ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Iftari i Natës së Kadrit nga komuniteti musliman shqiptar në Phoenix

(Phoenix, më 17 shtator 2009) 

Në hyrje të Qendrës së Komunitetit të qytetit Glendale (rreth 20 minuta larg Phoenix) “Foothills Recreation Center”, shqiptarë të shumtë presin njëri-tjetrin për të hyrë në njërën prej sallave të përgatitura enkas për iftarin e madh që organizon ky komunitet, me rastin e Natës së Kadrit.

Përshëndetjet e ngrohta me selame dhe urime, shtrojnë rrugën drejt sofrës së begatë të iftarit, ku të gjithë ulen në pritje të momentit të tij… Është një moment i veçantë, sekretin e të cilit nuk mund ta kuptojë e shijojë askush përveç muslimanit, që nëpërmjet këtij agjërimi shkon drejt rrugëve të takvasë; përkushtimit në jetën e tij!

Salla është e tejmbushur. Familjarë, të rinj, të reja, fëmijë. Të gjithë të gëzuar! Atmosfera e krijuar rrezaton besim, qytetari, kulturë, pastërti, sinqeritet, solidaritet, dashamirësi dhe harmoni ndërkomunitare, duke marrë parasysh të ftuar të shumtë nga komunitetet e tjera muslimane të Phoenix, si: turq, egjiptianë, irakenë, indianë, pakistanezë, amerikanë etj. Të gjithë urohen me njëri-tjetrin, teksa këmbejnë lutjet e iftarit, sofër më sofër…

Organizime të tilla, të mbuluara nga mbarësia e All-llahut, janë eksperienca pozitive që të marrin për dore drejt dyerve të harmonisë, suksesit e përparimit në jetën komunitare të udhëhequr nga besimi dhe feja!

Disa minuta pas çeljes së iftarit, të gjithë ngrihen për të kaluar në një sallë tjetër, të përgatitur për faljen e namazit të akshamit me xhemat. Pamje e mrekullueshme! Në qetësi, me rregull e në harmoni të plotë edhe me ambientet e tjera të kësaj qendre komunitare, agjëruesit hyjnë njëri pas tjetrit në faltoren e improvizuar për kryerjen e faljes së akshamit. Faljen e drejton Imam Didmar Faja, ndërkohë muezini i shqiptarëve, z. Ylber Fetahu, nëpërmjet ikametit na fton të rreshtohemi me fytyrë nga kibla, në pritje të tekbirit fillestar…

Pas faljes së namazit të akshamit, të gjithë kthehen në vendet e tyre, duke u ndalur më parë në një aneks të sallës së ngrënies, ku si në një ekspozitë, qëndrojnë ushqimet e shumta të gatuara nga amvisat shqiptare. Disa prej vëllezërve tanë pakistanezë, mezi presin të dinë sesi gatuajnë shqiptarët dhe çfarë shije kanë ushqimet e tyre. Me siguri, do të mbeten të kënaqur nga larmia e gatimeve dhe shijet e mrekullueshme të tyre.

Në një moment të këtij iftari, Imam Didmar Faja ngrihet dhe nisë të falënderojë komunitetin e tij për këtë sofër iftari dhe shembullin e lartë në drejtim të organizimit të shqiptarëve muslimanë në kryeqendrën e Arizonës. Dhe, me të vërtetë, ka të drejtë të ndjehet krenarë për këtë komunitet me njerëz të devotshëm, që përveç fesë, i bashkon edhe gjuha, traditat, gjaku e toka. Në mesin e tyre ka shqiptarë të ardhur në këtë vend, para shumë vitesh, nga Dibra e Madhe, Prishtina, Elbasani, Shkodra, Durrësi, Librazhdi,  Gjirokastra e shumë zona të tjera të trojeve shqiptare.

Personalisht, në përshëndetjen e bërë para tyre, falënderova frymën e harmonisë dhe të komunikimit të këtij komuniteti të madh. Pa dyshim që shembulli i tyre duhet t’i kalojë kufijtë e “Foothills Recreation Center”, Phoenix, Arizonës, ShBA… Shembulli i harmonisë së tyre dhe i ruajtjes së besimit dhe traditave islame në mërgatë, duhet të jehojë gjithandej, si shembulli i besimtarëve të sinqertë që nuk e shesin besimin dhe bindjen e tyre fetare për asgjë në këtë botë! Si shembulli i njerëzve të lirë që nuk tundohen nga krakëllimat e “njerëzve të rinj”, që i karakterizon mungesa e identitetit ose shitja e tij për interesa të ngushta e momentale! Si shembulli i njerëzve të urtë e besimtarë që nderojnë veten e kombin e, mbi të gjithë fenë e tyre! U lumtë!

Teksa koha e iftarit nisë të afrohet me atë të namazit të teravisë, të gjithë marrin të dalin drejt xhamisë. Sonte është Nata e Kadrit dhe natyrshëm, të gjithë presin me padurim të mbërrijnë te pragu i xhamisë. Përtej tij, sonte nis një Natë e Madhe, më e Madhja Natë! Një Natë sa një jetë…

 

Muhamed Sytari

 

 
Iftari i Natës së Kadrit nga komuniteti musliman shqiptar në Phoenix
Iftari i Natës së Kadrit nga komuniteti musliman shqiptar në Phoenix
Iftari i Natës së Kadrit nga komuniteti musliman shqiptar në Phoenix