Islami dhe paqja
(Islamin e vërtetë nuk e refuzon njeri)
Shejkh Ahmed Keftaro
Islami, fe e paqes dhe e mëshirës
Paqja në Kur'an është përmendur më tepër se një herë.
All- llahu i thërret muslimanët duke u thënë: "O ju që besuat,
hyni në paqen e tërësishme, e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse
ai është armik i juaj i hapët".[1]
Ndërkohë që i komunikoi Profetit Muhammed (a.s) vërtetësinë se:
"E Ne nuk të dërguam ty (Muhammed) vetëm se mëshirë për të
gjitha botërat".[2]
Sikurse e shohim në ajetin e lartpërmendur, Zoti (xh.sh) nuk
thotë: Paqe, por mëshirë, sepse paqja ndodh në mes të dy armiqve
me anë të një bese a armëpushimi, ndërsa mëshira ndodh në mes të
nënës dhe fëmijës së saj.
Kjo është kultura që vjen nga Zoti (xh.sh), për shkak të së
cilës dërgoi të dërguarit e Tij, vula e të cilëve ishte
Muhammedi (a.s), për të ndërtuar njeriun e njerëzishëm, njeriun
e plotë.
Islami erdh për të plotësuar misionet e Profetërve të mëparshëm,
Ibrahimit, Musait, Isait, pasi Zoti (xh.sh) na përmend në
Kur'an: "Ju (besimtarët) thuani: "Ne i besuam All- llahut, atë
që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit,
Is'hakut, Jakubit dhe pasardhësve, atë që i është dhënë Musait
dhe Isait dhe atë që iu është dhënë nga Zoti i tyre
pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre
dhe ne atij i jemi bindur".[3]
Kjo sepse All- llahu i Madhëruar nuk la popull prej popujve të
botës, pa i dërguar një mësues: "Ne të dërguam ty me atë që
është e vërtetë, lajmgëzues e qortues, e nuk pati asnjë nga
popujt që nuk pati të dërguar".[4]
Kështu që në mësimet e Profetëve nuk ka kundërshtime e
divergjenca, sikurse thotë edhe Profeti Muhammed (a.s):
"Profetët janë vëllezër , feja e tyre është një dhe nënat e tyre
janë të ndryshme"[5], sepse ata janë
dërguar nga Një Zot i Vetëm, kështu që a logjikohet që Zoti
(xh.sh) të zbresë misione të ndryshme divergjente me njëra-
tjetrën?!
Së fundi në shekullin e 18- të doli në pah Ungjilli i Bernabës,
në të cilin përmendet emri i Hz. Muhammedit (a.s), për të cilin
All- llahu (xh.sh) në librin e Tij na përmend se: "e gjejnë të
cilësuar (të përshkruar me virtytet e tij), te ata në Teurat dhe
në Inxhil".[6]
Sikurse edhe vetë Profeti Muhammed (a.s) na sihariqoi se këto
mësime do të mbërrijnë në të gjithë botën: "Kjo çështje do të
mbërrijë aty ku ka mbërritur nata dhe dita"[7]
dhe ne jemi dëshmitarë se Islami është përhapur nga lindja deri
në Indi dhe në perëndim deri në Spanjë, saqë disa nga studentët
tanë amerikanë më lajmëruan se në Amerikën Jugore janë gjetur
disa gjurmë islame mbi të cilat është gdhendur: “Nuk ka
triumfues përveç All- llahut”, gjurmë të cilat i kam parë të
gdhendura edhe në muret e xhamisë, kur vizitova Endeluzinë.
Kur'ani, mesazhi i Zotit për të gjithë njerëzit
Duhet që ju, vëllezër, ta lexoni librin e All- llahut, Kur'anin,
të zbritur Muhammedit (a.s), për të cilin Zoti (xh.sh) thotë:
"Ne ty (Muhammed) ta zbritëm librin (Kur'anin) me vërtetësi që
është vërtetues i librave të mëparshëm (Teuratit dhe Inxhilit)
dhe garantues i tyre".[8]
Kjo do të thotë se ky libër përfshin çdo gjë të përmbledhur në
Teurat dhe në Inxhil, prandaj kushdo që e lexon Kur'anin, do të
gjejë në të Hz. Musain (a.s) më shumë se 15 herë dhe në
çdo herë do të mësojë diçka të re rreth jetës dhe misionit të
tij.
Po kështu edhe me Hz. Isain (a.s) dhe familjen e tij të nderuar.
Kuptimi i Islamit, një detyrim hyjnor
Vëllezër të nderuar!
Mundohuni ta kuptoni Islamin në mënyrë të saktë, pasi kushdo që
e ka provuar mjaltën, nuk mund t'i dalë njeri në botë që të
mbjellë dyshimin në zemrën dhe mendjen e tij, se ajo është e
hidhur!
Në shekujt dhe vitet e kaluara, u ngritën qeveri dhe organizma
të ndryshme për të luftuar Islamin, por rezultati i tyre ishte
sikurse na e përmend Zoti (xh.sh) në Kur'an: "Ata përpiqen me
gojët e tyre ta shuajnë dritën e All- llahut"[9],
por a ka forcë në botë që mund të shuajë një dritë që Vetë Zoti
(xh.sh) e ka ndezur, për t'i ndriçuar me të njeriut jetën e
tij?!
Kështu që çdo muslimani i del për detyrë që të jetë musliman i
vërtetë, duke mos gënjyer, duke mos e thyer besën e dhënë dhe
duke i kryer amanetet e mbartura mbi supe, sepse Profeti (a.s)
thotë: "Shenjat e hipokritit janë tri: Kur flet gënjen, kur
premton s'e mban atë dhe kur jep besën tradhëton".[10]
Këto mësime, Zoti (xh.sh) i zbriti dhe zgjodhi për to një njeri
analfabet që nuk lexonte as nuk shkruante, të cilin Zoti (xh.sh)
e futi në shkollën e Tij dhe i inspiroi që të largohej prej
njerëzve gjë të cilën e bëri duke u veçuar prej tyre në shpellën
Hira.
Aty i vetëm, iu shfaq Xhibrili (a.s), ambasadori i Zotit te
Profetët e Tij, i cili i solli shpalljen e parë hyjnore: "Lexo
me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë)"[11],
e cila do të shënonte edhe ditëlindjen e një revolucioni
shkencor, edukativ e moral të paparë në historinë njerëzore.
Islamin e vërtetë nuk e refuzon njeri
Sot, në kohët moderne, ndonëse njeriu ka përparuar në teknologji
dhe zbulimet shkencore, ai vazhdon të jetë ateist duke e menduar
veten mbret të çdo gjëje.
Kjo për arsye se njeriut i është prezantuar njohja e Zotit në
mënyrë të shpifur.
Por, me siguri e them se nëse do të bëhej e mundur që këtij
njeriu t'i prezantohej vërtetësia e mësimeve hyjnore, të pastra
ashtu sikurse zbritën nga qielli, njerëzia do të jetonin
vëllezër të njëri- tjetrit e me dashamirësi, veçanërisht në këtë
kohë, kur bota është afruar dhe mesazhi i Zotit mund të mbërrijë
gjithandej.
Kryerja e detyrimit hyjnor
Njerëzit, i luten All- llahut për jetëgjatësi dhe sado që rritet
mosha e njeriut, forca e tij zvogëlohet, shenjë që tregon se
njeriu po i afrohet largimit nga bota.
Por, ka edhe shenja të tjera që vërtetojnë këtë, si zbardhja e
flokëve -sikurse më shihni mua-, por falë Zotit, qëkur kam zënë
mend, me mirësinë e Zotit dhe me edukimin e babait dhe mësuesit
tim, kam mësuar Kur'anin përmendësh dhe mësova Islamin në mënyrë
të plotë dhe më pas hapëm medrese e Fakultete për studentë nga
çdo anë e botës.
Prandaj i lutem All- llahut që ta kem kryer detyrën hyjnore,
sikurse duhet që secili prej jush të kryejë këtë detyrë hyjnore
që e gjithë bota të bëhet një shtëpi e vetme, jo sipas mendësive
të disave, por sipas urdhëresës së All- llahut (xh.sh) në gojët
e Profetëve të Tij, për t'u bërë njeriu vëlla i njeriut e
mëshira të mbulojë botën mbarë.
Ju jap sihariq se realizimi i këtyre kuptimeve nuk është i
largët, por duhet që secili prej jush të përgatitet për të
zbatuar fjalët e All- llahut (xh.sh), I cili e krijoi njeriun në
formën më të bukur dhe i mësoi atij të folurit e sqarimin,"E
krijoi njeriun. Ia mësoi atij të folurit (të shprehurit, të
shqiptuarit)".[12]
All- llahut i lutem që të na e bëjë të mundur të kuptojmë
mënyrën e leximit të librit të Tij, fjali- fjali e fjalë- fjalë,
e që pasi ta kemi lexuar të kemi përfituar ne dhe bota mbarë dhe
të gëzojmë së bashku me mësimet e Krijuesit të tokës, qiellit
dhe galaktikave.
Sikurse i lutem Atij të na japë mbarësi për të vepruar sipas
pëlqimit dhe dëshirës së Tij!
Amin!
Përktheu nga arabishtja
dhe përshtati në shqip
Muhamed SYTARI
[1] El- Bekare: 208.
[2] El- Enbija: 107.
[3] El- Bekare: 136.
[4] Fatir: 24.
[5] Transmetuar nga Ahmedi në Musnedin e
tij nga Ebu Hurejra (r.a).
[6] El- A'rafë: 157.
[7] Transmetuar nga Ahmedi dhe Tabaraniu
nga Temim Dariu (r.a).
[8] El- Maide: 48.
[9] Et- Teube: 32.
[10] Transmetuar nga Bukhariu dhe
Muslimi.
[11] El- Alek: 1, 2.
[12] Err- Rrahman: 3, 4.