Hytbeja e xhumasë në xhaminë e Tophanës
(Shkodër,
më 8 maj 2009 )
Për të pestën xhuma me radhë, hatibi i xhamisë Tophanë, Muhamed
Sytari ka vazhduar të flasë mbi veçoritë me të cilat Zoti
Fuqiplotë e ka dalluar hz. Muhammedin (a.s) nga të gjithë të
dërguarit e tjerë.
Në hytben e tij, ai është ndalur edhe në komentimin e
propagandës antiislame të ditëve të fundit kundër hixhabit të
muslimaneve të reja.
“Këmbanat e taborrave të Iblisit në Shqipërinë tonë, në ditët e
fundit, bien kundër hixhabit tuaj, motra të nderuara. Por, ju
duhet të jeni kryelarta në shoqërinë ku jetoni! Të jeni krenare
që mbani hixhabin e nënës tuaj Hatixhe, vajzave të Resulull-llahit
(a.s), grave të sahabëve, grave të ditura e të përkushtuara të
historisë së njerëzimit! Ata, përpiqen dita-ditës, por të jeni
të bindur se asgjë nuk mund ta ndalojë dot vullnetin e Zotit;
lulëzimin e Islamit në këtë vend! Të shumta përpjekjet për
ta fshirë identitetin islam të shqiptarëve, por më kot,
përpjekje të dështuara!”- ka thënë ndër të tjera Sytari në
hytben e tij.
Në vijim të htybes së tij, Sytari ka përmendur se ndër veçoritë
me të cilat Zoti e ka veçuar profetin Muhammed (a.s) është se
kushdo që bie një herë salavat përmbi të, Zoti bie dhjetë herë
salavatë për atë person. Dhe ka vijuar: “Aty ku njerëzit bien
salavat në vijimësi mbi pejgamberin (a.s), është garancia e All-llahut
për mirëqenien dhe paqen e tyre! Aty ku njerëzit bien salavat në
vijimësi mbi zotërinë e bijve të Ademit, nuk mund të ketë
fatkeqësi si ato që dëgjojmë dhe lexojmë se ndodhin edhe në
vendet më të zhvilluara të botës, zjarre, katastrofa natyrore,
tufane etj! Edukoni fëmijët tuaj me salavatin mbi Resulull-llahin
(a.s)! Edukoni familjet tuaja me përmendjen e emrit të Resulull-llahit
(a.s)!”- ka vijuar ai.
V. Mehmeti