Muhamed Sytari
thirrës islam
Qëndrimi i Islamit ndaj poezisë
(...Profeti ua lejoi njerëzve poezinë, e dëgjoi atë, nxiti për të dhe shpërbleu për të...)

Nëse
do të flasim për çfarëdo lloj qëndrimi të fesë islame ndaj
poezisë, do të na duhet, pikësëpari të kthehemi në faqet e
librit të fundit të zbritur nga qielli, si pikë e parë referimi.
Do të na duhet të kontrollojmë në suret dhe rreshtat e Kur'anit,
për shenja a gjurmë të "poetëve" e "poezisë", që të na
mundësohet më pas një përcaktim sa më i qartë i qëndrimit të
Islamit ndaj tyre. Që përcaktimi i këtij qëndrimi të jetë sa më
i saktë, do të na duhet më pas, të kontrollojmë edhe në
"arkivat" e pafund të citateve të Profetit Muhammed (a.s), ku do
të na duhet të gjejmë gjithashtu vendin e "poetëve" dhe
"poezisë" së tyre.
Nga një
studim serioz i Dr. Muhammed Osman Ali, pedagog i letërsisë
arabe në Fakultetin e Gjuhësisë, pranë Universitetit "Fet'h"-
Libi, konstatohet se: "Termi "poet"
është përmendur katër herë në Kur'an, në
katër ajete,
sikurse do të gjejmë se termi "poezi"
është përmendur në
një ajet të vetëm
dhe termi "poetët",
gjithashtu në
një ajet të
vetëm".[1]
Ajetet kur'anore ku përmendet "poezia" dhe "poetët"
Më poshtë,
po përmendim në mënyrë të detajuar ajetet kur'anore, të cilat
citojnë qartas "poetët" dhe "poezinë" e tyre, për të arritur më
pas, nëpërmjet ndihmës së komenteve të ndryshme të këtyre
ajeteve, në një konkluzion të qartë rreth vendit të "poezisë"
dhe "poetëve" në Kur'an e Islam.
1.
"Ata madje thanë (për
Kur'anin): Ëndërra të përziera, madje thanë se ai (Muhammedi)
vetë e trilloi, ai është
poet!..."[2]
2.
"Dhe thoshin: "A do t'i braktisim ne zotat tanë për një
poet të
çmendur?"..."[3]
3.
"E ata thonë: "Ai është
poet, po presim kohën ta zhdukë"...".[4]
4.
"Ai nuk është fjalë e ndonjë
poeti, po ju
nuk besoni".[5]
5.
"Ne as nuk ia mësuam atij (Muhammedit)
poezinë, e as
që i takon ajo atij, ai (Kur'ani)
nuk është tjetër vetëm se këshillë dhe Kur'an i qartë".[6]
6.
"E për sa u përket
poetëve (që
Muhammedi nuk është i tillë), ata i ndjekin të humburit (nga
e vërteta). A nuk sheh se ata hidhen në çdo anë (sa
lavdërojnë, sa përqeshin). Dhe ata janë që flasin atë çka
nuk punojnë. Me
përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që e
përmendën shumë All-llahun dhe që u mbrojtën pasi që atyre iu bë
e padrejtë. E ata që bënë zullum do ta kuptojnë se ç'përfundimi
i shkojnë (ç'dënim të
ashpër ose ç'vendi në Xhehennem do t'i nënshtrohen)".[7]
"Ajetet
që flasin rreth poezisë, nuk e prekin atë -si poezi-, as për të
mirë, as për të keq, por për një arsye të fortë: hedhjen
poshtë të pretendimeve të jobesimtarëve arabë për qenien e
Muhammedit (a.s) poet. Njëkohësisht, Kur'ani vërtetoi, se të
vërtetat me të cilat erdhi Profeti i fundit, janë shumë larg
poezisë...".[8]
Përse Kur'ani hedh poshtë, në mënyrë të theksuar,
qënien e Muhammedit (a.s) poet?
Kjo është
një pyetje, sa intriguese aq edhe e domosdoshme për t'u bërë në
këtë pikë të këtij studimi. A ishte Profeti Muhammed (a.s) poet
apo jo? Përse Kur'ani refuzon me kaq ngulm qënien e tij poet?
Çfarë është poeti në këndvështrimin e arabëve kurejshitë e
jokurejshitë, "nofkë" me të cilën, në një mënyrë a një tjetër,
"gjuhej" edhe Profeti i fundit, Muhammedi (a.s)?
Arsyeja e
këtij refuzimi të bërë nga Kur'ani, është fare e thjeshtë: "Sepse
arabët mendonin se në mendjet e poetëve ka "dorë" a prekje
xhinësh, a se disa shejtanë u inspironin atyre vargjet, të cilat
ua recitonin më pas njerëzve... Shkak tjetër është, se shumë
prej poetëve në "xhahilijet"[9],
njiheshin për veprimtaritë e tyre të fshehta imorale, teprinë në
epshet e ndryshme, si dhe dhënien pas kënaqësive materiale, si:
alkooli, kumari, etj.".[10]
Profeti Muhammed, "poetët" dhe "poezia"
Qëndrimin e
tij ndaj poezisë, Profeti Muhammed (a.s) e ka shfaqur në dy
pika:
Së pari:
Ndalimi që i ka bërë thurjes së vargjeve
që prekin nderin, që
nxisin hasmëritë dhe që ngjallin ndjenjat e strikticizmit
ndërfisnor.
Së dyti:
Luftimi që i bëri angazhimit të madh me poezinë, saqë të ndikojë
te njeriu për të mos kryer detyrimet e besimit të tij,
përmendjen e All-llahut e leximin e Kur'anit.
Sidoqoftë,
mund të themi se
Profeti ua lejoi njerëzve poezinë, e dëgjoi atë, nxiti për të
dhe shpërbleu për
të, gjë për të cilën dëshmojnë faktet. Konkretisht
përmendet se Profeti (a.s) dëgjoi Nabiga Dhubjanin, poetin e
njohur arab, kur me varg tha:
Erdha te Profeti,
kur me udhëzim erdhi,
dhe lexoi Librin,
si shkëndijë ndriçon...
Këto vargje
e të tjera që tha në prezencë të Profetit (a.s) tërhoqën
vëmendjen e tij dhe poetit iu drejtua me këto fjalë: "Mos
ta mbylltë All-llahu gojën".[11]
Profeti (a.s)
dëgjoi edhe nga Ka'b ibni Zuhejri, kur ky i fundit erdhi në
xhami e tij duke i thurrur ca vargje, nga poezia e tij e
famshme, që fillon me pikëllimin e tij për ikjen e Suadës, të
dashurës së tij. E kur, arriti në vargjet:
Profeti është dritë, me të cilën ndriçohemi,
Luan, nga shpatat e zhveshura të Indisë.
Profeti ndërhyri duke e korrigjuar: "nga
shpatat e All-llahut", dhe Ka'bi e korrigjoi.[12]
Studioi
Muhamed Sytari
[1]
Dr. Muhammed Osman Ali, "Fi edebil-Islam", fq. 84.
[2]
Kur'ani: Enbija-
21:5.
[3]
Kur'ani: Saffat-
37:36.
[4]
Kur'ani: Tur-
52:30.
[5]
Kur'ani: Hakka-
69:41.
[6]
Kur'ani: Jasin-
36:69.
[7]
Kur'ani: Shuara-
26:224- 227.
[8]
Dr. Muhammed Osman Ali, "Fi edebil-Islam", fq. 85.
[9]
Periudha para dërgesës profetike të Muhammedit (a.s).
[10]
Dr. Muhammed Osman Ali, "Fi edebil-Islam", fq. 85.
[11]
Dr. Muhammed Osman Ali, "Fi edebil-Islam", fq. 88, që i
referohet: "El-khaberu vesh-shi'ru fish-shi'ri vesh-shuarai",
i Ibni Kutejbes, vëll. i 1- rë, fq. 208-209.
[12]
Transmetuar edhe në historinë e Ibni Hishamit.