Muhamed Sytari
thirrës islam
Këshillë për atë që dëshiron të drejtohet pas hutimit![1]
( vlera e shoqërimit me një vëlla të sinqertë)
Shejkh Rexheb Dib
Dijetar dhe edukator islam, Damask
Ta dish mirë, i dashur vëlla, se realizimi i kësaj
këshille është i lidhur ngusht me shoqërimin tënd me një vëlla
të sinqertë që të nxit për mirë dhe të ruan nga të rënit në të
ndaluara, që të drejton nga Zoti (xh.sh) me fjalët e tij dhe të
mëson përkushtimin me punët e tij!
Një vëlla që
qan për ty natën, që ti të qeshësh ditën, që është i mërzitur
për ty në orët e tij të lira, që ti të jesh i lumtur në ato orë!
Një vëlla që lutet natën për ty, që lehtësimi e mbarësia të të
ndjekë në jetë, që lutet për ty pas shpinës tënde, që Zoti
(xh.sh) të të pastrojë nga gabimet dhe të metat!
Ta dini, se
vëllau në fe në këtë kohë, është më i rrallë se xhevahiri e
diamanti, sikurse prezenca e tij është më e shtrenjtë se çdo e
shtrenjtë, pasi askush prej jush nuk mund të mendojë për një
vëlla të tillë nëse nuk shoqërohet me njerëz të mirë, i
dashuruar pas dijetarëve të sinqertë, i lidhur pas adhurueseve,
njohës i kufijve të sistemit hyjnor dhe larg epsheve dhe
dëshirave shtazore, sepse në të kundërt vëllazëria e tij më dikë
do të jetë një çështje interesi material, apo shoqërim trupor
për një arsye a qëllim
individual!
I lumi ai,
pastaj i lumi ai, të cilit Zoti (xh.sh) ia ka bërë risk një
shoqërues të sinqertë, që kur të harrojë t'i tërheqë vëmendjen
dhe kur të kujtohet ta ndihmojë.
Dhe i mjeri
ai, pastaj i mjeri ai, i cili preokupimin e tij kryesor e ka të
lidhur pas kësaj bote, hallin më të madh për trupin dhe vrapimin
pas sendeve të përkohshme qëllimin e tij!
I shkon atij
që Zoti (xh.sh) i ka dhënë mbarësi, të interesohet për afrimin e
vëllazërisë dhe përgatitjen e tyre për rastet e tij të mira e të
këqija. Prandaj afrojuni te njerëzit me anë të moralit të lartë,
pasi ai i shkrin krejt pengesat drejt tyre dhe, kushdo që
dëshiron të dallojë se sa i plotë apo i mangët është, le të
shikojë me vëmendje te fjala e Imam Aliut (r.a) që thoshte: "Pasqyrat
nga të cilat njeriu shikon sjelljen e tij, janë njerëzit, sepse
dote shohë mirësitë e të mirëve të tyre ndaj tij dhe të keqen e
të këqinjve të tyre ndaj tij"!
Pas gjithë
kësaj është e domosdoshme që t'ju jap disa këshilla që t'i keni
si pika referimi në lëvizjen tuaj dhe pjesë të sistemit tuaj
jetik, të cilat i përgatita për ju gjatë dhjetë ditëshit të
fundit të Ramazanit të kaluar.
Le ta dini
të dashurit e mi, se çdo punë e ka një fund dhe se çdo jetë e ka
një cak dhe se çdo kohë ka një lloj ushqimi dhe ju jeni ushqimi
i vdekjes!
Puna më e
madhe është njohja e Zotit, baza e saj është bindja ndaj Tij,
lutja është çelës i mëshirës, paqja vjen me ecjen drejt në jetë,
sakrifica është malli më i mirë, ekonomia e begaton të paktën
ndërsa harxhimi pa kufi e shkon dëm edhe të shumtën!
I mençur
është ai që përfiton nga eksperienca dhe e keqja në grup është
më e mirë se e mira në përçarje. Shanset kalojnë si retë,
prandaj përfitoni nga shaset e mira që ju jepen në jetë!
Mendimi
është dritë, ndërsa hutimi devijim dhe humbje!
Mendimi i të
moshuarit është më i mirë se ai i të riut të papjekur!
Buzëqeshja
është koka e çdo dashamirësie, ndërsa durimi mburojë nga
varfëria!
Dashamirësia
është afrimitet i dobishëm, ndërsa kapriçoja është shoqërues i "të
verbërve"!
Loja e
tepërt trashëgon inatet, shoqëria është e domosdoshme, vetmia
është përulësi ndërsa drejtësia është qetësim!
I dashur
vëlla!
Ruajtja e
asaj që ke në dorën tënde është më e dashur për ty, se kërkimi i
asaj që sheh në dorën e tjetrit, prandaj bindu se thesaret e
riskut ndodhen në sjelljen dhe moralin e lartë!
Dhe se më i
dobishmi i thesareve është dashuria e zemrave, ndërsa rizku
është dy llojesh: Rizk që e kërkon dhe që është dhunti hyjnore
dhe rizk që të kërkon, të cilin edhe po s'e kërkove të vjen vetë.
Prandaj ruaju që ta teprosh në vrapimin tënd pas tij, pasi është
nxitës për rënien tënde në gabim dhe zbukurues i rënies tënde në
të metë!
Takimi me
njerëz të mirë është ndërtues për zemrën dhe është prej
fatmirësisë së njeriut shoqërimi i tij me njerëz të devotshëm!
Punët e
njeriut në këtë jetë do t'i ketë para syve në të ardhmen,
prandaj "Urtësia është argument i besimtarit", kështuqë kërkoje
argumentin tënd qoftë edhe në njerëz të paudhë!
Këshilla
është e vlefshme për atë që e kupton, ndërsa respektimi i
prindërve është prej sjelljeve më fisnike!
Sa e keqe
është ndarja pas lidhjes, largësia pas vëllazërisë, armiqësia
pas dashurisë, tradhëtia ndaj atij që të ka besuar dhe pabesia
ndaj atij që të është dorëzuar!
Sa mjeran
është ai që vazhdon të punojë keq, duke menduar se Zoti (xh.sh)
do ta falë!
Zemrat lodhen, sikurse edhe trupi vetë, prandaj kërkojini asaj
për urtësitë më të spikatura!
Dëshmoni, se
e pakta nga Zoti (xh.sh) është shumë më e madhe se e shumta nga
robët e Tij, edhe pse e gjitha është prej Tij dhe, nuk pyes nëse
e lehta apo e vështira më godet, pasi e drejta e Zotit në
vështirësi është durimi dhe në lehtësi falenderimi!
Binduni, se e mira është dhjetë pjesë: Nëntë pjesë janë në
heshtjen, përveç se në përmendjen e Zotit dhe një pjesë në
largimin nga shoqërimi i të hutuarve!
Xhihadi në
kohën tonë është tre llojesh; ju keni
xhihadin e dorës,
që është sakrifica për të fituar hallall. Pastaj vjen
xhihadi i gjuhës:
Thirrja në rrugën e All- llahut me urtësi dhe mësimi i ligjit të
Tij me anë të këshillës. Pastaj është
xhihadi i zemrës:
Duke larguar prej saj çdo hutim, epsh e kapriço dhe distancimi
nga qejfet, pasi zemra që nuk njeh mirësinë nuk e mohon të
pështirën!
Së fundi:
Bëni kujdes,
se katër gjëra e mbysin zemrën: Gabimi pas gabimit, armiqësia
dhe debati me të lajthiturin, shoqërimi i tepërt me femrat dhe
qëndrimi me të vdekurit dhe i vdekur është çdo njeri që abuzon
me të mirën!
Përktheu
nga arabishtja
dhe përshtati në shqip
Muhamed Sytari