ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Horoskopi…

(Shkodër, më 22 janar 2010) 

U bë e zakonshme që të hapësh televizionin apo të lexosh organet e ndryshme mediatike të shkruara, në ditët e sotme e të dëgjosh për horoskopin.
Ndër të rinj "sëmundja e horoskopit" ndihet më shumë, por edhe gratë "e papuna" dhe "të qytetëruara" e “bashkëkohore”, mezi presin që të dëgjojnë se si do t'u shkojë dita e re!
Nuk është e habitshme që të pyetesh sot: Çfarë shenje ke, e cili është planeti yt i fatit?
Po sa ndikojnë këto bestytni në jetën reale të njeriut?
Nga këndvështrimi islam: Asgjë! Muslimani beson në atë se: "All- llahu - s'ka Zot pos Tij. I Gjalli, Vigjiluesi. Nuk e ze të koturit, e as gjumi. E Tija është ç'ka në qiej dhe ç'ka në tokë. Kush mund të ndërmjetësojë te Ai, pos me lejën e Tij? Ai e di se ç'po u ndodhë dhe ç'do t'u ndodhë. Dhe asgjë nga dija e Tij nuk mund të përvetësojnë, pos sa të dojë Ai. Ndërsa pushteti i Tij përfshin qiejt dhe tokën. E nuk lodhet duke i ruajtur (mirëmbajtur), ngase Ai është i Larti, Madhështori".[1]
Sepse muslimani nuk është njeri i parashikimeve yjore dhe i mendimeve astrologjike.
Pasi ajeti kur'anor: "Thuaj: “Neve nuk na godet asgjë tjetër, përveç çka na është caktuar nga All- llahu"[2], është një ligj i palëkundshëm në këtë univers, e besimtari nuk ndikohet nga bestytnitë e risitë e fatit.

Tjetër…

Shpeshherë dëgjoj se në filan vend, filan "hoxhë" nxjerr fall me Kur'an.
Kur sqarohem edhe më tepër për këtë, mësoj se një çelës i lidhur me një fije peri a spangoje lidhet për Kur'an, pastaj rrotullohet e sipas lëvizjeve të tija, djathtas- majtas, jepet edhe vendimi për atë punë a çështje.
Nuk e di se nga cili burim dije e kanë mësuar këta "hoxhallarë" këtë stil të tallurit me fjalën e Zotit (xh.sh), por do t'i kisha këshilluar nëpërmjet këtij shkrimi që të heqin dorë sa më parë nga kjo bastardhi dhe të pendohen për veprën e bërë!
Veprimi i tyre, u ngjason veprimit të beduinëve të Saharasë, të cilët kur donin të nisnin një punë, vinin përpara zogjve dhe i gjuanin me gurë. Nëse ata fluturonin djathtas, puna ishte e bekuar, e nëse shkonte majtas, ishte e pabegatë.
Mirëpo, Profeti (a.s) e ndaloi këtë lloj veprimi, e këtë bestytni shumë të ulët.
Kur'ani është libri i All-llahut dhe ka zbritur që t'i udhëzojë njerëzit drejt fisnikërive dhe të zgjidhë problemet e tyre me mësimet e tija universale, por jo të jetë objekt i falleve e i lojrave të tilla, që Vetë Zoti i ka ndaluar në atë libër!
Kur ta paraqesim Kur'anin ashtu siç është; libër i dijes e i besimit, atëherë njerëzit do të dashurohen pas tij dhe do të kuptojnë nevojën e tyre për të.
E nëse tallemi me të, duke u tallur edhe me fenë tonë njëkohësisht, atëherë le ta meritojmë premtimin e All-llahut: "Ata që fenë e tyre e morën tallje e lojë dhe të cilët i mashtroi jeta e dynjas. Sot, pra, Ne i harrojmë ata sikurse e patën harruar takimin e kësaj dite të tyre dhe, sikurse i refuzonin argumentet Tona! ".[3]           
Këta që thërrasin e bërtasin në emër të Kur'anit, duke u tallur me të me falle e leximi parashikimi, t'i frikësohen Zotit të tyre e të luten që të mos jenë prej atyre që Profeti (a.s) shumë kohë më parë i lutej Zotit të tij, prej mërzisë së tyre: "O Zoti im, vërtet, populli im e konsideroi këtë Kur'an si (diç) të hedhur!".[4]        
Dëgjimi i parashikimeve astrologjike dhe besimi i tyre,  shkuarja ndër njerëz që tallen me ligjet e Zotit, që abuzojnë me librin e Tij, që mashtrojnë me fallet dhe parashikimet e tyre për pak të holla, është shenjë e dobësisë së besimit njerëzor dhe e paditurisë njëkohësisht.
Forcimi i besimit me bindje e përkushtim, për të jetuar më pas nën hijen e tij të lumtur, kërkimi për dijen e vlefshme sot në kohën e informacionit, njerëzve me dije dhe librave të shumtë, do t'u vlente më tepër këtyre njerëzve dhe do t'u mjaftonte!
Ndërsa "pelegrinëve" që shkojnë drejt tyre, kthimi në besimin e përcaktimit të Zotit (xh.sh) dhe të jetuarit nën hijen e tij, do t'u vlente më tepër për të bërë një jetë të natyrshme; me gëzimet e hidhërimet e saj!

Imam Muhamed Sytari

[1] Kur'ani: 2:255.
[2] Kur'ani: 9:51.
[3] Kur'ani: 7:51.
[4] Kur'ani: 25:30.