ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Hytbeja e xhumasë në xhaminë e Tophanës

(Shkodër, më 28 nëntor 2008) 

Nëpërmjet minberit të xhumasë, thirrësi islam Muhamed Sytari, ka folur sot mbi dobinë e 10 ditëve të para të muajit Dhul-hixhe, si një mundësi e re e afrimit dhe lidhjes me Krijuesin e gjithësisë.

“Sipas transmetimeve të ndryshme, puna e mirë në këto ditë është më e vlefshme se në çdo ditë tjetër. Ky fakt duhet të na nxisë për të shtuar leximin dhe kuptimin e Kur’anit, veprimin e bamirësive të ndryshme, pajtimin në mes të muslimanëve, forcimin e lidhjeve dhe marrëdhënieve ekonomike, kulturore, familjare në mes tonë etj.”- ka theksuar ndër të tjera hatibi i xhamisë Tophanë.

Gjithashtu, ai ka komentuar edhe pesë ajetet e para të sures “El-Fexhr”, në të cilat përmenden e dhjetë netët e begata të këtij muaji, “i cili na lidh me historinë e hz. Ibrahimit (a.s) dhe trashëgimtarit të tij, hz. Ismailit (a.s), me udhëtimin e haxhilerëve drejt vendeve të shenjta islame, me vetë historinë e lidhjes së njeriut me Zotin e tij”- ka vazhduar Sytari në hytben e tij.

Në hytben e dytë, ai i ka përcjellur xhematit të kësaj xhamie selamet dhe përshëndetjet e ngrohta të dijetarit të madh shkodran, Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi, me të cilin kishte fatin e mirë të takohej para pak ditësh gjatë vizitës së tij në Damask të Sirisë.