ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Imam Didmar Faja, mik në xhaminë e Tophanës

(Shkodër, më 26 dhjetor 2008) 

Sot, të xhumanë e fundit të dhjetorit dhe të krejt vitit 2008, mik special në xhaminë e Tophanës, ishte Imami i Qendrës Islame të Arizonës, ShBA, z. Didmar Faja.

Nëpërmjet hytbes së xhumasë, thirrësi islam Muhamed Sytari, ka ftuar mikun e ardhur nga larg, për të mbajtur një bisedë përshëndetëse para xhematit të kësaj xhamie.

Menjëherë pas faljes së namazit të xhumasë, Imam Didmar Faja, ka përshëndetur të pranishmit e shumtë, duke i uruar njëkohësisht edhe Vitin e Ri Hixhri 1430.

“Të dashur, motra dhe vëllezër! Jam shumë i lumtur që jam sot me ju për të folur mbi vlerat e hixhretit të hz. Muhammedit (a.s) nga Mekka në Medine, para 1439 viteve.

Emigrimi, sot, nuk duhet konceptuar vetëm si largim nga një vend në një tjetër, por edhe emigrim shpirtëror, nga një gjendje në një tjetër, nga e keqja në të mirë, nga sjelljet e ulëta drejt fisnikërive”- tha ndër të tjera ai.

Më pas, në vazhdim të bisedës së ngrohtë, Faja, tregoi edhe për eksperiencën e tij si prijës i Qendrës Islame të Arizonës, gjë që tërhoqi vëmendjen e të pranishëmve të shumtë në xhami.

Në përfundim të bisedës së tij, hatibi i xhamisë Tophanë, thirrësi islam Muhamed Sytari, i dhuroi Imam Didmar Fajës, emblemën e kësaj xhamie, duke i uruar atij mbarësi dhe sukses në punën fisnike dhe duke i përcjellur selamet e xhematit të xhamisë së Tophanës, xhematit të Qendrës Islame të Arizonës.

“Me anë të kësaj dhurate, u përcjellim selamet e xhematit të kësaj xhamie edhe vëllezërve tanë muslimanë shqiptarë, por jo vetëm, në Arizona të ShBA”- përfundoi bisedën e tij Sytari.

Në fund të takimit, përshëndetjet e ngrohta me xhematin dhe fotografitë si kujtim, ishin pamja e mbylljes së kësaj xhumaje me vlera.

Në këtë takim prezantuan edhe z. Sajmir Kraja, mësues i gjuhës shqipe në shkollën e mesme “Miraxh”, në Nju Jork, si dhe thirrësi islam Lavdrim Hamja.

 

V. Mehmeti

 
Tophane, 26 dhjetor 2008