Muhamed Sytari
thirrës islam
Këshilla ime për çdo musliman dhe muslimane
(Shejkh Rexheb Dib)
Vëlla
musliman,
Po të jap një këshillë, jo për diturinë a për gradën time,
thjesht për të fituar prej teje një lutje të sinqertë, se mos
All-llahu më fal gjynahin e më fshin gabimin. Me këtë dua
gjithashtu që kur ta takoj All-llahun, ta kem kryer të drejtën
që ke mbi mua; këshillën, edhe nëse nuk të kam takuar
personalisht.
Kjo është këshilla ime e shkurtër, po e paraqes para duarve tua,
me shpresën që të të bëjë dobi: Po të këshilloj me këshillën e
All-llahut robëve të Tij: “Ne ju patëm sugjeruar atyre që
iu pat dhënë libri para jush, e edhe juve që të keni frikë nga
All-llahu”[1].
Vëlla musliman,
Devotshmëria është ruajtja nga çdo gjë e dëmshme, fetarisht dhe
materialisht. Prej këtu, çdo gjë e dëmshme, gabim a rrëshqitje
që feja islame ka ndaluar, të larguarit prej saj quhet
devotshmëri! Pra, devotshmëria është të ruajturit nga çdo gjë që
e bën All-llahun të zemërohet me ty. Ajo është çdo derë që të
afron me Zotin tënd dhe e bën Atë të jetë i kënaqur me ty.
Devotshmëria është nënshtrimi para urdhërit të All-llahut në
adhurime dhe largimi nga ndalesat e Tij në punët e këqija.
Prandaj, bëhu i devotshëm pasi nuk do të kesh mjerim pas saj.
Le të shoqërohet devotshmëria jote me dashurinë a frikën e All-llahut.
Nëse do të shoqërohet me dashuri, dije se i dashuruari
turpërohet nëse i dashuri e sheh në një gjëndje që atij nuk i
pëlqen, e nëse shoqërohet me frikë, dije se i cilësuari me të
frikësohet që Dëgjuesi, i Dituri, Vëzhguesi ta shohë në një
gjëndje të ndryshme nga urdhëresa e Tij.
Dhe dëgjo këshillën e të dashurit tënd, Resulull-llahit (a.s), i
cili thotë: “Të këshilloj të jesh i devotshëm ndaj All-llahut
në të fshehtë dhe haptas. Kur të gabosh, kthehu dhe bëj mirë!
Mos kërko kurrë diçka prej dikujt! Mos e prek amanetin dhe mos
gjyko në mes dy vetave!”[2],
sikurse porosit: “Të këshilloj të jesh i devotshëm ndaj
All-llahut, pasi ajo është koka e çdo gjëje. Të këshilloj
xhihadin, pasi është murgëria e Islamit. Të këshilloj ta
përmendësh All-llahun dhe ta lexosh Kuranin, pasi është shpirti
yt në qiell, përkujtimi yt në tokë”[3]
Të këshilloj të kesh turp prej All-llahut, pasi turpi qëndron
pranë besimit. Të kesh turp prej Tij do të thotë të bindesh dhe
të ndjesh se All-llahu është me ty dhe të sheh, dëshmon punën
tënde, të dëgjon fjalën, di qëllimin tënd dhe asgjë nuk është e
fshehtë për Të! Ruaju që të vëzhgojë me dijen e Tij dhe të gjejë
në gjynah, kështu do t’i shkaktosh vetes ndërprerjen nga lidhja
e Tij, mbulimin nga frika e Tij, largimin nga mbikqyrja e Tij..,
nefsi do të të marrë, më pas, nga e keqja, elementi i së mirës
në veten tënde do të vdesë, nuk do të ndjesh më pendim, nuk do
të ndjesh më asgjë, që do të thotë vdekje e zemrës para All-llahut,
Zoti na ruajtë!
Në hadithin e tij (a.s) thuhet: “Turpërohuni prej All-llahut
siç duhet, pasi Ai ka ndarë mes jush moralin, siç ka ndarë edhe
rizkun!”[4]
Gjithashtu thotë: “Tupërohu prej All-llahut, siç
turpërohesh nga njerëzit e mirë të fisit tënd”[5],
sikurse thotë: “Kur All-llahu zemërohet me robin e Tij, ia
merr turpin. E kur ia merr turpin nuk do ta gjesh veçse urryes
dhe të urryer. I merr edhe amanetin. E kur ia merr edhe
amanetin, i merr edhe mëshirën. E kur ia merr edhe mëshirën, i
merr edhe Islamin. E kur ia merr edhe Islamin nuk do ta gjesh
veçse një shejtan të dëbuar!”[6]
Të këshilloj të jesh i moralshëm, pasi morali i mirë i shkrin
gabimet, i shton të mirat dhe bën që në mesin e njerëzve të kesh
një pozitë të lartë vlerësimi dhe nderimi! Pastaj, morali i mirë
është cilësia më e mirë që mund të ketë njeriu, ai është natyrë
e të dërguarve të All-llahut, të cilët u dërguan për plotësimin
e moralit të njerëzve, për të arritur gradët e mirësisë dhe të
plotësisë relative. I dërguari i All-llahut (a.s) ka thënë: “Jam
dërguar për të plotësuar moralin”[7],
sikurse ka thënë: “Morali
i mirë i shkrin gjynahet si uji akullin, sikurse morali i keq e
prish punën si uthulla mjaltin”[8],
sikurse ka treguar se: “All-llahu i reveloi Ibrahimit: “O
miku Im, të jesh i moralshëm, qoftë edhe me femohuesit që të
hysh në dyert e të ndershëmve, pasi e kam vendosur: Ai që është
i moralshëm do ta kem në hijen e Arshit Tim, do të banojë në
rrethinat e Hyjnisë Sime, do të jetë pranë Meje”!”[9]
Të këshilloj të jesh bamirës ndaj prindërve të tu, edhe nëse të
bëjnë padrejtësi, pasi ata të dy janë porosia e All-llahut për
ty! Thotë All-llahu i Madhëruar: “Ne e urdhëruam njeriun
t'u bëjë mirë prindërve të vet...”[10]
e në veçanti me nënën tënde, e cila ka gdhirë netë të
tëra, ka errur ditët e saj, të ka mbajtur brenda saj, vështirësi
pas vështirësie. Jepi asaj atë që i takon nga respekti, bindja
dhe sakrifica për t’i shërbyer.
Kujdesu që të mos e ngresh zërin tënd mbi prindërit e tu! Mos të
qendrosh i vrenjtur para tyre, mos të largohesh prej tyre ndërsa
flasin, mos u nervozo me ta kur të këshillojnë dhe të mësojnë, “dhe
shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues...”[11],
pasi ata të dy janë si dy miq pranë teje, që ta shtojnë thesarin
e pasurisë tënde me lutjet e tyre. Ata të dy e lartësojnë gradën
e fisnikërisë tënde me pëlqimin e tyre ndaj teje. Ata të
mbulojnë nën hijen e mbarësisë me gëzimin e tyre, të largojnë
mjerimin dhe pesimizmin me lumturinë e tyre. Prandaj, sakrifiko
sa të mundesh në atë që bën, duro dhe mbaj çdo gjë prej tyre, “mos
u thuaj atyre as "uf"”[12]
asnjëherë, pasi ajo është shprehje e mjerimit të jetës!
Dhe dije me plot bindje se ashtu si vepron sot me prindërit, do
të të kthehet llogaria e saj nesër nga fëmijët e tu, sepse “Siç
bën ta bëjnë dhe me peshoren që peshon, peshohesh”!
Përktheu nga arabishtja
(http://www.sheikhrajab.org/internal_sections/wasiyah/likolli_
moslimon_wamoslimah/index.asp)
dhe përshtati në shqip
Muhamed Sytari
Shkodër, më 22. 02. 2008
[1]
Kur’ani:
4:131.
[2]
Imam Ahmedi në Musnedin e tij, 5:
181
nga Ebu Dherri (r.a).
[3]
Imam Ahmedi në Musnedin e tij, 3:82 nga
Ebu Said Khudriu (r.a).
[4]
Bukhariu në Tarikhun e tij nga Ibni Mes’udi (r.a).
[5]
Ibni Adijj nga Ebu Umame (r.a).
[6]
Bejhakiu nga Abdull-llah ibn Amr ibnul-As (r.a). Shih:
“Kenzul-ummal”,
3:
128, nr. 5798.
[7]
Imam Ahmedi në Musnedin e tij, 2: 381, Bukhariu në Edeb,
Hakimi dhe Bejhakiu në Shuab nga Ebu Hurejra (r.a).
[8]
Tabaraniu në el-Kebir nga Ibni Abbasi (r.a).
[9]
Hakim Tirmidhiu dhe Tabaraniu në el-Eusat
nga Ebu Hurejra (r.a).
[10]
Kur’ani:
46:15.
[11]
Kur’ani:
17:24.
[12]
Kur’ani:
17:23.