Muhamed Sytari
thirrës islam
Në pritje të një muaji-nur…
Shehrun Mubarek!
Iftare...
Natë Kadri…
Ishte dritë që dëbonte "hirtësitë"…
Iftare...
(shpirti i këtij muaji të begatë)
Ajo që më
nxiti të ulem e të shkruaj këto rreshta në këtë natë Ramazani (e
trembëdhjeta natë e tij) ishte pikërisht ftesa e disa vëllezërve
besimtarë për të pirë një çaj, pas namazit të teravisë. Përse?
Mendoj se shpirti i këtij muaji të begatë, me të gjithë
elementet e tij përbërës, e tejkalon kufirin katër murësh të
xhamisë dhe merr të përhapet në çdo skaj të jetës së njerëzve
dhe vendbanim-qëndrimeve të tyre. Këtë e kam konstatuar me kohë,
por sonte teksa isha ulur në ftesën e çajit, ndjeva se ky shpirt
i këtij muaji shumëvlerësh ishte ulur dhe po na e zbukuronte
ndenjën dhe bisedën.
Bisedat
sillen rreth temave kyesisht fetare, ose me dëshirën që prania e
mendimit fetar të marrë pjesë në to. Thënë ndryshe, këto tubime
pas teravisë janë një lloj iftari shpirtëror dhe intelektual,
pas një agjërimi shumë më të gjatë se agjërimi ditor nga
ushqimi, në të përditshmet e muajit të agjërimit.
Pra, dashje
pa dashje, shpirti i mësimeve islame merr dhe bëhet pjesë e vetë
jetës, duke i dhënë drejtim e hijeshi asaj, edhe nëpërmjet
bisedave të shumta që mbushin atmosferën e çajtoreve të shumta
të këtij qyteti, a cilitdo qytet.
Po e them
këtë duke marrë si shembull realitetin e një bisede çaji,
ndërkohë që në një nga mediat vizive po dëgjoj të flitet për
terrorizmin dhe rrezikun që i kanoset botës së sotme prej tij,
për sekularizmin, për agnosticizmin, për identitetin e
shqiptarëve etj.
Tema e
terrorizmit në përgjithësi dhe frika nga të etiketuarit si
ekstremistë islamikë a të ngjashëm, po bëhet pjesë e menusë së
përditshme mediatike e dashje pa dashje edhe e vetë politikave
aktuale në botë. (Nganjëherë më ngjajnë me thirrjet e
komunistëve, nga meset e shekullit të kaluar, se “Feja është
opium”, si shkak për fillimin e kryqëzatës së tyre ndaj Islamit,
ndër shqiptarë, që filloi të konkretizohej pas fjalimit famëkeq
të 6 shkurtit 1967).
Ndërkohë realiteti i vetë fesë së pastër qiellore, Islamit,
qëndron mbi vlerat e cilitdo prej qytetërimeve botërore, për të
cilat kemi dëgjuar dhe vazhdojmë të dëgjojmë. (Në shumë raste,
Islami si fe është inspiruesi dhe nxitësi i shumë prej këtyre
qytetërimeve).
Thirrjet për
dialog ndërfetar, për komunikim paqësor në rrafshe
mbarënjerëzore, për dashamirësi ndaj njerëzimit, për
shenjtërimin e jetës dhe shpirtit njerëzor, si frymë prej frymës
hyjnore, për harmoni familjare, për drejtësi në sistemin
gjyqësor e atë ekonomik, për respektimin e dijes dhe nxitjes së
vazhdueshme për zënien e saj, për respektimin dhe mbrojtjen e
natyrës dhe ambientit përreth nesh, për kujdesin ndaj kafshëve,
për nxitjen e ruajtjes dhe kultivimit të gjelbërimit, për..,
për.., janë arsye të mjaftueshme që secili prej nesh, që beson
dhe është i bindur në përsosmërinë materiale e përtej materiale
të kësaj feje, të mos heqë dorë prej saj në jetën e tij të
përditshme, sado që të shtohen thirrjet për distancim nga
Islami, nga i ashtuetiketuari rrezik islam për jetën e
qytetërimin, pasi realiteti i Islamit nuk ndryshon, është po ai
i kohës së Muhammedit (a.s), politikat njerëzore, po!
Pse të
sakrifikohet shpirti i një feje, për atë të një politike a
mendimi afetar që don të bëhet imponues, në një kohë kur thirret
me të madhe për vlerat e mendimit të lirë, të drejtat njerëzore
etj.?
Duket si një
paradoks i rëndomtë, megjithatë është një realitet, që i
përngjet një vorbulle të madhe, që po i afrohet dita-ditës, jo
vetëm botës materiale humane, por edhe asaj shpirtërore, për ta
katapultuar atë drejt humnerave të degjenerimit mendor e
shpirtëror, aty ku njeriu s'quhet më krijesa më e përsosur e
Zotit, por një kavie eksperimentale...
E përballë
këtij fenomeni global, me të cilin po ndeshemi çdo ditë, nuk e
di se sa do të jetë në gjendje shpirti islam, që shëtit në
atmosferat njerëzore (edhe në çajtoret e tyre) të mbijetojë? Por
një gjë është e sigurt. Faraonët dhe thirrjet e tyre, përherë
kanë përfunduar muzeumeve njerëzore, që brezat të zënë mend e të
marrin mësim. E, sa janë të aftë brezat e sotëm të zënë mend nga
faraonët e së kaluarës së tyre dhe lidhjen e frymës së tyre
degjeneruese për jetën, me faraonizmat e të sotmes, kuptimin dhe
distancimin prej tyre, kjo i mbetet dëshmive reale të ditëve në
vijim..!
Muhamed Sytari
Shkodër, më 05. 10. 2006