ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Ihsani dhe adhurimi në jetën tonë

(Besimtari, sa më tepër që të shtojë adhurimet dhe punët e mira aq më tepër do të korrë sukses) 

(Këshillat e Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçit)

 

Si mund të arrijë besimtari në gradën e ihsanit?

 

"Gradën e ihsanit njeriu mund ta arrijë në bazë të besimit të fortë, zemrës së paqtë, me dashjen e të mirës për krejt njerëzinë, me pastrimin e mendjes dhe zemrës për të mos menduar keq për asnjeri, duke mos folur për ndokënd pas shpine dhe as duke marrë kënd nëpër gojë. D. m. th: Me pastru zemrën dhe me jetu si qole i Zotit (xh.sh) ashtu si duhet, me falë nafile, me agjëru nafile, me dhanë lëmoshë nafile, etj.

Ai njeri që i zbaton këto vepra, me lejen e All-llahut (xh.sh) mbërrin në këtë gradë. Atëherë atë person që Zoti (xh.sh) e don, ia ruan syrin për të mos shikuar në haram, veshin për të mos dëgjuar haram si dhe dorën dhe këmbën për të mos vepruar të ndaluarat.[1]

Por, duhet të besojmë, se punët tona sido dhe sado që të jenë, pa sinqeritet dhe pa dashjen dhe pëlqimin e Zotit (xh.sh) nuk vyejnë asgjë!

Prandaj, shumë herë Pejgamberi (a.s) bënte dua dhe lutej që Zoti (xh.sh) ta pranonte dhe kërkonte pëlqimin e Tij (xh.sh).

Duhet ta dimë mirë, se ne e kemi për borxh që të besojmë dhe të jemi njerëz të mirë, ndërsa Ai (xh.sh) nuk ka asnjë borxh, pasi është Krijues dhe Furnizues i gjithçkaje!

"Ai nuk pyetet se çka punon, po ata, (njerëzit), pyeten".[2]

 

A mund t'i kthejmë të gjitha veprimet tona ditore në adhurim?

 

"Po, mundemi!

Pejgamberi (a.s) thotë: "…deri kafshata e bukës që ia vendos në gojë gruas së tij, i konsiderohet sadeka (lëmoshë)…".

Si rrjedhojë, edhe vizitat që i bëjmë një shoku me qëllim që t'i gëzojmë zemrën, shëtitjet që bëjmë në vende të ndryshme për të gëzuar të mirat e Zotit (xh.sh), të ushqyerit me qëllim që të forcohemi për adhurimin e Zotit (xh.sh), gjumin që e bëjmë për qëllim që të ngrihemi të nesërmen të fortë dhe me vullnet për të adhuruar Zotin (xh.sh), për të gjitha këto e të tjera, shpërblehemi duke na shkuar dita në adhurim të plotë.

Pra, qëllimi bën që edhe gjërat e lejuara (mubah[3]) t'i kthejmë në ibadete dhe fitimprurëse për ne në ditën e gjykimit. P.sh: Kur buzëqesh në fytyrën e vëllait, kur ndihmon dikë që ka humbur rrugën duke ia treguar atë, kur largon ndonjë ndotësirë a diçka që s'ta pëlqen ta shikosh në rrugë, nga rruga, e për të tjera si këto, shpërblehesh te Zoti (xh.sh).

Ai që fle me nijet (qëllim) që të zgjohet para sabahut për të falë disa nafile dhe për një arsye a një tjetër nuk zgjohet, i shkruhet sevapi i nijetit të tij.

Një person që fle me nijet që të nesërmen të shkojë për të luftuar një armik, në Palestinë për shembull, por zgjohet i vdekur, vdes dëshmor. Por kushti kryesor është që ai nijet të jetë i sinqertë e jo lojë fjalësh, për hatrin e Zotit (xh.sh) jo për t'u dukur para të tjerëve, se për ndryshe nuk kemi asnjë shpërblim as fisnikëri!

Kur një punë bëhet për Zotin (xh.sh) dhe robin njëkohësisht, Zoti (xh.sh) del jashtë asaj pune duke thënë: "Nuk e pranoj ortakun. Ajo punë është për atë që bën ortakëri me Mua! Jam pasanik nga ortakija me dikë".

Duhet të ruhemi, të mendojmë mirë dhe të pastrojmë qëllimet tona vetëm për Zotin (xh.sh)"!

 

Cila është këshilla juaj për muslimanët, për shtimin e adhurimeve?

 

"Këshilla ime për shtimin e adhurimit është: Me mendu, se çdo kohë që kalon, na afron me provimin e madh e të vetëm, sikurse studenti që i shton mësimet e tija, kur afrohet provimi.

Besimtari, sa më tepër që të shtojë adhurimet dhe punët e mira aq më tepër do të korrë sukses. Dhe me qenë se vdekja nuk është e caktuar për ne si provimet e shkollës, por mund t'i vijë të riut para plakut dhe të shëndoshit para të sëmurit, duhet që të jemi përherë të gatshëm për pritjen e saj. Sa më tepër që të mendoni për vdekjen, aq më pak do të habiteni pas kësaj bote"!

 

Nga monografia e thirrësit islam Muhamed Sytari:

Vehbi Sulejman Gavoçi- dijetar nga dijetarët e ymmetit”, Prishtinë 2005.



[1] Transmeton Bukhariu nga Ebu Hurejra (r.a), se Pejgamberi (a.s) ka thënë: "Me të vërtetë All-llahu i Madhëruar ka thënë: "Kushdo të tregojë armiqësi ndaj një mikut (veliut) Tim, Unë do t'i shpall luftë. Me asgjë robi Im nuk mund të Më afrohet, pos me atë çka Unë e kam obliguar dhe vazhdimisht robi Im më afrohet me vepra fakultative (nafile) derisa e simpatizoj (dua). E kur e dua, dashuria e tij ndaj Meje mbizotëron dhe të dëgjuarit  e tij me të cilin dëgjon është vetëm për Mua; të pamurit e tij me të cilin sheh është vetëm për Mua; dora e tij me të cilën kapë, punon vetëm për Mua; këmba e tij me të cilën ecë, ecë vetëm për Mua. I këtilli nëse më kërkon diç, do t'ia jap e nëse kërkon mbrojtje nga Unë, do ta mbroj atë"". Shih: Imam En- Neveviu, "Dyzet hadithe dhe shtojca e Ibni Rexhebit", hadithi nr. 38, fq.88.

[2] El- Enbija: 23.

[3] Mubah: Në terminologjinë islame quhet: "Një vepër që Zoti (xh.sh) e ka lënë të ngarkuarin me të, të zgjedhë në mes veprimit dhe mosveprimit të saj". Vendimi për veprat mubahe: Nuk ka shpërblim as dënim për kryerjen apo moskryerjen e tyre. (Shih: Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, "Usulul- fikh", fq. 127- 128).