Iftari i Shoqatës Istanbul”, për xhematin e xhamisë Tophanë

(Shkodër, më 4 shtator 2008)  

   Sonte, Shoqata “Istanbul”, kishte organizuar një iftar për xhematin e xhamisë së Tophanës dhe atë të xhamisë së Perashit. Meqenëse iftari do të zhvillohej në një mjedis të hapur, në oborrin e medresesë së vajzave, ishte krijuar një atmosferë e këndshme, tepër familjare, që të jepte ndjesinë e qëllimit të ftesës që në momentin e parë të hyrjes në të. Një banderolë e madhe qëndronte para syve të secilit të ftuar. “Mirë se vini në sofrën e begatë të Ramazanit”, ishte urimi i parë dhe njëkohësisht mënyra më e goditur për ambientimin me sofrën e bereqetit të këtij muaji, të shtruar në atë ambient të mrekullueshëm!

   Në hapje të këtij iftari mbajta një përshëndetje, ku pasi urova të pranishmit për agjërimin e tyre dhe adhurimet e ditëve që kaluan, falënderova iniciativën e Shoqatës Vëllazërore Humanitare Kulturore “Istanbul” për këtë iftar, që mblidhte në sofrën e begatë të Ramazanit vëllezër muslimanë, frekuentues të dy xhamive me traditë në qytetin e Shkodrës. Njëkohësisht, edhe në emër të xhematit të xhamisë së Tophanës, falënderova z. Shuajb Bashan, për dhuratën e çmuar bërë xhamisë së Tophanës, në fillim-Ramazanin e sivjetshëm; tapetin-uniform për faltoren e Tophanës.

   Sëbashku me agjëruesit e pranishëm në këtë sofër, falëm edhe namazin e akshamit në një ambient të improvizuar enkas për kryerjen e këtij adhurimi, në oborrin e medresesë së vajzave.

   Përqafimet e përzemërta dhe urimet e sinqerta në fund të namazit të akshamit, sinjalizonin fillimin e përgatitjes për tubimin e teravisë, që këtë natë do më merrte drejt fshatit Bardhej.

 

Iftari i Shoqatës V. H. K. “Istanbul”, për xhematin e xhamisë Tophanë
Iftari i Shoqatës V. H. K. “Istanbul”, për xhematin e xhamisë Tophanë
Iftari i Shoqatës V. H. K. “Istanbul”, për xhematin e xhamisë Tophanë
Iftari i Shoqatës V. H. K. “Istanbul”, për xhematin e xhamisë Tophanë