Muhamed Sytari
thirrës islam
Hoxhallarëve të rinj në vendin tim...
(Këto janë me të vërtetë shenja përgëzuese për vendin tonë)
Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi

Na erdhi
dhurata e Zotit (xh.xh), kur na solli lirinë fetare rishtazi,
pas kaq shumë vitesh. Që atë ditë e deri sot, edhe në të
ardhmen, feja po përhapet me mënyra të ndryshme, qoftë me anë të
logjikës dhe të besimit, apo me anën e dashurisë për fenë, qoftë
me anë të medias dhe informacionit, me anën e shkencës dhe të
dijes, apo me anë të studentëve, që po lënë vendet e tyre për të
mësuar fenë islame, në shkolla të ndryshme të botës islame, si
në: "Ez'her" të Kajros, në Universitetin "Ebu Nur" të Damaskut,
në Ajn të Emirateve, në Tripoli të Libisë, në "Xhamial- islamije"
të Medines së ndriçuar, në Malejzi, Turki etj, krejt si bletët,
që shpërndahen në lule të ndryshme, për të thithur nektarin, që
më vonë do të kthehet në mjaltë.
E pamë fenë tonë të përhapej ndër njerëz edhe nga hoxhallarët e
vjetër që e ruajtën atë me anë të dijes, në kohët më të egra për
këtë vend, edhe nga rinia, që po mëson dhe po zbaton çdo ditë e
më shumë fenë, me falje të namazit, agjërim të Ramazanit, dhënie
të zekatit, shkuarje në haxh, etj. Edhe miqtë arabë që erdhën
për të na ndihmuar shpirtërisht dhe materialisht kanë rolin e
tyre në këtë proces.
Sa bukur është sot, kur del në rrugë dhe të sheh syri vajza të
reja që kanë mbuluar krejt trupin dhe po ruhen, së bashku me
vëllazërinë e tyre, nga rruga e shtrembëruar dhe devijimi moral
e intelektual.
Sa bukur është sot, kur të shohin sytë disa djem të rinj, të
cilëve u shndrit fytyra, shpesh herë e zbukuruar me një mjekër
të lehtë, nga besimi në zemra.
Këto janë me të vërtetë shenja përgëzuese për vendin tonë, kur
mendojmë se si kemi qenë para dhjetë-pesëmbëdhjetë vjetëve e më
përpara dhe si jemi sot dhe shpresojmë që të zgjerohet,
zbukurohet dhe të zmadhohet pamja e vendit tonë, me bijtë e tij,
meshkuj e femra, me të rinj dhe të moçëm.
Sot në Shqipëri, kemi disa shkolla fetare (medrese), me mësim të
përgjithshëm dhe fetar. Kemi jashtë shtetit më tepër se dyqind
djem dhe vajza, të cilët po studiojnë dhe po thellohen në
shkencat e fesë tonë.
Këta, së bashku me prindërit e tyre kanë preferuar vazhdimin e
studimeve fetare nga ato jofetare (por jo antifetare ),
megjithëse këto të fundit sjellin fitime materiale shumë herë më
tepër se ato fetare, mirëpo dashuria për fenë dhe dëshira për ta
mësuar atë, është më e fortë për të fituar me të edhe pëlqimin e
Zotit (xh.xh).
Të gjithë ne presim që këta studentë të kthehen, siç presin dhe
prindërit e tyre, të afërmit dhe besimtarët.
E presim kthimin e tyre, të diplomuar, me sjellje të çmuara, me
zemra të mbushura me kurajo për të ringjallur këtë vend me një
jetë shembullore, plot shpirt feje dhe dije fisnike.
I presim të bashkëpunojnë për hir të mësimit të kësaj feje
popullit, me dashuri për njëri- tjetrin dhe plot mirësjellje,
pasi Profeti (a.s) ka thënë: "Nuk
jam dërguar, veçse për të plotësuar mirësjelljen".
[1]
Këta studentë kanë mësuar në vende të ndryshme islame, ku në
disa zbatohet feja
në mënyrë private apo shoqërore, më tepër se në disa vende të
tjera.
Në disa vende nuk kërkohet nga studentët të lëshojnë mjekra, të
veshin gelabije[2],
në vend të pantallonave, të mbulojnë kokën me takije (fes),
njëkohë që në disa vende të tjera e kërkojnë atë sjellje.
Disa studentë jetojnë në vende ku është përhapur civilizimi i
huaj më tepër se diku tjetër dhe shoqërohen me femra në bankat e
shkollës, shohin e dëgjojnë gjëra që mund të ndikojnë
negativisht në fenë e tyre.
Disa studentë studiojnë në vende ku mësohet dhe aplikohet
medh'hebi hanefi, që është edhe medh'hebi popullor, në Shqipëri.
Disa të tjerë, në vende ku mësohet medh'hebi shafii, si në
Damask në Universitetin "Ebu Nur", në shkollën e mesme "Furkan"
etj. Disa të tjerë, në vende ku mësohet medh'hebi maliki, si në
Tunizi, Libi, etj. Disa të tjerë mësojnë ibadetet në medh'hebin
hanbeli, si ata që studiojnë në Rijad, Mekke dhe në Medinen e
ndriçuar, në Arabinë Saudite.
Mirëpo, disa prej tyre, përkatësisht në Medinen e ndriçuar, i
mësojnë ibadetet pa u bazuar në ndonjë medh'heb, pasi librat në
të cilët mësojnë përmendin më se një medh'heb dhe studenti, me
dëshirën apo vërejtjet e mësuesve, e mëson fenë në atë mënyrë pa
u lidhur me ndonjë medh'heb të caktuar.
Këtu ndodh që studenti të pësojë ndryshime në fazat e zhvillimit
të mendjes, pasi këta studentë që kanë dalë për studime jashtë
vendit të tyre, ndoshta nuk kanë pasur ndonjë shtrat mësimesh
fetare në vendin e tyre, ose kanë pasur fare pak njohuri.
Por, kur ata kthehen në vendin e tyre fillojnë t’u mësojnë
njerëzve çfarë kanë mësuar vetë, veçanërisht ibadetet që duhen
zbatuar.
E shumta e studentëve që kthehen nga studimet mendojnë se vetëm
ajo çfarë ata sjellin është e sakta, ndërsa mendimet e tjera nuk
janë të tilla, pa menduar se dijetarët e parë, edhe në vendin
tonë, kanë lexuar edhe ata shumë mirë ajetet dhe hadithet,
megjithatë kanë qenë në një drejtim, p.sh. hanefi, në bazë të
kuptimit të fjalës së hadithit, kuptimit të ajetit, të
mbështetur edhe në fjalët dhe mendimet e dijetarëve që në kohën
e sahabëve e prapa, duke ditur edhe kundërshtimet e sahabëve në
mesele të caktuara, si p.sh. a këndohet në falje prapa imamit,
apo jo, gjëra, të cilat i shohin nëpër librat, që përmendin
kundërshtimet e dijetarëve në çështje të caktuara… Mirëpo këta,
me pak pasuri në dije kundërshtojnë "malet" në dije… dmth. u
mungon largpamësia.
Disa të tjerë kthehen duke përbuzur medh'hebet e të tjerëve,
duke folur me egërsi dhe duke harruar nderimin dhe respektimin e
vëllezërve të tyre dhe mendimeve që ata kanë. Këta do të lodhen
nesër dhe vendi do të lodhet me ta.
Kurse të tjerë, kthehen me mendime e vendime të reja. Ata e
konsiderojnë veten si një tavolinë të madhe, të mbushur me
mendime dhe vendime të ndryshme, në bazë të asaj çka ata
zgjedhin, e çka ju pëlqen, e me to pastaj japin vendime të lloj-llojshme
për jetën e re, që nuk bazohen në fe dhe në kërkesat e saj.
Më e rënda është kur studentë të veçantë sjellin mendime nga
sekte që nuk përputhen me katër medh'hebet e njohura, që burojnë
nga sekti kadjani e ai shiit.
Këta do të mundohen më shumë se të tjerët, pasi do të përpiqen
shumë për të përhapur mendimet e tyre, herë me dhurata, herë me
vizita, ose me libra që përmbajnë shpifje dhe gënjeshtra kundër
sahabëve të parë dhe akuzime të ndryshme të regjistruara jashtë
fakteve të shëndosha e të pëlqyeshme.
Sa e vështirë është kur një djalë i ri na kthehet me një besim
të ndryshëm dhe të gabuar nga ai i yni, si kadjan p.sh, që nuk
njeh Profetin tonë (a.s) për profet dhe beson se Islami pëson
ndryshime, ose kur na kthehen shiitë, duke na folur me fjalë të
ulëta kundër sahabëve të mëdhenj si: Ebu Bekri (r.a), Omeri (r.a),
Osmani (r.a) e për shumë sahabë të ndershëm, që vetë Profeti
(a.s) i ka lavdëruar me gojën e tij.
Ose, kur përhapin se Hz.Aliu (r.a) e ka merituar khalifatin para
të tjerëve e shumë shpifje të tjera, duke përdorur gjithmonë
fjalët e bukura e tërheqëse, në mënyrë që populli të rrëshqasë
nga besimi i vërtetë e nga dijet e sakta, që i ka trashëguar nga
hoxhët e vendit dhe ata të botës islame.
Këto janë, për mendimin tim, shkaqe, të cilat lutem të mos
nxjerrin ngatërresa, për disa persona, në rrugën e tyre të
rikthimit në fe, mbas një hije të gjatë, të rëndë e të frikshme
që kaloi vendi ynë, gjatë periudhës 1967-1990, në kohën e
regjimit komunist.
[1]
Transmetuar nga Bukhariu në "El Edeb", Hakimi dhe
Bejhakiu nga Ebu Hurejra (r.a).
[2]
Një lloj veshje për meshkujt, si tip havre e gjatë.