ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Ihsani - përsosmëri në besim, adhurim, jetë!

(Shkodër, më 10. 12. 2009) 

Dersi i natës së xhuma vazhdon të tërheqë vëmendjen e besimtarëve, që prezantojnë në xhaminë e Tophanës për të dëgjuar këshillat dhe mësimet e ndryshme fetare të kësaj nate të madhnueshme.
Në dersin e radhës, Imam Muhamed Sytari ka vazhduar të shjegojë hadithin e dytë prej 40 haditheve të Imam Neveviut, ku është ndalur në komentimin e ihsanit. “Gjatë derseve të shkuara kemi shjeguar domethënien e shehadetit, fesë Islame dhe imanit. Sonte do të trajtojmë ihsanin, ndryshe: përsosmërinë dhe plotësinë në besim, adhurim dhe në jetë. Ihsani është grada më e lartë e besimit! Ihsani është angazhimi i vazhdueshëm i njeriut për ta ndjerë veten sa më pranë Zotit dhe nën mbikqyrjen e Tij! Lidhja ka nevojë për kontakt të vazhdueshëm, kontakti vetë për një nijet të sinqertë e nijeti për një zemër të shëndoshë!”- ka qenë fillimi i dersit, në të cilin janë trajtuar ajete dhe hadithe të shumta, nëpërmjet të cilave është shpjeguar domethënia e kësaj teme shumë të rëndësishme në Islam.
Gjatë këtij dersi, Imam Muhamed Sytari ka trajtuar edhe prapambetjen e muslimanëve në fusha të ndryshme të jetës: “Në Kur’an është zbritur sureja “Hadid”, dmth, sureja e hekurit. Realisht, të tjerët e kanë përvetësuar mësimin e Kur’anit rreth vlerave dhe dobive të tij!? Përse muslimani i sotëm nuk e përsos punën e tij, sikurse Resulull-llahi urdhëron: “All-llahu dëshiron nga robi i Tij që kur ta kryejë një punë, ta përsosë!”? Marangozi në punishten e tij, tregtari në magazinë e dyqan, studenti në fakultet, mjeku në spital, secili, duhet ta përvetësojë këtë hadith në jetën e tij!”.
Dersi i natës së xhuma, vazhdon për çdo të enjte pas namazit të jacisë, në xhaminë e Tophanës.


Ahmed Mahiri


Ihsani - përsosmëri në besim, adhurim, jetë! Tophane, 10 dhjetor 2009