Këshilla ime për hoxhallarët e çdo kohe...

(refleksione gjatë leximit në një ixhazeti)

Shoqërim leximi...

Ixhazeti i Haxhi Muhamed Bekteshit dhënë nxënësit të tij tetovar, hafiz Qamil Tresi (1922-1988), përveç vlerave që bart në vetëvete, është edhe një testament i shenjtë për të gjithë trashëgimtarët e dijeve islame, hoxhallarët e nderuar, mësuesit e vërtetë të fesë.

Gjatë leximit të tij, secili prej nesh duhet të mundohet të shohë në sytë e këshillave të këtij dijetari të shquar amanetin e Thirrjes Islame, si shtysë drejt angazhimeve të mëtejshme e të pandërprera në shërbim të mësimeve mesatariste të Islamit.

Në ditët e sotme po shohim sesi tribuna të rreme e me dërrasa të kalbura po ngrihen, për t’i përcjellur kësaj shoqërie një Islam agresiv, të paditur, paragjykues të tjetrit, thashethemexhi, të mbyllur rreth vetes, plot të meta, që në fakt nuk është feja jonë e  që asgjë nuk na lidhë me të.

Duke lexuar këshillat e muxhizit të vjetër të Shkodrës, secili prej hoxhallarëve të rinj, duhet ta vendosë veten e tij në pozitat e dëgjuesit dhe komunikuesit të drejtpërdrejtë me Hoxhën e ditur, që edhe pse ka rreth një gjysëm shekulli që ka ndërruar jetë, vazhdon të jetë i pranishëm e bashkëkohor nëpërmjet këshillave të tij. Këto këshilla, forcojnë vullnete e zgjojnë ndjesitë e përgjegjësisë së madhe.  Ato, në njëfarë mënyre personifikojnë thirrjen e Pejgamberit tonë (a.s): “Mos qani për fenë kur të jetë në dorën e njerëzve  të saj, qani për të kur të jetë në duart e jofamiljarëve të saj!”.[1]

Muhamed Sytari, thirrës islam

 

Thelbi i një këshille të urtë...

“Këshilloj veten time, ty dhe të gjithë të dashurit tonë, ashtu siç ka urdhëruar All-llahu i Madhëruar të gjithë Profetët dhe Eulijatë e Tij, siç ka bërë Profeti (s.a.v.s) me më të dashurit e  vëllezërve të tij dhe me më të afërtit e shokëve të tij; devotshmërinë ndaj All-llahut, sepse ajo është koka e çdo gjëje dhe pasuria e çdo malli. Shkallët e saj janë të shumta e të ditura. Ty të takon të arrish më të lartën e tyre! Por kjo nuk arrihet, vetëm duke u larguar nga gjërat e padobishme, për të mos rënë nëpërmjet tyre në veprime të gabuara, si dhe largimi nga ajo që s'të intereson, siç është transmetuar nga Profeti (a.s).

Dije se shenjë e largimit të All-llahut nga robi i Tij, është angazhimi i robit me gjëra që nuk i interesojnë, prandaj mos e humb më të shtrenjtën e kohës tënde në gjëra që s'të interesojnë.   

Angazhimi i tepruar në biseda të padobishme do të jetë pendimi yt në ditën e gjykimit.

Duhet të ruhesh nga të dyshimtat në ushqim e pije. Duhet ta pastrosh zemrën nga çdo gjë pos All-llahut të Madhëruar dhe ta ndriçosh atë me përmendjen e All-llahut të Madhëruar derisa të arrijë në gradën e fenâsë[2] në dashurinë e All-llahut. Kjo gjë lehtësohet nëpërmjet halvetit[3], ushtrimit dhe largimit nga shoqërimi i krijesave, veçanërisht avamëve, për t'u angazhuar me argumentet e Hakut, edukimin e nefsit, zbutjen e moralit dhe abuzimit me shkaqet e famës, sepse fama është e meta e saj.

Pakësoji vëllezërit sa të mundesh, sepse më e pakta e dëmit të tyre është humbja e kohës, që është kapitali i mallit tënd.

Nuk do të të jepet gjë më e shtrenjtë sesa koha, nëpërmjet të cilës mund të arrish çdo krenari e nder. Nëse të humbet një copë sado e vogël prej saj, nuk të kthehet më edhe nëse mbretërit do të shpenzojnë gjithë pasuritë dhe mundin e tyre për ta kthyer atë. Prandaj mos e humb këtë kohë të shtrenjtë duke e shpenzuar për pasionet e shthurura dhe kapriçot shejtanore.

Mos lejo që vetja jote të bjerë në greminat e kësaj ndotësire, dashurisë për këtë botë, sepse ajo është koka e çdo të keqeje. Kërko krenarinë në shërbim të Zotit tënd dhe mos kërko nga kjo botë dhe njerëzit e saj, se përndryshe do të vuash, do të mundohesh e do të mbetesh nevojtar për të tjerët gjatë gjithë jetës tënde. Prandaj mbështetu te Krijuesi yt, në çështjet e fesë dhe botës tënde, sepse Ai, të jep krenari dhe e bën këtë botë shërbëtoren tënde, siç është transmetuar në hadithin kudsi: "O dunja! Shërbeji atij që më shërben dhe lodhe atë që të shërben!". Kjo është gjë e provuar dhe e dëshmuar, ndërkohë që Profeti (s.a.v.s) ka thënë: "Puno për këtë botë sa për kohëqëndrimin tënd në të. puno për ahiretin sa për kohëqëndrimin tënd në të dhe puno për zjarrin sa për kohëdurimin tënd në të".

Ky hadith është i mjaftueshëm për njerëzit e nasihatit (këshillës), madje është thënë: "Ky hadith është ajka e diturive të të parëve e të mramëve dhe kulmi i urtësive të të Dërguarve".

Jeto sa të duash se një ditë do vdesësh, duaj ke të duash se një ditë do ndahesh prej tij, puno çfarë të duash se një ditë do shpërblehesh për atë çfarë ke bërë, prandaj mos i bëj mirësitë shpërblyese fli të gjërave që zhduken e s'kanë shpërblim.

Mos u bëj prej atyre që kërkuan të ndërrojnë të mirën me atë që është më e ulët, sepse gjithë kjo nuk ka asnjë peshë te All-llahu, as sa një krah mize!

Medito në thënien e All-llahut të Madhëruar, Esteidhu bil-lah: "Ajo që e keni pranë vetes është e përkohshme, e ajo që është te All-llahu është e përjetshme"[4], prandaj kundërshtoje nefsin tënd dhe mos iu bind kapriçove të saj, por angazhoju me ato punë që do të të bëjnë shoqëri të mirë në varr dhe do të të lartësojnë në gradën e shoqërimit me të begatuarit!

Largohu nga ata që ndjekin kapriçon e tyre, nga njerëzit e kësaj bote, dhe shoqëria e tyre! Ruaju nga lajkat e tyre, sepse edhe po godite diçka nga bota e tyre, ata të godasin fenë tënde më shumë nga ç'ke bërë. A shpëton ai që shoqërohet me ta, ndërkohë që s'ka asnjë të mirë nga ajo çfarë ata flasin?! A mashtrohet i mençuri nga kurthi i tyre?!

Sillu me njerëzit me mirësi e mëshirë, me butësi, dashmirësi e dhimbje. Me ndihmesë ndaj atij që i është bërë padrejtësi, dhe me bamirësi ndaj tij. Me të butë e me ngrohtësi. Me mbajtje të irritimit e largim të nervozizmit, sa të mundesh. Medito në thënien e Tij (xh.sh), të dashurit (s.a.v.s): "Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do të largoheshin prej teje"[5]! Si e veçoi me butësi ndaj tyre dhe e bëri atë shkak të mëshirës dhe afrimit të tyre ndaj tij dhe mos ndarjes nga ai!

Kryeji nevojat e tyre sipas mundësisë tënde, me pasuri e me shpirt, sepse Profeti (s.a.v.s) ka thënë: "Puna më e mirë pas besimit në All-llahun është dashamirësia ndaj njerëzve". Dhe mjafton për këtë kapitull hadithi i "El-xhamius-sagir": "Më e mira e të mirave është t'i shkosh atij që s'të vjen, t'i japësh atij që s'të jep dhe të falësh atë që të bën padrejtësi"[6] dhe në një rivajet tjetër: "t'i bësh mirë atij që të bën keq"!

Dhe dije se urtësia më e madhe dhe qëllimi kulminant, siç na ka mësuar nga Zoti i tij, ai që s'flet nga vetja e tij, është i lidhur pas adhurimit! Prandaj, angazhohu maksimalisht në vazhdimësinë e adhurimit të Tij, në mënyrën më të mirë, me përulje dhe prezencë, që të mbërrish te Zoti yt Falës! Ky është qëllimi final i zemrave që s'denjojnë nënshtrimin para kësaj jete mashtruese.

All-llahu na dhëntë mbarësi, neve dhe ju, për atë që pëlqen dhe dëshiron.

Na e bëftë rizk, neve dhe ju, që të jetë fjala e fundit, në momentin e ndarjes së shpirtit nga trupi: La ilahe il-lall-llah Muhammedun resulull-llah (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme teslimen kethira)”[7]

 

Sinqerisht

H. Muhamed Bekteshi

myderris i Shkodrës



[1] Transmetuar nga Imam Ahmedi dhe Hakimi, nga Ebu Ejjubi (r.a)

[2] Fenâ është tretja dhe zhdukja.

[3] Quhet veçimi nga njerëzit.

[4] Kur'ani: En-Nahl: 96.

[5] Kur'ani: Ali Imran: 159.

[6] Gjendet në "El-xhamius-sagir" të Imam Sujutit, me numër 1287, i transmetuar nga Imam Ahmedi në "Musned" dhe Tabaraniu në "El-Kebir", nga Muadh ibni Enes (r.a).

[7] Ixhazeti u përkthye nga arabishtja dhe u përshtat në shqip nga Muhamed Sytari. I plotë, ai gjendet në monografinë e titulluar: “Hafiz Qamil Tresi- në gjurmët e një biblioteke që sfidon heshtjen e kohës...”, Shkodër, 2006.