I fundit i një epoke…
(Në kujtim të mikut tim, Bashkim Dizdari)
“Hoxhë! E kam kuptu se kjo botë nuk vlenka asgja! Kam qejf me
fillu me ardhë në xhami! Bile që nga kjo radhë do të vij të fali
xhumanë!”. Kjo ishte fjalia më e ngrohtë, por edhe më potente që
kisha dëgju më parë prej mikut tim. Jo për faktin e thjeshtë se
ai do të vinte në xhami për faljen e namazit, me gjithë
madhështinë e këtij haberi, jo! Por, sepse ai në vetëvete kishte
filluar të reflektonte botën e përtejme, ku pa dyshim namazi dhe
adhurimet në përgjithësi janë pjesë e dritës që bart në vetëvete
ajo botë!
Të xhumanë që pasoi takimin tonë, nga minberi vura re prezencën
e tij. U gëzova pa masë dhe natyrshëm që ndjeva edhe pak emocion.
Ishin emocionet e prezencës së tij, të parës prezencë në xhaminë
e Tophanës. Pas përfundimit të namazit dhe riteve që pasojnë të
xhumanë, u takuam. “Do të vij edhe të xhumanë e ardhshme”- më
tha, duke buzëqeshur. Me siguri që ishte ndjerë mirë e ngrohtë
në xhaminë tonë! Me siguri që drita e të përtejmes kishte nisur
të feksonte edhe më shumë në brendësinë e tij! Me siguri që
shpirti i tij kishte nisur të përmallohej për të përtejshmen dhe
drejt saj po përgatitej të fluturonte në paqe...
Një natë, në prag të jacisë, një telefonatë befasuese më bëri të
mendoj se koha i ishte afruar... Më lajmëronin se miku im ishte
pranë pragut të ndarjes nga kjo botë, në prag të takimit me të
përtejmen...
I shtrirë në shtratin e ndarjes, ai nuk lëvizte. Frymëmarrja e
shoqëruar me ndonjë rënkim fare të lehtë, si rënkimet e ndarjes
nga të dashurit e kujtimet e tyre, ishte e vetmja gjë që thyente
heshtjen e dhomës. U ula pranë tij. Ai, si ta ndjente prezencën
time, lëvizi të djathtën e tij drejt meje. E shtrëngova dhe nisa
të lutem së bashku me të, për të..! E teksa lutjet pasonin
njëra-tjetrën, me sytë e mbyllur nisa të kërkoj në anekset e
kujtesës, aty ku ka një vend për miqësitë e pastra e të sinqerta.
Aty qëndronte edhe miku im me botën dhe shpirtin e tij
karakteristik. Ashtu, sportiv e i qeshur, me batutën e gatshme
në gojë, me qytetarinë dhe humanizmin e tij.
Ishte viti 1991. Atij, së bashku me shumë të tjerë, kaderi u
kishte ardhur të ishin nismëtarë të hapjes së një medreseje të
thjeshtë e modeste. Ajo kishte pak orendi, pak nxënës, pak
përkrahje, por... kishte shpirtin e sinqeritetit të tyre,
përkushtimin, këmbënguljen, pastërtinë e nijetit...
Viti 1992. Kaderi më kishte sjellë të ulem në bankat e klasës së
nëntë. Në mesin e shokëve të klasës, pa dyshim që ai tregohej me
gisht, si mësues “kampion”!
Viti 2001. Medreseja ishte po aty. Jo më e vogël, jo më me pak
nxënës, jo më pa përkrahje! Edhe ai vazhdonte të ishte aty. Edhe
unë gjindesha aty, por... tashmë isha kthyer mësues! Ishim bërë
“kolegë”!
Vitet kaluan njëri pas tjetrit. Miqësia jonë u shtua. Ai,
ndonëse mësuesi im në moshë, ishte bërë njëri ndër miqtë më të
dashur e të afërt, në shoqërinë e të cilëve koha fitonte
dimensione të mrekullueshme.
Edhe kur medreseja ndërroi godinë dhe nisi të merrte pamjen e
një instituti serioz e me emër dinjitoz, ai së bashku me
medresenë, vazhduan rrugëtimin e madhështisë e të përkujtimit
për mirë, në të mirë.., derisa një ditë, diku nga fundi i
nëntorit 2009, ai... Atë ditë teksa e vështroja të ngjitej në
katin e dytë, kuptova se diçka nuk shkonte si përherë. “Hoxhë!”-
më tha, duke më bërë me shenjë të afrohem. “Kam vendosur të
ndalem këtu! Me ndërgjegje, nuk mundem më, jam lodhë!”.. dhe që
atë ditë ai nuk u pa më në shkollën, për të cilën kishte
kontribuar mund e djersë, për vite e vite... Në fakt, ajo ditë e
fund nëntorit 2009, ishte edhe fundi i një epoke! Ai ishte i
fundit nga nismëtarët që vazhdonte të jepte nga kontributi i tij
për medresenë. (Ah, kjo medrese dhe historia e saj e pashkruar!?)
Me siguri e kishte konsideruar atë si fëmijën e tij dhe
natyrshëm që ishte i gëzuar teksa e shihte të hidhte shtat e të
rritej dita-ditës. Tashmë momenti i ndarjes ishte afruar... Atë
ditë, teksa largohej nga medreseja e tij, nuk e kishte menduar
se nuk do të kthehej më fizikisht në të. Ishte dita e fundit dhe
ndarja ishte bërë realitet! Epoka e tij (dhe e tyre) tashmë e
kishte mbyllur kapakun e fundit të jetës! Nga ai moment, ai dhe
ata, i përkisnin kujtimeve të bardha të së shkuarës!
Për një moment, shiriti i kujtimeve u ndërpre. Ai lëvizi dorën.
Seç kërkonte... Pak pika nga uji zemzem ia freskuan buzët dhe ai
mori të qetësohej e të prehej në paqen e zemzemit e, në krahët e
tij mori të largohej nga kjo botë...
E shtrëngova dorën e tij dhe me lutjet e fundit në gojë u ngrita
në këmbë. Edhe të afërmit kishin të drejtë t’i shtrëngonin dorën
për të fundit herë... Teksa po dilja nga dhoma, ndala hapin, u
solla me fytyrë nga ai dhe u ktheva t’ia shtrëngoj dorën, sërish...
Ishte shtrëngimi i fundit. Ishte përshëndetja e ndarjes...
Pas rreth një ore një telefonatë më prishi qetësinë e kujtimeve.
Ai, ishte nisur drejt së përtejmes... Ai, nuk ishte më... U
ndjeva i varfër nga mungesa e tij!
Dje, teksa qëndroja mbi kokën e tij, imam, me zemër lutesha që
udhëtimi i tij të ishte i mbarë e, nëpërmjet bardhësive të
lutjes, veprave të mira, namazit të xhumasë, agjërimit e ujit
zemzem, të mbërrinte në vendin e paqes e sihariqeve të Krijuesit...
Dje, teksa e përcillnim për në vendin e origjinës, u ndjeva
sërish i varfër nga mungesa e tij. Ndërsa sot, e ndjej se jam më
i varfër se dje... Ai u largua pa kthim...
Kujtimi i tij do të vazhdojë të më shoqërojë, sa herë do
të ngjitem e të do të zbres shkallët e medresesë, sa herë do të
qëndroj hatib nga minberi i xhamisë sime, sa herë do të kujtoj
bankat e medresesë së vjetër...
Me siguri dikujt, ndonjë ditë do t’i bjerë ndër mend që emrin e
tij dhe të njerëzve të epokës që u mbyll me ndarjen e tij nga
kjo jetë, t’i gdhendë në një pllakë të madhe përkujtimore në
hyrje të medresesë, në pllakën e memories së vetë medresesë së
Shkodrës!
Në mëshirë të All-llahut, miku im!
Muhamed Sytari
Shkodër, më 13 janar 2010