij.

Shtyrja e datës së fillimit të kongresit, krijoi mundësi për perfeksionimin e përgatitjeve. Drejtor i Universitetit të Mbretit Abdul- Aziz, në atë kohë ishte shoku ynë i dashur, burri pishtar, i cili punonte pa u lodhur, pa u mërzitur e pa pushim në shërbim të Islamit dhe triumfin e çështjeve të tij, Dr. Muhammed Omer Zubejr, të cilit All- llahi i dha mbarësi për mirëpërgatitjen e këtij kongresi, sëbashku me ndihmësit e tij të sinqertë, dekanë fakultetesh, pedagogë dhe punëtorë administrate.

Kongresi u zhvillua në hotel "Intercontinental Mekka", një hotel i mirë e i gjerë, me salla të mjaftueshme për kongresmenët dhe të ftuarit, me salla filiale për seancat e specializuara, me një xhami të madhe, sikurse kishte edhe mundësi për të falur namazin në Haremin Sherif për kë dëshironte të shkonte atje, nëpërmjet mjeteve të posaçme të transportit dhe makina të veçanta në dispozicion të të ftuarve.

Ky kongres kishte mbledhur këdo që kishe dëshirë të shihje prej dijetarëve të jurisprudencës islame, sheriatit e thirrjes islame, dijetarë të ekonomisë, llogarisë e administratave: Shekh Ibn Baz, Shejk Zerka, Shejkh Nedevi, Profesorët: Isa Abde, Muhammed el- Mubarek, Ma'ruf ed- Devalibi, Behij el- Khaveli, Mahmud Ebu Suud, Ahmed en- Nexhxhar… e shumë të tjerë që s'mund t'i kujtoj tani se ishin mbi treqind a më shumë. Aty kishte edhe shumë gazetarë të njohur, që ishin ftuar për të mbuluar këtë aktivitet, pas pjesëmarrjes në të, prej të cilëve kujtoj Prof. Fehmi el- Huvejdin.

Kongresi kishte dy ligjërata të përgjithshme, ku ftoheshin të merrnin pjesë kongresmenët e të tjerë: një ligjëratë në fillim të referuar nga thirrësi islam i njohur Prof. Muhammed Kutub dhe një tjetër në fund të kongresit të referuar nga i varfëri për të Madhëruarin, Jusuf el- Karadavi.

Seancat e kongresit ishin të mbushura me kërkime origjinale në temat e tyre dhe me debate të ngrohta rreth tyre. Kërkimi im, për të cilin isha ngarkuar ishte: "Roli i zekatit në shërimin e problemeve ekonomike".

Prej kërkimeve që nxitën debat ishte edhe studimi me temë: "Siguracioni në mes lejueshmërisë dhe ndalimit", rreth së cilit kishin shkruar shumë vetë, por që debati u përqendrua në mes të dijetarit Shejkh Mustafa ez- Zerka dhe Prof. dr. Husejn Hamid Hassan; ku Zerka anonte nga lejueshmëria me disa kushte, e Hassan anonte nga ndalimi.

Prej asaj që përmendi Prof. Fehmi el-Huvejdi, ishte se ai kishte prezantuar para disa viteve një kongres në Kuala Lampur të Malejzisë dhe kishte parë se të pranishmit ishin ndarë në dy grupe: njëri grup ndalonte fajdet e bankave dhe grupi tjetër që mundohej të justifikonte këto fajde me gjetjen e një mbështetjeje fetare. Por në këtë kongres, kjo çështje nuk u diskutua fare, por konsensualisht kishte vendosur për ndalimin e tyre absolutisht.

I thashë atij: Po të shtoj edhe një vërejtje tjetër; se ekonomistët ishin më të prirur këtu për ndalimin e fajdeve sesa dijetarët e sheriatit!

 

11. Dëshmi nga Prof. el- Behij el- Khaveli

Prej prezantuesve në kongres ishte edhe Prof. el- Behij el- Khaveli, i cili u aktivizua gjatë këtij kongresi në debatet e tij dhe me një fjalim pa letër, të cilin e mbajti në njërën prej seancave, ku ishte prezent sëbashku me të shoqen. Kushtet shëndetësore e detyruan të udhëtonte para mbarimit të kongresit. Para momenteve të nisjes, e vizitova në dhomën e tij për ta përshëndetur dhe për t'i mbajtur valixhet e tija. Këtë të fundit ai e refuzoi, ndërsa unë këmbëngula dhe këtu doli e shoqja, të cilës i tha: O nëna e Mexhidit a e njeh këtë që po të mban valixhet? Ai është fakihu i kohës! I thashë: Jo o zotëria jonë, ne jemi nxënësit Tuaj dhe të mbjellat e duarve Tuaja!

Kongresi u mbyll me seancën përfundimtare, në të cilën u lexuan vendimet dhe angazhimet e rëndësishme mbi të cilat kongresmenët kishin rënë dakort. Ato lidheshin me temat e studiuara, ku mund të përmendet: Angazhimi për ngritjen e një Qendre Botërore për Studimet e Ekonomisë Islame, që t'i sigurojë asaj mundësitë materiale dhe njerëzore; për të kryer detyrën e saj në mes të një konflikti  botëror, i cili ka marrë një drejtim ideologjik me bosht ekonominë; për shfaqjen e ekonomisë islame: ekonomisë mesatare që realizon peshoret e drejta në mes të dy ekonomive; asaj individuale "kapitaliste" dhe ekonomisë masive "komuniste".

Falënderimi i takon All- llahut që kjo Qendër u ngrit në Universitetin e Mbretit Abdul- Aziz, të cilën e vizitova disa herë si i ftuar dhe që e drejtojnë disa vëllezër të nderuar me në krye Prof. dr. Zubejrin, i cili iu përkushtua kësaj Qendre për një periudhë kohe…

 

 

Përktheu nga arabishtja[1]

dhe përshtati në shqip

Muhamed SYTARI

 

 



[1] Ky material është marrë nga Interneti:

 http://islamonline.net/Arabic/Karadawy/part3/2004/article08.shtml#1-