ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Imam Muhamed Sytari i ftuar në emisionin “KULT”, në TvAN

(Shkodër, më 27 nëntor 2009) 

Nëpërmjet valëve të Tv Antena Nord në Shkodër, natën e parë të Kurban Bajramit, më 27 nëntor 2009, është transmetuar emisioni “KULT” i gazetarit Besi Bekteshi, ku i ftuar i kësaj nate ka qenë thirrësi islam Imam Muhamed Sytari.
Në bashkëbisedimin që ka zgjatur më shumë se një orë, i ftuari i është përgjigjur pyetjeve të shumta të gazetarit Bekteshi. Fillimisht,  Imam Muhamed Sytari ka folur mbi fëmijërinë e tij dhe vitet e studimeve në Damask, ku nuk ka lënë pa përmendur me shumë mirënjohje dhe nderim Hoxhën e tij të dashur, dijetarin e shquar islam të ymetit islam dhe kombit shqiptar, Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi. Me shumë pathos, ai ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë dhe përuljen para Krijuesit të gjithësisë për takimin e madh me Hirësinë e Tij.
Më pas pyetjet e emisionit janë drejtuar nga marrëdhëniet e Islamit me laicizmin dhe realitetin e këtyre raporteve në vendin tonë, ku Sytari nuk ka lënë pa përmendur faktin se: “ekstremizmi fetar në Evropë prodhoi laicizmin, sikurse i solli në dritë njerëzisë një fatkeqësi shumë të madhe, komunizmin!”.
Gjithashtu në këtë emision është folur edhe mbi tolerancën dhe bashkejetesën ndërfetare në vendin tonë, ku i ftuari nuk ka lënë pa përmendur faktin se realiteti i sotëm krijon favore të shumta për zhvillimin e mëtejshëm të frymës së bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare në mesin e shqiptarëve.
Pyetjes së gazetarit se si e sheh ai marrëdhënien e Bashkimit Evropian me vendet me shumicë muslimane, si Shqipëria, Bosnja, Turkia etj, ai i është përgjigjur: “Evropa i detyrohet shumë Islamit dhe muslimanëve! Politikanët e sotëm të Unionit Evropian duhet të jenë mirënjohës ndaj baballarëve të tyre që u edukuan, u qytetëruan dhe u përkundën në djepin e dijetarëve dhe qytetërimit islam!”
Gjatë emisionit është trajtuar edhe trashëgimia qytetare shkodrane në besimin islam, ku Sytari ka bërë thirrje që familjet e vjetra shkodrane mos ta harrojnë traditën e të parëve të tyre për të dërguar më të mirët e fëmijëve për studimin e shkencave islame, për të qenë më pas pjesë e elitës islame në këtë vend, si në të shkuarën, ku ka përmendur dijetarë të shquar të elitës islame në Shkodër e Shqipëri, bij të nderuar të dyerve të mëdha e të shquara qytetare të Shkodrës.
Një minutazh të rëndësishëm në këtë bashkëbisedim ka zënë edhe përvoja e marrë nga Imam Muhamed Sytari gjatë vizitës së tij në ShBA, gjatë muajit të Ramazanit. Në rrëfimin e tij për eksperiencën amerikane, Sytari është shprehur se shoqëria amerikane është e gatshme për ta pranuar Islamin si fe, gjë të cilën e ka dëshmuar me sytë e tij. Një pikë e rëndësishme e këtij rrëfimi ka qenë edhe qëndrimi i tij në mesin e shqiptarëve të komunitetit musliman shqiptaro-amerikan në Phoenix, ku ka përmendur me mirënjohje dhe respekt prijësin e saj Imam Didmar Faja dhe kontributin e tij të madh në këtë qendër islame.
Më pas biseda është përqendruar te xhamia e Tophanës. Nëpërmjet fakteve konkrete i ftuari ka rrëfyer për arritjet dhe aktivitetet e shumta të zhvilluara në këtë xhami të vjetër të qytetit tonë, sidomos gjatë 10 viteve të fundit, ku ai shërben si vaiz dhe hatib i saj.
Emisioni është mbyllur me urimet me rastin e Kurban Bajramit dhe ditëve festive në vijim të tij, për mbarë qytetarinë shkodrane dhe kombin shqiptar.


Ahmed Mahiri

  

KULT TvAN-24.11.2009
KULT TvAN-24.11.2009
KULT TvAN-24.11.2009