Muhamed Sytari
thirrës islam
Katër medh'hebet
(Jomedh'hebizmi të shtyn për dëme të mëdha në fe)

Ka kohë që në botën islame flitet për një rrymë të re (jomedh'hebizmi),
që hedh pas krahëve medh'hebet dhe mbështetet vetëm tek
argumenti (delil). Si
e shikoni këtë dukuri dhe çfarë i këshilloni muslimanët në
lidhje me këtë gjë?
"E para lojë me medh'hebet ka ndodhur në kohën e khalifit el-
Muktedir[1],
kur një person i solli një libër, në të cilin kishte përzier
pjesë të medh'hebit Hanefi me atë të medh'hebit maliki, etj.
Muktediri, thirri dijetarin dhe kadiun Ismail, të cilin e pyeti
për atë libër. Kadiu, kur e lexoi dhe kuptoi se çfarë ka në të,
tha: Ky libër meriton të digjet! Khalifi pyeti: A mos vallë në
të ka gënjeshtra? Kadiu tha: Jo, por ai ka përzier në të
medh'hebet Hanefi me atë maliki, prandaj nuk duhet shpërndarë
ndër njerëz, pasi mund t'u krijojë atyre trazime në çështjet e
fesë. Dhe u dogj.
Pasi ndërroi jetë Pejgamberi (a.s), njiheshin vetëm 152
muxhtehidë, ndër 130.000 sahabë, që ishin mukal- lidë.
Kaluan kohë dhe dijetarët sëbashku me masën islame ranë dakort
për të ndjekur dhe për të pasuar katër medh'hebet e katër
imamëve të mëdhenj dhe e mbyllën derën e jomedh'hebizmit, sepse
ishte dhe vazhdon të jetë me të vërtetë një rrezik që e gris
petkun e fesë.
Jomedh'hebizmi të shtyn për dëme të mëdha në fe, si për shembull:
Një Hanefi, i shtyrë nga kjo rrymë, mund të mos japë zekatin e
tregëtisë, duke ndjekur Ibni Hazmin, që ka thënë se nuk jepet
zekat për mallrat e tregtisë, e sa e sa mendime të tjera të
devijuara.
Prandaj atyre që thonë se ne e lidhim këtë lojë (jomedh'hebizmin)
me argumente dhe dogma, ndjekim delilin, etj. dhe nuk lëmë
ndokënd të tallet me fenë, u themi: A jeni ju në atë gradë sa të
bëni ixhtihad?
Por ata me të vërtetë që ndjekin interesin e tyre!
Shkolla medicinale amerikane ndryshon nga ajo gjermane dhe
njëkohësisht ata nuk përzihen me njëra- tjetrën. Një i sëmurë që
shkon tek një mjek, ai pasi t'i ketë përcaktuar sëmundjen do t'i
japë disa ilaçe, mirëpo nëse ai do të shkojë tek një tjetër mjek,
edhe ai do t'i japë ilaçe, por do t'i thojë të sëmurit që të mos
i përziejë të dyja sëbashku.
Tema e jomedh'hebizmit është e gjerë dhe e gjatë dhe nuk po
zgjatem më tepër, por
po përmend shkurtas se çfarë ka thënë dijetari Muhammed
Zahid el- Keutheri, zëvendës i Meshihatit në Stamboll, përpara
të ngratit Ataturk:
"Jomedh'hebizmi është
rrugë për në jofetarizëm".
Ose siç ka thënë Dr. Muhammed Said Ramadan el- Buti:
"Jomedh'hebizmi është
risija më e rrezikshme që kërcënon sheriatin islam".[2]
Kulmin e modestisë së tij Shejkh Vehbiu e shpreh në fund të
kësaj letre, ku më përgjigjet për pyetjet e drejtuara, duke
thënë:
"Shpresoj se t'u përgjegja, aq sa pata kohë e letër, e ndoshta
këto fjalë shkruhen dhe njerëzit avamë (ne
jemi avamë) i lexojnë. Kurse dijetarët kanë fjalë më të
gjata dhe me shembuj përkatës, për përcaktimin e rrezikut të
këtij bidati".
Kjo përgjigje, shoqërohet edhe me një letër tjetër në vete, ku
Hoxhë Vehbiu ka sjellë disa njohuri përforcuese të përgjigjes së
tij për jomedh'hebizmin, të shkruara në arabisht, në fillim të
së cilës më shkruan:
"Mirë është që ti të përkthesh atë që po të shkruaj këtu, si
përforcim i përgjigjeve të mija:
Katër medh'hebet
Katër Imamët, janë drejtuesit e njerëzve në kohën e tyre dhe
udhëzues për të tjerët më pas, në akiden (besimin) e tyre,
akiden e "ehlis- sunneti vel- xhemaa"- s.[3]
Ata ishin shembull i lartë në kohën e tyre dhe udhëzim për të
tjerët më pas, në dije, kuptim, adhurim, devotshmëri, besnikëri,
në frikën për Zotin (xh.sh), në mënyrën e pendesës dhe
sakrificat e shumta në këtë botë.
U sprovuan nga udhëheqësit e kohëve të tyre, sepse i
kundërshtuan ata për disa interesa të fesë dhe të kësaj bote dhe
duruan për hir të Zotit (xh.sh) .
Në studimin e figurës së secilit, kjo gjë do të dalë e qartë.
1.
Katër Imamët kanë qenë si një familje e vetme, duke rënë dakord
në bazat (usul) dhe
vendimet absolute (kat'ijjat)
në argumente dhe vendime.
Divergjencat ndërmjet tyre ishin të lidhura me mënyrën e të
kuptuarit të çështjeve nga secili, veçanërisht në disa fakte, të
nisur nga saktësia, mënyra e argumentimit me to, etj.
Ebu Hanife[4]:
U lind në vitin 80 h.
Malik ibn Enes[5]:
U lind në vitin 93 h.
Muhammed Idris Esh- Shafii[6]:
U lind në vitin 150 h.
Ahmed ibni Hanbel[7]:
U lind në vitin 164 h.
2.
Secili Imam e ka vlerësuar vëllanë e tij Imam, që do thotë se
ata janë respektuar dhe kanë qenë të kënaqur me njëri- tjetrin.
Ndërsa divergjencat e tyre në çështje degëzore, janë të
padëmshme, pasi kjo është natyrë e mendjes njerëzore dhe dukuri
ekzistuese edhe te sahabët e mëdhenj, sikurse e dimë.
3.
Thotë muhadithi indian Ed- Dehlevi: "Pasimi i këtyre
katër medh'hebeve të shkruara është pritur me miratim konsensual
nga ymmeti deri në ditët e sotme. Kjo është tepër e dobishme
sidomos në Indi, kur vullneti është ulur, shpirtrat janë mbushur
me kapriço dhe çdokush po shikon vetëm mendimin e tij". ("El-
insaf fi bejani esbabil- ikhtilaf", fq. 97).
4.
Thotë Shejkh Ali el- Khafif: "Divergjencat në mes Imamëve
të katër medh'hebeve dhe pasuesve të tyre nuk kthehen në bazat e
fesë, sepse është vërtetuar dhe sqaruar, se bazat e tyre janë
një, por këto divergjenca kthehen tek kuptimi, peshorja dhe
përcaktimi i këtyre bazave, sepse të gjithë ata punojnë me
Kur'an[8],
Sunnet[9],
Ixhma'[10],
Kijas[11],
Istihsan[12],
Mesalih mursele[13],
Istis'hab[14],
sipas mënyrave që sqaruam më përpara…". ("Esbabu ikhtilafil-
fukaha", vëll. 2, fq. 282).
5.
Thotë Shejkh Muhammed Ebu Zehra: "Divergjencat (e
Imamëve të medh'hebeve) nuk kanë të bëjnë me bazat, por
lidhen thjeshtë me degët". ("Tarikhul- medhahib el- islamijje",
fq. 85).
6.
Thotë Shejkh Velijull- llah ed- Dehlevi, në librin e tij:
"Akdul- xhejjid fi mesailil- ixhtihadi vet- teklid", kapitulli:
(Vërtetimi
i të kapurit me katër medh'hebet ):
"Dije se të kapurit pas këtyre katër medh'hebeve është një
interes i madh, ndërsa një e keqe e madhe do të vijë nëse
largohemi prej tyre për disa arsye:
Së pari:
Ymmeti ka rënë në konsensus për t'u mbështetur te të parët tanë
në njohjen e Sheriatit. Vetë veprimi i këtij konsensusi tregon
për të mirën e këtij veprimi, pasi Sheriati nuk njihet vetëm se
me anë të kalimit nga dijetari tek nxënësi dhe me anë të
nxjerrjes së mësimeve nga rregullat dhe argumentet e ndryshme.
Vetë kalimi nuk mund të arrihet pa e marrë nga të parët që e
kanë marrë me lidhje, ndërsa nxjerrja e mësimeve të reja, duhet
të bazohet në njohjen e medh'hebeve të të parëve, për të mos
dale me ndonjë shprehje që prish më pas konsensusin…
Së dyti:
Me qenë se nuk kanë mbetur vetëm se këto medh'hebe, pasimi i
tyre është ndjekje e pjesës më të madhe dhe dalja prej tyre,
dalje nga rruga e pjesës më të madhe. Edhe vetë Pejgamberi (a.s)
ka urdhëruar për pasimin e pjesës më të madhe, duke thënë:
"Ndiqni, pasoni dhe qëndroni me bashkimin",[15]etj.
(Marrë nga libri: "El- muxhez fish- Sheriah", fq. 273).
Ndër këto pika përmendet gjithashtu fjala e Imam Dehlevisë në
spjegimin e "Muvetta"- së, gjatë fjalës së tij për katër imamët
e medh'hebeve, kur thotë:
"Në përgjithësi, dija e atyre katër imamëve përfshin të gjithë
botën". ("Sherhul- Muvetta", fq. 6).
7.
Thotë Shejkh Dr. Abdul-Latif Farfur:
"Ajo që më del më e saktë mua dhe verifikuesve nga pasimi
dhe ndjekja e katër medh'hebeve dhe çfarë përfshijnë ato,
është se
Ixhtihadi nuk
është i ndaluar dhe se
Taklidi është
haram për muxhtehidin, sikurse është vaxhib[16]
për avamët që nuk kanë plotësuar kushtet e ixhtihadit, edhe nëse
janë të ditur në
disa lloje diturish!
Dhe argumentet për këtë, janë si në vijim:
a)
Thënia e All-llahut (xh.sh):
"…e nëse nuk dini këtë, atëherë pyetni njerëzit e dijshëm",[17]është
i përgjithshëm (Am)
për çdo të ngarkuar me obligimet islame (mukel-
lef), kështu që ai duhet të jetë i përgjithshëm edhe në
pyetjen rreth çdo të paditure.
b)
Është konsensual fakti i ekzistencës së avamëve në kohën e
sahabëve dhe tabiinëve, para daljes së kundërshtarëve, siç është
konsensual fakti se këta avamë kërkonin fetva nga muxhtehidët,
të cilët u përgjigjeshin për vendimet e ndryshme islame.
Madje dijetarët e tyre jepnin përgjigje edhe pa bërë shenjë për
përmendjen e faktit, duke mos i ndaluar as ata vetë për një
veprim të tillë.
Kështu që ishte konsensus çështja e detyrimit të avamëve për të
ndjekur muxhtehidët. Kështu vazhdoi kjo gjëndje në tre shekujt e
parë, për mirësinë e të cilëve dëshmoi vetë Pejgamberi (a.s).
c)
Fakti se ixhtihadi është një dhunti që nuk u jepet vetëm se pak
njerëzve, i afrohet logjikës, sepse nëse ngarkohen me të të
gjithë njerëzit, atëherë ajo do të ishte një ngarkesë e
padurueshme, gjë që është e ndaluar në ligjet islame dhe me
logjikë.
Avamët janë të ngarkuar me vendimet islame dhe nëse ata e
ngarkojnë veten për të arritur gradën e ixhtihadit, atëherë do
ta fusin veten në vështirësi dhe siklet, e kjo pa dyshim do të
sjellë vështirësi për ta dhe do t'u largojë vëmemendjen për t'u
marrë me punët e tyre të kësaj bote, gjë që është e ndaluar!
All-llahu (xh.sh), thotë:
"dhe nuk ju obligoi në fé me ndonjë vështirësi".[18]
(Marrë nga "El vexhizu
fistinbati usulil- ahkam", v. 2, fq. 574).
8.
Thotë Dhehebiu, nxënës i Ibni Tejmijes,
në shkrimet për Abdurr- Rrahman Euzai- në, All-llahu (xh.sh) e
mëshiroftë: "Pothuajse nuk mund ta gjejmë të vërtetën jashtë
asaj që kanë rënë dakort katër imamët e ixhtihadit, edhe pse e
pranojmë se konsensusi i tyre për ndonjë çështje, nuk është
konsensus edhe për ymmetin.
Por kemi frikë të themi me bindje, për një çështje rreth së
cilës kanë rënë dakort, se vërteta është jashtë saj". (Marrë nga
"Sieru ealamin- nubela", v. 7, fq. 17).
(I gjithë ky material,- thotë në shkrimin e tij Shejkh Vehbiu- ,
është marrë nga libri im "Muhaderatun fi tarikhil- fikhil-
islami"- "Leksione në historinë e fikhut islam").
Nga monografia e thirrësit islam Muhamed Sytari:
“Vehbi
Sulejman Gavoçi- dijetar nga dijetarët e ymmetit”,
Prishtinë 2005.
[1]
Quhet Xhafer el- Muktedir bil- Lahi ibnul- Mu'tesim ibn
Ahmed ibnul- Mutevekkil, vëllai i khalifit el- Muktefi,
lindi në vitin 282 h. dhe u besua si khalif menjëherë
pas vdekjes së vëllait të tij në vitin 295 h. Qëndroi në
postin e tij, deri sa u vra në vitin 320 h. Drejtoi
shtetin abasit 24 vjet, 11 muaj e 16 ditë. (Shih: Shejkh
Muhammed el- Khudari, "Ed- Deuletul- Abbasijje", fq.
287).
[2]
Doktori i nderuar në lidhje me këtë temë ka botuar edhe
një libër, të cilin e ka titulluar: "El-
lamedh'hebijjetu akhtaru bid'atin tuheddidush- sheriatel-
islamijje". Në brendësinë e tij studentët e dijes mund
të thellohen edhe më tepër në lidhje me këtë temë dhe
çështjet e lidhura me të.
[3]Kush
janë "Ehlus- sunneti vel- xhemaa" ?
Ehlus- sunneti vel xhemaa, janë ata që ndjekin me
rigorozitet rrugën e Profetit (a.s), në të cilën ecën
edhe sahabët para fillimit të bidateve (risive në fe),
si I'tizali "Mu'tezile", Shiizmi "Shia", Rafidizmi "Rafida",
etj.
Dy prijësit e "Ehlus- sunneti vel- xhemaa"- s.
Njëri Hanefi:
që është Imam Ebu Mensur Muhammed ibn Muhammed ibn
Mahmud el-
Maturidi, autor i shumë veprave, prej tyre:
"Te'vilatul
Kur'anil- kerim",
"Et-
teuhid",
"El-
mekalat", etj.
Vdiq, në vitin 333 h.
Tjetri Shafii:
që është Imam i mutekeliminëve (atyre
që janë marrë me shkencën e njësimit- teuhid), Ebul-
Hasan Ali ibn Ismail
el- Esh'ari, që lindi në vitin 260 h. dhe vdiq në
330 h.
Në fillim ndoqi Imamin e Mu'tezilive, El Xhubbaij dhe
vazhdoi në këtë rrugë për 40 vite me radhë, por kur
ndërroi medh'hebin e tij nga
I'tizali në
Sunneh, u mor
së bashku me nxënësit e tij, me kundërshtimin dhe
hedhjen poshtë të mendimeve mu'tezilite dhe forcimin e
asaj që ka ardhur në Sunneh (traditën profetike).
Në këtë rrugë vazhdoi edhe masa, duke u quajtur "Ehlus-
sunneti vel- xhemaa".
Thotë el- Kadi Kemalud- din Ahmed el- Bejdavi, nga
gjykatësit e shekullit 11-të h.:
" Kur përmendet "Ehlus- sunneti vel xhemaa", kemi
parasysh Esh'aritë dhe Maturiditë".
Dhe thotë Ibn Subki, në "Sherhu akideti Ibnil- Haxhib":
"Dije se të gjithë "Ehlus- sunneti vel xhemaa", kanë
rënë dakord për një besim të vetëm, në atë që lejohet (xhaiz)
dhe atë që është e pamundur (mustehil),
edhe nëse ndryshojnë në rrugët dhe parimet që të çojnë
aty". (Shih: Shejkh Vehbi S. Gavoçi, "Mesail fi limit-
teuhid", fq.13).
[4]
Thotë Imam Shafiiu: "Njerëzit janë të varfër në fikh për
Ebu Hanifen". Shih: Muhammed Ali el- Kutub, "El-
fukahaul- erba", fq. 13.
[5]
Thotë Imam Shafiiu: "Kur të përmendet hadithi, Maliku
është ylli që shpon errësirën me dritë". Po aty: fq. 63.
[6]
Thotë Imam Ahmedi: "Kushdo që mban në dorë bojë apo
letër, i është borxhli Shafiiut". Po aty. fq. 103.
[7]
Thotë Shafiiu: "Dola nga Bagdadi dhe nuk lashë në të
njeri më të ditur, më fakih e më të devotshëm, se Ahmed
ibni Hanbelin". Po aty, fq. 151.
[8]
Kur'an:
Në gjuhën arabe është paskajore, sinonime e leximit.
Thotë Zoti (xh.sh) : "Sepse Ne e kemi për detyrë tubimin
dhe leximin e
tij. E kur ta
lexojmë atë ty, ti përcille me të dëgjuar
leximin e tij"
- (El-Kijame:17-18),
më vonë u kalua nga ky kuptim paskajor dhe u vendos emër
i fjalës mrekulli, të zbritur Muhammedit (as), ndërsa në
terminologjinë islame quhet: "Fjala e All-llahut (xh.sh)
që i zbriti Muhammedit (as) në gjuhën arabe, mrekulli me
suren më të shkurtër në të, e shkruar në Mus'haf, e
transmetuar me lidhje absolute (tevatur), me leximin e
së cilës adhurohet All-llahu (xh.sh), e filluar me suren
"El- Fatiha" dhe e mbaruar me suren (En Nas)". (Shih:
Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, "Usulul- fikh", fq.22).
[9]
Sunnet:
Në gjuhën arabe është tradita dhe rruga e zakonshme,
ndërsa në terminologjinë islame quhet: "Çdo
gjë që ka kryer Pejgamberi (a.s), qoftë thënie, veprim
apo miratim". (Shih:
Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, "Usulul- fikh", fq. 32).
[10]
Ixhma':
Në gjuhën arabe do të thotë inisiativë dhe konsensus,
ndërsa në terminologjinë islame quhet: "Konsensusi i
muxhtehidëve, të ymmetit të Muhammedit (a.s), në një
kohë prej kohërave, për një vendim fetar". (Shih: Prof.
Dr. Vehbe Zuhejli, "Usulul- fikh", fq. 43).
[11]
Kijas:
Në gjuhën arabe do të thotë përcaktim ose të maturit,
ndërsa në terminologjinë islame quhet: "Ngjitja e një
çështjeje pa vendim të shkruar, me një çështje tjetër me
vendim të shkruar, për shkak të bashkimit të tyre në
shkakun e vendimit". (Shih: Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, "Usulul-
fikh", fq. 53).
[12]
Istihsan:
Në gjuhën arabe quhet konsiderimi i një gjëje të mirë,
ndërsa në terminologjinë islame quhet: "Preferimi i një
analogjie të fshehtë mbi një analogji të qartë, me
argument. Ose
Përjashtimi i një vendimi pjesor nga një rregull absolut
a një rregulle të përgjithshme, duke u bazuar në një
argument të veçantë që e përmban këtë veprim". (Shih:
Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, "Usulul- fikh", fq. 81).
[13]
Mesalih
mursele: Në gjuhën arabe quhet vepra e dobishme,
ndërsa në terminologjinë islame quhet: "Përshkrimi që
korespondon me sjelljet e Sheriatit dhe objektivat e tij,
por që nuk dëshmon asnjë argument nga Sheriati për
vlefshmërinë apo mënjanimin e tij. Duke u lidhur vendimi
me të arrihet në përfitimin e një dobie ose largimin e
një fatkeqësie nga njerëzit". (Shih: Prof. Dr. Vehbe
Zuhejli, "Usulul- fikh", fq. 87).
[14]
Istis'hab:
Në gjuhën arabe quhet kërkimi i shoqërimit, ndërsa
në terminologjinë islame quhet: "Vendimi për vërtetimin
e një gjëje ose mohimin e saj, bazuar në vërtetësinë e
saj ose jo në të kaluarën, për mos ekzistencë argumenti
që vërteton ndryshimin e këtij fakti". (Shih: Prof. Dr.
Vehbe Zuhejli, "Usulul- fikh", fq. 107).
[15]
Transmetuar nga Tirmidhiu, i saktë. (Shënim i autorit të
fjalëve të lartpërmendura, Shejkh Velijull- llah ed-
Dehlevi).
[16]Vaxhib:
Quhet ajo gjë që Zoti (xh.sh) e ka kërkuar nga i
obliguari me detyrimet islame ta bëjë në mënyrë të prerë,
duke u shoqëruar kjo kërkesë me ç'ka e argumenton
obligueshmërinë e saj. Vendimi për vaxhibin:
Duhet të bëhet, me ç'rast vepruesi i tij shpërblehet,
abuzuesi me të ndëshkohet (bën gjynah), ndërsa mohuesi i
tij del nga feja, nëse obligueshmëria e tij vjen
nëpërmjet një argumenti absolut. (Shih: Prof. Dr. Vehbe
Zuhejli, "Usulul- fikh", fq.118, Tripoli, botimi i dytë,
1998).
[17]
El- Enbija: 7.
[18]
El- Haxhxh: 78.