ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Kujdesja për mjedisin, pjesë e Islamit

(“Profeti (a.s.) u pyet: Edhe për sjellje të mirë ndaj kafshëve, ka shpërblim nga Zoti?) 

Imam Didmar Faja
“Greenway Masjid” – Arizona, USA


Mësimet Kuranore dhe tradita profetike na bëjnë ne si besimtarë të përmbushim të drejtat e duhura ndaj Krijuesit tonë Allahut (x.sh.), të dërguarit të Tij dhe ç’do krijese në këtë botë. Të përmbushësh të drejtat e Zotit tënd, do të thotë që zbatosh obligimet e caktuara nga Ai dhe përmbushja e të drejtave ndaj Profetit Muhammed (a.s.) është zbatimi i Sunnetit të tij. Njeriu, gjithashtu në jetën e tij në këtë botë duhet  të përmbushi dhe të drejtat e prindërve, familjes, të afërme dhe mjedisin që e rrethon dhe pikërisht për mjedisin do flasim sot nga këndvështrimi Islam.

 
Një nga faktorët kryesorë që ndotin ambjentin është administrimi i dobët i mbeturinave dhe shpërdorimi. Dëgjoni versetet e Kur’anit në lidhje me këtë: “Hani dhe pini e mos e teproni, se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (shpërdorojnë)” (Araf;31).
Zoti (xh.sh.) gjithashtu për ata që shpërdorojnë thotë: “Ata që shpenzojnë tepër (mastrafxhinjtë) janë vëllezër (në veprim) të djajve...” (Isra;27)
 

Në bazë të këtyre verseteve Kur’anore, ne kuptojmë  se të qënurit kursimtarë dhe jo-shpërdorues, është hap pozitiv dhe ndalues për ndotjen e mjedisit.
 

Kam lexuar në një nga revistat, kohë më parë, se disa vende në Europe hidhnin në det produktet që ishin afër afatit të skadencës. E bënin këtë që mos të ulnin cmimet e produkteve në market. Si mundet ta bëjë njeriu një gjë e tillë, kur në të njëjtën kohë, në vende të ndryshme të botës njerëzit vdesin nga uria.
 
Islami jo vetëm që është pro natyrës dhe ambientit, por i mëson besimtarëve si të jenë më të dobishëm për krijesat e ndryshme dhe natyrën.
Nga përmbledhja e Haditheve të Buhariut mund të përmendim Hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra, i cili thotë: “Profeti (a.s.) u pyet: Edhe për sjellje të mirë ndaj kafshëve, ka shpërblim nga Zoti? Po, mirësjellja ndaj çdo kafshe të gjallë ka shpërblim – tha ai!”

Në Mishkat El-Mesabih, përmendet gjithashtu Hadithi i konkluduar nga Buhariu dhe Muslimi, Hadith ky që fjalët dhe përmbajtja e tij, ndoshta nuk citohet në mësimet e asnjë feje tjetër përveç Islamit. Muhamedi (a.s.) ka thënë: “Një vepër e mirë që i bëhet një kafshe, është aq e mirë sa t’i bëhet mirë një krijese njerëzore, ndërsa një vepër mizore ndaj një kafshe, është aq e keqe sa t’i bëhet një vepër mizore një krijese njerëzore”

Profeti (a.s.) e ndaloi vrasjen e tyre së koti dhe tha se ai që vret një zog për dëfrim, zogu do kërkojë të drejtën e tij nga ai njeri Ditën e Gjykimit. Këto janë thënë më shumë se 1,400 vjet më parë, shumë vite para se të jenë të modës ose “politikisht korrekte” kujdesja e të drejtave të kafshëve ose natyrës. Kur’ani thotë: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë dhe as shpendë që fluturojnë me dy krahë e që nuk janë komunitete, sikurse edhe ju (Zoti i krijoi, i pajisi si juve). Asgjë nuk kemi lënë pas dore nga evidenca. Më në fund te Zoti i tyre do të tubohen.” (An’am;38)
 

Kujdesja ndaj natyrës është pjesë e mësimeve Profetike. A e dini se fjala “Ard”, që do të thotë tokë, përmendet jo më pak se 485 herë në Kur’anin famëlartë, gjë që tregon rëndësinë e saj. Gjithashtu dhe fjala Sheriat do të thotë burim uji. Ligji Islam mban emrin e një fenomeni të bukur natyrorë!
 

Një verset Kuranor bën fjalë për atë njeri që bën “fesad” shkatërrim të madh në tokë, sikurse ka mbytur gjithë njerëzimin: “…kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t'i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t'i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit…” Sureja Maideh; 32
 

Pjesë e mirëmbajtjes së natyrës dhe e gjelbërimit të saj është dhe mbjellja e luleve dhe pemëve. Jam krenar që ky komunitet e ka rrethuar Xhaminë me lule dhe pemë. Kjo është cilësi e besimtarit. 
Enes Ibn Malik transmeton se Muhamedi (a.s.) ka thënë: “Nuk ka asnjë nga Muslimanët që mbjell një pemë ose farë dhe pastaj një zog ose një person ose një kafshë ushqehet nga ajo, dhe të mos konsiderohet si një dhuratë bamirësije për të.” (Buhari).

Gjithashtu thuhet në Hadithin e transmetuar nga Enes Ibn Malik: “Nëse Kijameti (Fundi i botës) vjen dhe në dorën e ndonjërit nga ju gjindet një Fesileh (pemë-palmë e vogël), le ta mbjelli atë.”  (Gjindet në Musned të Imam Ahmed Ibn Hambel dhe text i parafërt tek Buhari dhe të tjerë)
 

O Zot, na bëj nga ata që kujdesen për mjedisin dhe janë shembull i mirë për të tjerët në mirëbajtjen e tij!