ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Hytbeja e xhumasë në xhaminë e Tophanës

(Shkodër, më 5 dhjetor 2008) 

Thirresi islam, Muhamed Sytari“Dhjetë ditët e para të muajit dhul-hixhe, janë ditë të mbushura me fllade mëshironjëse, mirësi e begati hyjnore, për besimtarët që vrapojnë drejt tyre. E, në veçanti, dita e Arefatit, është zemra e kësaj orbite dhjetë ditore, për të cilën i dërguari i All-llahut na ka ftuar të shtojmë veprat dhe sjelljet tona të mira”- ka thënë në fillim të hytbes së parë të muajit dhjetor 2008, nga minberi i xhamisë së Tophanës, thirrësi islam Muhamed Sytari.

Hytbeja e kësaj xhumaje ka qenë e mbushur me ajete dhe hadithe të shumta, nëpërmjet të cilave, hatibi i Tophanës, ka vënë theksin mbi vlerën dhe dobinë e haxhit, ditës së Arefatit dhe mirësive të shumta që fitohen nga adhurimi i këtyre ditëve.

“Në transmetime të shumta është përmendur se dita e Arefatit është ditë faljeje, përgjigje për lutjet e besimtarëve dhe mundësi afrimi me Krijuesin e gjithësisë”- ka theksuar ndër të tjera Sytari.

Gjithashtu, ai ka ftuar besimtarët që të agjërojnë ditën e Arefatit, më 7 dhjetor 2008, si dhe ka lajmëruar organizimin e një aktiviteti fetar pas namazit të iqindisë së kësaj dite në xhaminë e Tophanës.