ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Hafiz Halili- familja e Kur’anit...

(Shkodër, më 05 prill 2009)

   Në shënimet e ndryshme për lagjen e Tophanës, përmenden edhe “shtëpitë e mëdha” të saj, shtëpitë më të vjetra që në tërësinë e tyre krijojnë imazhin e një lagjeje, një qyteti. Studiuesi Hamdi Bushati përmend shtëpitë e Çelejve, Dizdarëve, Kadiejve, Haxhi Muratejt, Hush Krajës, Xhabiejve, Beroviqëve etj.

   E, ndër banorët e vjetër të kësaj lagjeje, janë edhe dera e Hafiz Halilit. Historia e kësaj familjeje dhe lidhjes së tyre me shërbimet ndaj fesë islame është shumë interesante, do të thoja unikale në llojin e saj dhe specifikën e trashëgimisë së përkushtimit në shërbimet fetare, brez pas brezi. Më pas, trashëgimtarët e Hafiz Halilit, janë shpërngulur në Tiranë që nga viti 1999. Në gushtin e këtij viti (2008) edhe shtëpia e vjetër e kësaj familje është shitur.

   Shënimet e më të vjetërve dëshmojnë se: “Nga banorët e vjetër të lagjes Tophanë asht për me u shënue shtëpia e Hafiz Halilit të moçëm... Halili, i cili ma vonë u bë hafiz, ishte nga rrethi i ahengçijve të vezir Mustafa Pashë Bushatit. Ky vezir kishte sjellë një hoxhë nga Egjypti, i njohun në popullin e Shkodrës me llagepin Hafiz Çollaku. Kur e ndigjoi Halilin, i bani përshtypje shumë të mirë. Hafiz Çollaku, meqenëse ishte “kurra”, dmth i specializuem me metoden ritmike të të kënduemit të Kur’anit, dinte t’i dallonte mirë zanet e bukura dhe ata që kishin talent për meloditë Kur’anore. Kështu e thirri Halilin dhe e këshilloi që të hiqte dorë nga ahengjet. Halili ma në fund u bind e kështu nisi të mësojë Kur’anin përmendësh. Vetëm kujtesa e fortë e një moshe së re, mund t’ia delte këtij qëllimi. Dukej se një vullnet i pathyeshëm e bani Halilin të arrijë të bahej hafiz. Kështu edhe djali i Halilit, Saloja, ndoqi baben e vet në atë degë dhe i thanë Salo Hafizi. Ky qe emnue imam i Xhamisë së Tophanës. Saloja la prapa dy djelm: Halilin dhe Salihin, të cilët të dy u banë hafiza. Halili zëvendësoi babën e tij si imam i asaj xhamie, kurse Salihi ishte mezin i Xhamisë së Tophanës. Hafiz Halili, detyrën e imamllekut e mbajti gjithnjë, ndërsa në vitin 28.1.1950 emnohet dhe kryemyfti i zonës së Shkodrës, ku qendroi deri në vitin 1958 që vdiq.”[1]

  

Nga shënimet e mësipërme del qartë lidhja e kësaj familjeje me hifzin (mësimin përmendësh) e Kur’anit, ku kemi një trashëgimi të shëndoshë Hafizësh, nga Hafiz Halil Tophana, i biri Hafiz Saloja, dy trashëgimtarët e tij Hafiz Halili II dhe Hafiz Salihi.

   All-llahu i Madhëruar i pastë në mëshirën e Tij dhe e lartësoftë përmendjen e shembullit të tyre, brez pas brezi! Amin!

   Duke folur për Hafiz Halil Tophanën e moçëm, shkrime të shumta rreth personalitetit të tij vijnë e kryqëzohen para duarve të këtij punimi, duke demonstruar në veten e tyre, mungesë korrektësie në transmetimin e faktit shkencor dhe mungesë etike në trajtimin e personalitetit të një Hafizi, aq më tepër kur bëhet fjalë për hafizët e para dy apo tre shekujve më parë, si imami i vjetër i xhamisë Tophanë!

   “Më gjatë se të gjithë pjesëtarët e këtij grupi jetoi Halil Tophana (1793-1878). Kishte një zë të ëmbël e shumë melodioz, zë të fortë tenori... Kur arriti në moshë të thyer e la ahengun. U bë hoxhë. Mjaft u kishte shërbyer njerëzve nëpërmjet këngës. Tashti donte t’i ndihmonte me fjalën e Zotit”[2]- është pasazhi i parë i shkrimeve mbi këtë

 

“transformim” paradoksal, të cilin e gjykoj të pasaktë dhe në kundërshtim me faktet e hershme në lidhje me mënyrën e lidhjes së Halil Tophanës me mësimet e fesë islame dhe përkushtimit në to, të lartpërmendura, si dhe me vetë natyrën e ndjekjes së rrugës për t’u bërë hoxhë që është e lidhur ngushtë me moshën e re! Sa stonueshëm tingëllojnë këto dy fragmente: “Kur arriti në moshë të thyer e la ahengun. U bë hoxhë.” dhe: “Mjaft u kishte shërbyer njerëzve nëpërmjet këngës. Tashti donte t’i ndihmonte me fjalën e Zotit”!?

   “Dhe sapo hynte në oborr apo në dhomë, të gjithë lëviznin. Dikush për t’i liruar vendin ndërsa ahengxhinjtë se duhej kënduar më mirë. Por si të bëhej që ta fusnin në aheng?

   Ata që këndonin shiheshin me një lloj buzëqeshjeje. I luanin syrin njëri-tjetrit dhe fillonin të këndonin. Po përse kështu? Kjo këngë e njohur nuk këndohej në këtë mënyrë!

   Halil Tophanën nuk e zinte vendi...

   Hiqte çallmën me njëfarë nervozizmi, çvishte xhyben e hoxhës me shpejtësi dhe me një zë që mbushte gjithë mjedisin, thërriste që ta dëgjonin të gjithë:

   - Nuk këndohet kështu!”[3]- është pasazhi i dytë, që në njëfarë mënyre e denigron

 

imazhin dhe figurën e një hoxhe serioz, një Hafiz Kur’ani, besnik në shërbim të mësimeve të Librit të Zotit, i cili asesi nuk mund të përfytyrohet duke hequr çallmën me nervozizëm e duke zhveshur me shpejtësi xhyben e tij për të korrigjur këngën e ca ahengxhinjve!?

   Sidoqoftë, as pluhuri i harresës, as thashethemet paragjykuese, as transformimet provinciale e jokorrekte, nuk mund ta zbehin dot paraqitjen madhështore të kësaj familjeje të lidhur brez pas brezi me dritën e Kur’anit, mesazhet e tij qytetëruese dhe privilegjin e të qenurit Thirrës drejt mirësive dhe begative të tij!

 

Nga libri: “Rrugëtime të një hatibi”, të thirrësit islam Muhamed Sytari

Shkodër, mars, 2009



[1] Hamdi Bushati, vep. e cit., fq. 71-72.

[2] Isa Alibali, “Në Shkodër të gjithë këndojnë”, Shkodër, 1997, fq. 23-24.

[3] Po aty, fq. 24.