Hytbeja e parë e Ramazanit 1430, në xhaminë e Tophanës
(Shkodër, më 21 gusht 2009)
E xhumaja e sotme, ishte njëkohësisht edhe dita e parë e
agjërimit të muajit Ramazan për këtë vit. Atmosfera e këtij
muaji e gjeti xhaminë e Tophanës të tejmbushur nga besimtarët e
shumtë që vinin për kryerjen e faljes së namazit të xhumasë, në
ditën e parë të muajit të Kur’anit.
Hytbeja dhe namazi i xhumasë, u paraprinë nga dersi i xhumasë,
mbajtur nga thirrësi islam Lavdrim Hamja.
Gjatë tij, ai nisi të shpjegonte dobitë dhe rregullat e
agjërimit të Ramazanit sipas medh’hebit hanefi, bazuar në librin
“Kushtet e Islamit”, të dijetarit Vehbi S. Gavoçi.
Ndërkohë, në hytben e parë të kësaj xhumaje, thirrësi islam
Muhamed Sytari ka tërhequr vëmendjen e të pranishëmve drejt
mirësive të shumta të këtij muaji, ndër të cilat ka përmendur:
“mundësinë që i jepet njeriut për t’u kthyer në origjinën e tij
hyjnore”.
“Mos të mendojë dikush se All-llahu ka nevojë për ndryshimin e
orareve të ushqimit e pijes tonë, aq më pak për urinë e etjen
tonë! Agjërimi i Ramazanit është një mundësi për t’u veçuar
secili me Zotin e tij, në rrugën e ndryshimeve të mëdha
shpirtërore dhe lartësimeve besimore”- ka thënë Sytari.
Gjatë hytbes së dytë ai ka ftuar të pranishmit për të dhënë
kontributet e tyre në shërbim të xhamisë së Tophanës, thirrje të
cilës ata i janë përgjigjur, si përherë, pozitivisht.
Gjithashtu, hatibi i kësaj xhamie, ka lajmëruar dhe ka ftuar të
pranishmit se pas namazit të iqindisë së çdo dite të këtij
Ramazani, në xhaminë e Tophanës do të organizohet Hatmeja
Sherife e Kur’anit, si një traditë e re e kësaj xhamie.
V. Mehmeti