ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Hz. Omeri (r.a) ishte i pari që...

(U quajt “emirul-mu’minine”, që do të thotë: prijës i besimtarëve.) 

 Hz. Omeri (r.a) shquhet për drejtësinë e tij, korrektësinë, seriozitetin dhe angazhimin në respektimin e kufijve të fesë. Edhe kur profeti (a.s) ishte prezent me ta, edhe në kohën e Ebu Bekrit (r.a) dhe gjatë kalifatit të tij, Omeri ishte i gatshëm për të dhënë mendime e për të vepruar atë që ishte e drejtë dhe legjitime, në shërbim të fesë, drejtësisë dhe ruajtjes së harmonisë së njeriut me veten, shoqërinë dhe rregullat e shtetit. Janë të shumta inisiativat e tij për të vepruar sipas urtësisë dhe nevojës për më të mirën e lejuar. Ai është i pari që ndërmori shumë veprime, që jo vetëm i shërbyen Thirrjes Islame, por vërtetuan nevojën e përhershme që ka shoqëria islame për frymën e reformës e gjallërisë. Librat që flasin për jetën e tij rreshtojnë me dhjetra nga reformat e tij. Arsyetoj të mjaftohem me sa vijon:

1. Zgjeroi xhaminë e Resulull-llahit (a.s), pasi prishi ekzistuesen, duke futur brenda saj edhe shtëpinë e Abbasit (r.a).

2. Mori mbi supe gjykimin, me kërkesën e Ebu Bekrit (r.a), duke u bërë gjykatësi i parë në Islam. Ebu Bekri, kalifi i parë, e kërkoi këtë gjë prej tij, duke i thënë: “Gjyko në mes të njerëzve, sepse jam i zënë!”

3. U quajt “emirul-mu’minine”, që do të thotë: prijës i besimtarëve.

4. Dhuroi një tokë vakëf. Ibni Omeri (r.a) thotë: “Sadekaja e parë (vakëfi) në Islam është një tokë në Hajber e dhuruar nga Omer ibnul-Hattabi”.

5. Krijoi “bejtul-mal”, ndryshe “thesarin e shtetit”, gjë që nuk ekzistonte në kohëne Resulull-llahit (a.s), as në kohën e Ebu Bekrit (r.a).

6. Krijoi kalendarin islam (hixhri).

7. Mblodhi njerëzit pas një imami për namazin e teravisë, gjatë muajit Ramazan.[1] Etj.



Studioi: Imam Muhamed Sytari




[1] Naxhi dhe Ali Tantavi, “Akhbaru Omer”, botimi i 11- të, Xheddah, 1999, fq. 200-202.