Muhamed Sytari
thirrës islam
Këshilli Evropian për Fetvatë dhe Studimet Islame, diskuton në
Suedi rreth çështjes së Komunikimit Islam në kohën e globalizmit
(Islami është feja e së ardhmes dhe muslimanët shqiptarë duhet që ta vërtetojnë këtë)
Hyrje
U bë kohë që në vendin tonë, këmbanat për degjenerimin e imazhit
të Islamit dhe muslimanëve, individë e bashkësi, po bien pa
rreshtur.
Në mënyra të ndryshme, shumë prej atyre që kanë vendosur të jenë
protagonistët apo aktorët realizues të skenareve të ndryshme
antiislame në Shqipëri, po mbushin ekranet televizive me "recitimet"
dhe "këndimet" e tyre të shumta, here pas here.
Nga ana tjetër, edhe pala muslimane nuk ka ndejtur pa dalë në
skenë, përballë këtyre "aktorëve" të mirëpërgatitur, ndonëse
sulmet e çuditshme ndaj tyre, prej atyre që na ligjërojnë edhe
për shembujt e bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri, kanë qenë
të habitshme, por jo shokuese duke marrë parasysh përkatësitë e
tyre të ndryshme .
Megjithatë dhe duke u munduar për të harruar të kaluarën e
largët e të afërt dhe duke u përpjekur për të drejtuar paksa
kahjen e lëvizjes së komunikimit islam në rrethet tona, them se
muslimanët shqiptarë, prijës e pauses, duhet të përfitojnë nga
gabimet e vëllezërve të tyre në skenat e ndryshme të ngjarjeve
historike gjatë shekullit që kaloi.
Nuk është e domosdoshme që të përsëriten veprimet e gabuara të
të kaluarve, pasi kush provon të provuarën vërteton të kaluarën,
por duhet menduar për të ardhmen nga këndvështrimi ynë dhe
realiteti shqiptar, sepse këtu jetojmë.
Përpjekjet për ndryshime dhe reforma në komunikimin tonë, nëse
nuk do të zhvishen nga emocionet e rastit, dëshirat dhe egot, si
dhe nëse do të bien pre e influencave të jashtme antiislame ndaj
thirrjes tonë të pasqyruara në media, si dhe nga adoloshentizmi
në mendim e veprim, nuk mund të jenë të suksesshme dhe për
pasojë do të vazhdojmë të dëgjojmë këmbana e këmbana, derisa të
plotësohen skenaret denegruese antiisalme, para syve tanë dhe ne
të mbetemi spektatorë…
Islami është feja e së ardhmes dhe muslimanët shqiptarë duhet që
ta vërtetojnë këtë, duke e paraqitur atë në formën më të bukur e
më të pranueshme përpara njerëzve, në mënyrë të shkallëzuar;
duke filluar me bindjen e plotë, zhveshjen nga ndjenja e
inferioritetit në rastin e shfaqjes së përkatësisë fetare dhe më
pas me zbatimin e hartës së rrugës hyjnore të pasqyruar në
Kur'an e në Traditën profetike, për të menduar e për të vepruar
me urtësi dhe duke njohur realitetet.
Ekstremizmat nga njëra anë dhe fanatizëm- ngurtësizmat nga ana
tjetër nuk do të sjellin vetëm se përplasje të rrezikshme dhe
shkatërruese, në mes të vetë muslimanëve shqiptarë, pike së pari
dhe në me tyre dhe realitetit të ri shqiptar politik, ekonomik e
kulturor dhe do të realizojnë planet e gazetave e revistave,
duke mbushur faqet e tyre.
Koha është që të hedhim sytë nga drejtuesit tanë shpirtërorë dhe
intelektualë dhe të shohim se ku kanë mbërritur dhe çfarë kanë
konkluduar që të përfitojmë nga ta dhe të na shërbejë kjo si
ndihmë për t'ju përshtatur realitetit tonë, për të dhënë secili
më pas atë që ka mundësi për ndryshimin apo drejtimin e këtij
realiteti në rast shtrembërimi, ose vazhdimin e tij në rast
miratimi.
Materiali i mëposhtëm është argument i shpirtit të madh islam që
i shkon edhe kësaj kohe, që nëse do të mësohemi ta aplikojmë dhe
të ecim konform kësaj mendësie, mendësisë së reformës, do të
përfitojmë dhe do të kontribojmë për të paraqitur në të vërtetë
imazhin e fesë tonë dhe ndikimin e saj në individë e shoqëri.
Përndryshe do të vazhdojmë të nxjerrim në pah të palarat, duke
zënë vendin e grave të papuna, nëpërmjet atyre pak mediave që
mezi
presin të marrin kësi lloj lajmesh prej nesh!?
*** *** ***
Komunikimi islam sot, ka nevojë për ndryshimin e mënyrave të
thirrjes, formave të komunikimit dhe arteve të mësimit.
Duhet që të mos përqëndrohemi në pikat divergjenciale në
komunikimin tonë islam!
Ndryshimi i formave të thirrjes islame
Diskutoi Këshilli Evropian për Fetvatë dhe Studimet Islame, në
takimin e tij të rastit në Suedi nën kryesimin e Dr. Jusuf
Kardavit dhe pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm
dijetarësh, rreth çështjes së komunikimit islam në kohën e
globalizmit.
Këshilli vendosi që komunikimi islam bashkëkohor, ka nevojë të
domosdoshme për ndryshime në mënyrat e thirrjes, format e
komunikimit dhe artet e mësimit.
Sikurse vendosi se ka ardhur koha të kalohet nga forma rutine
dhe paraqitja e jashtme në vërtetësi dhe brendësi të çështjes.
Nga fjalët në vepra dhe nga emocionalizmi në mendësinë shkencore.
Nga vështirësimi dhe largimi i njerëzve nga feja, në lehtësimin
dhe sihariqimin e tyre me fe.
Nga ngurtësimi dhe imitimi i verbër, në ixhtihad dhe reformë.
Nga fanatizmi dhe mbyllja në shpirtmadhësi dhe shpirt lëvizje.
Nga ekstremizmi në mesatarizëm dhe barazpeshë, nga dhunimi
mendor dhe hakmarrja në mirësi dhe mëshirë.
Nga divergjencat dhe përçarja në bashkim dhe bashkëpunim, sipas
sistemit kur'anor të komunikimit fetar.
Thirrja me urtësi dhe pjekuri
Këshilli, bëri thirrje gjithashtu në thirrjen e muslimanëve me
urtësi e pjekuri, duke sqaruar se urtësia është kuptimi i
argumenteve shkencore e të fshehta dhe atyre logjike e të qarta.
Dhe se duhet t'u flasim njerëzve sipas mendësive të tyre, jo
vetëm sipas gjuhëve që posedojnë, madje t'i flasim çdo populli
me atë që korrespondon me realitetin e tyre, problemet,
gradët intelektuale e njerëzore, sfidat, dhimbjet e shpresat e
tyre, si dhe mëshirën në sistemin e lehtësimit, në fetva dhe
sihariqimin në thirrje!
Të kihet parasysh rregulli në çështjet bazore e ato parësore,
pastaj thirrja në çështjet filiale, si dhe shkallëzimi nga temat
dogmatike dhe morale në filialet dhe pjesët e tyre.
Ndërsa pjekuria ose shprehja e ëmbël, është komunikimi me zemrat
dhe ndjenjat fisnike, për t'i lëvizur drejt mirësive, ndërkohë
që Kur'ani e ka vërtetuar dhe theksuar me të madhe komunikimin e
ëmbël me tjerët, që vjen me mënyrat e bukura të dialogimit dhe
zgjedhjen e mirë të tematikës së bisedës dhe formën së saj, si
dhe barazpeshën në mes të frikësimit dhe sihariqimit me
argumentet e sakta, jo me tregimet fantastike dhe transmetimet e
dyshuara.
Largimin nga frikësimi i njerëzve me vdekjen dhe dënimin e
varrit, saqë njeriu arrin në pesimizëm dhe ankth pas gjithë
kësaj, dhe largimin nga përdorimi i mënyrave nxitëse, si lutja
që Zoti (xh.sh) t'i shkatërrojë të gjithë kristianët e çifutët
dhe t'i bëjë jetimë fëmijët e tyre dhe vejusha gratë e tyre, gjë
për të cilën nuk kemi asnjë argument të saktë që na e lejon një
gjë të tillë në lutje!
Dialogu me kundërshtarët me mënyrat më të mira, d.m.th, në
format më të larta dhe më të përshtatshme.
Prej këtu veçohet edhe zgjedhja e tematikave të përbashkëta me
kundërshtarët, të cilat janë të shumta, si: përballimi i
ateizmit, nudizmi, krimi, ndotja e ambientit, të drejtat
njerëzore, liritë individuale, familja, çështjet e nënës dhe
fëmijës, moralet njerëzore, etj, duke mos u përqendruar në pikat
divergjenciale e të nxehta.
Prej komunikimit me pjekuri është edhe largimi nga mospërfillja
e tjetrit dhe nënçmimi i besimit dhe mendimeve të tij dhe
përpjekja për të mos e bërë të ndjejë humbjen apo kënaqësinë e
triumfit mbi të, duke i qëndruar strikt bazave dhe rrënjëve në
paraqitjen e Islamit!
Ndryshimi i disa emërtimeve
Këshilli, i bëri thirrje muslimanëve për ndryshimin e disa
emërtimeve në komunikimin e tyre fetar, të cilat, po të bëhen
nuk ndryshojnë thelbin e çështjeve përkatëse, si shembulli i
termit
qafirë që mund të
emërtohen si
jomuslimanë, pasi
ky term nuk e ndërron thelbin e fjalës, aq më tepër që Kur'ani
nuk ka folur për ehli kitabët (kristianët
dhe jehuditë) vetëm se me mënyrat më të larta e më fisnike
dhe nuk i ka quajtur jomuslimanët
qafirë, vetëm se
në dy ajete dhe për shkaqe të veçanta të lidhura ngusht me temën
e besimit dhe shoqërimin e Zotit në adhurim.
Në këtë pikë mund të përmendim edhe përdorimin e termit
vëllazërim në
marrëdhëniet ndërnjerëzore, pasi të gjithë Profetët komunikuan
me popujt e tyre me gjuhën e
vëllazërisë,
sikurse dihet se Profeti (a.s) u ngrit në këmbë për xhenazen e
një çifuti dhe tha: "A nuk është njeri"?
Nuk ka asnjë problem fetar nëse do të zhvillojmë marrëdhënie
pune me jomuslimanët pasi ata janë
vëllezër
në
njerzillëk,
pasi vetëm në marrëdhënie me ta, ata mund të shohin mirësitë dhe
moralin e Islamit dhe muslimanëve, sepse sistemi islam është i
bazuar në mëshirën dhe respektimin e krejt njerëzve, sado që ata
të mos jenë armiq e abuzues- dhunues!
Veçoritë e komunikimit islam
Veçoritë e komunikimit islam në kohën e globalizmit mund të
përmblidhen në këto pika:
Të merret parasysh vendi i të komunikuarve, koha, rrethanat dhe
gjuha e tyre, në mënyrë që të jetë thirrje e qartë, sikurse
porosit Kur'ani vazhdimisht.
Të merret parasysh natyra e afrimit ndërnjerëzor, që e ka bërë
botën si një fshat të vetëm, gjë që bën të kihet kujdes në
zgjedhjen e termave dhe tematikave të diskutimit, duke poseduar
edhe këto veçori:
1.
Besimi në
vahjin (revelatën
hyjnore) pa hedhur pas qafe logjikën,
2.
Të qenurit bashkëkohor, duke ruajtur rrënjët,
3.
Të thërrasë për spiritualizëm, duke mos lënë pas materializmin,
4.
Të thërrasë për seriozitet dhe përkushtim, duke mos harruar
argëtimin dhe pushimin,
5.
Të ketë parim universalizmin, duke mos lënë pas dore lokalizmin,
6.
Të menduarit për të ardhmen, duke mos harruar të kaluarën,
7.
Të ketë parim lehtësimin në fetva dhe në thirrje,
8.
T'i japë hakun femrës dhe të mos i bëjë padrejtësi mashkullit,
9.
Të mohojë terrorizmin e ndaluar dhe të mbështesë xhihadin
legjitim,
10.
Të mbrojë të drejtat e pakicave dhe të mos i hyjë në hak
shumicave,
11.
Të thërrasë për ixhtihad, duke mos i kaluar bazat e kufijtë,
duke patur parasysh këto pika në çështjen e ixhtihadit:
Nuk ka ixhtihad pa thellim të mjaftueshëm në dituri,
Nuk ka vend për ixhtihad në çështjet absolute,
Nuk na lejohet t'i bëjmë çështjet hamendësore, absolute,
As ngjitjen e jurisprudencës me hadithin, duke anashkaluar
rregullat dhe limitet e secilës prej tyre si shkenca më vete,
Të ruhemi nga të rënët nën presionin e realitetit, duke lënë pas
dore vendimet dhe rregullat e fesë,
Të mirëpresim çdo të re dobiprurëse, duke mos harruar shpirtin e
kohës dhe kërkesat e saj, si dhe t'i hapim zemrat tona ndaj
gabimeve të muxhtehidit.
Konkluzion
Duhet me doemos që të ndërrojmë mënyrat e komunikimit islam në
këtë kohë, kohën e globalizmit, me forma që afrojnë të larguarit
dhe të hutuarit në sistemin islam, bazat e tij besimore, morale
e legjislative dhe që largojnë dyshimet e ndryshme që komunikimi
i ashpër bëri që njerëzit të largohen prej nesh dhe të flasin
kundra fesë tonë, në mënyrë që Islami i pastër të mbërrijë në
mbarë botën.
Përktheu nga arabishtja
dhe shoqëroi me hyrje
Muhamed SYTARI
Shkodër, më 17. 11. 2003