“Dielli i perëndimit”- në gjurmët e Imam Mehdiut
(Tiranë, më 30 janar 2010)
Të nderuar pjesëmarrës,
Me kënaqësi e prita ftesën e Sheh Qemaludin Rekës për të
referuar në këtë aktivitet, ku është përzier shpirti i Kur’anit,
drita e Resulull-llahit dhe dashuria e Ehlibejtit me elementë të
rëndësishëm të harmonisë tonë islame që rrezatojnë ndriçim
besimi edhe mbi harmoninë kombëtare të vendit tonë, harmoninë e
çdo vendi!
Libri “Dielli i perëndimit”, me autor Muhammed Reza Hakimi, i
përket një trashëgimie të vjetër e të dendur fetare lslame, asaj
shiite. Në këtë aspekt, mund të them se ky libër i shtohet
bibliotekës ndërislame në gjuhën shqipe, në morinë e panumërt të
trashëgimisë sonë islame ndër shekuj.
Mendimi im personal është se sot, ndonëse jetojmë në kohëra
diversiteti, duhet të jemi të kujdesshëm me diversitete të
ndryshme fetare që mësyjnë vendin tonë në momente thuajse
injorante në raportet e njerëzve të politikës dhe të fesë tek
ne, me vetë diversitetin fetar dhe realitetet e kohës!
Thelbi i librit që po promovojmë sot, sillet rreth
personalitetit të një trashëgimtari të profetit Muhammed (a.s),
në fundin e botës, për të cilin bëhet fjalë në disa hadithe
profetike. ku mund të përmend:
-“Nuk do të shkojë kjo botë derisa t’i zotërojë arabët një burrë
nga familja ime, emri i të cilit i ngjan emrit tim”- (Tirmidhiu
nga Ebu Hurejra).
-“Po të mos mbetet nga kjo botë, qoftë edhe një ditë, do të
dërgojë All-llahu një burrë nga familja ime, që do ta mbushë
botën me drejtësi, pasi të jetë mbushur me zullume e prapësi”- (Ebu
Davudi nga Aliu).
Duke lexuar librin në fjalë, më lejoni të ndalem në disa
stacione brenda tij, për të përfituar disa vlera shpirtërore,
morale, sociale, politike e materiale nga të cilat mund të
përfitojë lexuesi i tij, nga burimi i njeriut të drejtësisë.
1. “Përveç imamëve të pastër, dijetarëve, historianëve dhe
transmetuesve shiitë të haditheve, gjithashtu edhe shumë prej
historianëve dhe transmetuesve nga ehli suneti, kanë pohuar këtë
fakt (ardhjen e Mehdiut -M.S.-), të cilin e kanë konsideruar një
realitet”[1]
Dr. Jusuf Karadavi, thotë: “Për Mehdiun e pritur ka hadithe të
ndryshme, ku të sakta, ku të dobëta, ku të shpikura. Në tërësinë
e tyre ata na drejtojnë nga kjo e vërtetë e pamohueshme, besimin
e së cilës e kemi vaxhib- detyrim fetar! Po kush është Mehdiu?
Ai, sipas teksteve të hadithit, është një burrë që do të gjykojë
me sheriatin islam, duke e mbushur tokën me drejtësi pasi të
jetë mbytur nga zullumet e prapësitë”[2]
Shejkh Abdulhalim Mahmud, shejkhul-ezher, thotë: “Ai do të dalë
në Mekë, para Mesihut të pritur, hz. Isait (a.s). Ai do të
vazhdojë të drejtojë muslimanët deri sa të zbresë Mesihu që do
të gjykojë me ligjet e Muhammedit (a.s)”[3]
Muhadithi i shquar Abdullah Siddik el-Gummari, thotë: “Hadithi i
Mehdiut është mutevatir, i transmetuar nga rrugët e 30 sahabëve
me senede të ndryshme. Për qënien e tij mutevatir kanë folur
edhe Ebul-Husejn es-Sixhzijj, Imam Kurtubiu, Ibni Haxheri, Imam
Sakhaviu etj.”[4]
2. “Gjatë pushtetit të Mehdiut, do të shkatërrohet dhe shfaroset
pushteti i despotëve dhe arrogantëve, si dhe influenca politike
e hipokritëve dhe e tradhëtarëve”[5]
Dhe ky është një sihariq për mbarë botën që noton dita-ditës në
ujërat e zullumit dhe degjenerimit. Por, më shumë se një
sihariq, ai është një tërheqje vëmendje për secilin musliman, se
detyra dhe misioni i tij (dhe i tyre) është ngritja e shtetit të
së drejtës, mirëqenies, barazisë e harmonisë, jo misioni i
servilizmit injorant para duarve të atyre që mbi Zotin, kanë
interesa xhahile e të përkohëshme! Muslimanët e sotëm, dhe në
çdo kohë, duhet të jenë aktivë në jetën e përditshme, të aftë
për të mbrojtur vlerat dhe dinjitetin e tyre fetar që qëndron
mbi çdo vlerë e dinjitet!
Është një thirrje hyjnore që secili prej nesh të jetë Mehdiu i
kohës së tij, duke mos u thyer në rrugën e besimit dhe
lartësimit të tij para asnjë zullumi a zullumqari me pozitë!
3. “Në kohën e qeverisjes së Mehdiut, të gjithë njerëzit do të
arsimohen dhe do të nxënë dituri, deri dhe gratë nëpër shtëpitë
e tyre do të gjykojnë sipas Kur’anit dhe sunetit të profetit
Muhammed (a.s)”[6]
Po lexoja disa aspekte nga jeta e dijetarit të shquar damasken
Ibni Asakir (499-571). Gjeta se nga 1300 mësuesit dhe dijetarët
prej të cilëve kishte mësuar, 80 e ca ishin dijetare, gra![7]
Sot, në Shqipërinë e harmonisë ndërfetare dhe politikave dhe
politikanëve pa vlera morale e shpirtërore, një vajzë e re
muslimane, e talentuar, e ditur nuk lejohet të jetojë me
dinjitetin e saj si muslimane shqiptare, duke u penguar nga
derdimenët e kohës tonë për të punuar e për të kontribuar aty ku
është e aftë e ku duhet të rrezatojë dijen dhe qytetarinë e saj!
Pse? Sepse mban hixhab, sepse është e ndershme, e drejtë!?
4. “Kur të vijë Mehdiu, pasi të lerë pas shpine vështirësitë dhe
luftërat, do të zhdukë dhunën dhe shtypjen dhe mbi gjithë tokën
do të sundojë drejtësia. Asnjë vend në tokë nuk do të mbetet pa
drejtësi. Nga kjo drejtësi dhe mirësi do të përfitojnë edhe
kafshët”[8]
Kjo, më kujton hz. Omerin (r.a), babain e drejtësisë botërore,
që qante nga frika se All-llahu do ta pyeste për një kafshë që
devijon rrugën diku në Kufe dhe thyen këmbën e saj, se përse nuk
ia ka shtruar rrugën!? Në vendin tonë sot, ndonëse ekzistojnë
institucione që kanë për detyrë të mbrojnë kultet dhe vlerat e
tyre kombëtare e fetare, 20 vite pas vitit 1991, xhamia e
Plumbit në Shkodër vazhdon të mbytet në ujrat e degradimit të
ndërgjegjes tonë kombëtare, fetare, politike e përtej tyre!
5. “Në kohën e Mehdiut toka do të jetë shumë pjellore dhe do të
japë shumë prodhime sa që do të bëhen pirg sa një mal”[9]
E dini pse? Sepse Mehdiu do të thërrasë me gjuhën e gjyshit të
tij, Resulull-llahit (a.s) që thoshte: “Ruajeni tokën, pasi ajo
është nëna e juaj...”. Me fjalë të tjera: Kujdesuni për tokën,
për pjellorinë e saj, për frutet e saj, për mirëqenien e saj!
6. “Mehdiu është dëgjues i halleve të popullit. Atë do ta
dërgojë Zoti që t’i vijë në ndihmë zërit ankues të popujve të
botës... Në tokë do të mbijnë bimë të shumta. Uji i lumenjve do
të shtohet. Do të nxirren thesaret e fshehura nën tokë”[10]
Kushdo që e ka sadopak kulturë islame, do të kujtojë në këto
momente hz. Nuhin, babain dytë të njerëzimit, i cili i kërkonte
popullit të tij: “Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtet falë
shumë; Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk, ju shumon pasurinë
dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj.”[11]
Edhe Mehdiu, me ardhjen e tij do të orientojë njerëzinë drejt
marrëdhënies solide me Zotin, pas së cilës vjen mirëqenia,
begatia, lulëzimi, mirsësitë e panumërta për njeriun dhe të
ardhmen e tij!
Të nderuar pjesëmarrës,
Dje, tarikati Bektashi përkujtoi 800 vjetorin e dijetarit dhe
murshidit të shquar islam, Haxhi Veli Bektashi, ndërsa sot,
kryesia e tarikatit Rifai, po promovon këtë libër mbi Imam
Mehdiun. Ndoshta është koinçidencë, por kur në një popull
shtohet përmendja e miqve të Zotit, pritet falja, mëshira,
begatia dhe mirësitë e Tij.
E, sot, më shumë se kurrë, në vendin tonë është e nevojshme të
shtohet përmendja e miqve të Zotit që na marrin për dore drejt
mirësive të Tij, në këtë botë e në të përtejmen!
Faleminderit!
Imam Muhamed SYTARI
Shkodër, më 30 janar 2010
Referati i mbajtur nga Imam Muhamed
Sytari në simpoziumin e organizuar nga Mesxhidi i Ehli Bejtit
mbi personalitetin e Imam Mehdiut, në “Tirana Internacional”, më
30 janar 2010
![]() |
|
|
![]() |
![]() |
[1] Muhammed Reza Hakimi, “Dielli i
perëndimit”, fq. 3.
[2] Dr.Jusuf
Karadavi: http://www.islamonline.net/servlet/Satellite?pagename=IslamOnline-Arabic
Ask_Scholar/FatwaA/FatwaA&cid=1122528618404
[3] Po aty.
[4] Po aty.
[5] Muhammed Reza Hakimi, “Dielli i
perëndimit”, fq. 12.
[6] Po aty fq. 14.
[7] Abdulfettah Ebu Guddah, “Kimetuz-zemeni
indel-ulema”, botimi i 10- të, Bejrut, 2002, fq. 96.
[8] Muhammed Reza Hakimi, “Dielli i
perëndimit”, fq. 14.
[9] Po aty fq. 15.
[10] Po aty fq. 15.
[11] Kur’ani, Nuh, 10-12.
.jpg)
.jpg)
.jpg)