Muhamed Sytari
thirrës islam
Hafiz Qamil Tresi- tetovari që lidhi emrin e tij me Shkodrën
(tHafizi
kishte shoqëri të mirë me hoxhallarët e Shkodrës )

Hafiz Qamil Tresi u lind në Tetovë, më 06.12.1922.
I biri i Abdylgafarrit dhe i Hamidijes. Babai i tij ishte Hafiz
i Kur'anit[1],
prej ku mori edhe nxitjen e parë për të vazhduar rrugën e gjatë
drejt thellimit në mësimet e fesë Islame, duke filluar në
prehrin e të atit, duke vijuar në medresenë e Sarajevës e duke
përfunduar në rrethet e hoxhallarëve të Shkodrës, ku edhe
përsosi formimin e tij si prijës fetar dhe filloi rrugën e gjatë
të udhëzimit të njerëzve dhe thirrjen e tyre në Islam, deri në
momentet e fundit të jetës së tij.
Pasardhësit
e fisit të tij jetojnë edhe sot në Tetovë, pranë Xhamisë së
Larme.
Gjuha amtare
e familjes së tij ka qenë turqishtja.[2]
Për Hafiz Qamil Tresin, thuhet se ka njohur shumë mirë edhe
serbishten[3],
arabishten, osmanishten dhe shqipen, të cilën e ka perfeksionuar
pas ardhjes në Shkodër.[4]
Studimet
teologjike islame i fillon në Sarajevë (ku
kryen edhe hivzin e Kur'anit), por nuk arrin t'i plotësojë
për shkaqe lufte[5].
I riu Qamil
Tresi "erdhi në Shqipëri në vitin 1945 pa e mbaruar medresenë në
Sarajevë"[6].
Në Shkodër, vazhdon të marrë mësime fetare në rrethin e gjerë të
Myderrizit[7]
të shquar të këtij qyteti, H. Muhamed Bekteshi[8],
të cilin e përmendte si mësuesin e tij, sipas bisedës me
familjarët e Hafizit në Shkodër.
Me gjatësi
mesatare, i pashëm dhe me trup të lidhur, me një mjekër të vogël
e të hijshme, kryesisht me mustaqe të holla dhe çallmën me fes
të zi.
Pas mbylljes
së lirisë së besimit dhe praktikimit të tij, mbante një fes të
zi tradicional, të cilin s'e hiqte asnjëherë nga koka, siç thonë
njerëzit e tij të afërm.
"Në fillim,
nga Myftinia Shkodër u emërua Imam në xhaminë Plakë, ku qëndroi
pesë vjet dhe pastaj, me kërkesën e disa besimtarëve të Bërdicës,
ai shkoi në Bërdicë..."[9],
ku dha një kontribut të vyer në mësimin dhe edukimin e banorëve
të asaj zone me moralin dhe edukatën e besimit islam[10].
Hafiz
Qamili do të shërbente për vite me radhë në xhami të ndryshme të
qytetit e të fshatit, deri sa do të vinte një ditë dhe stacioni
i tij i fundit, në rrugën e gjatë të drejtimit të xhemateve dhe
mësimit të tyre, do të ishte xhamia e lagjes "Ndocej". "Në
xhaminë e lagjes "Ndocej" shërbeu afro 7 vjet, deri në vitin
1967"[11],
kur dhuna e femohimit goditi institucionet islame dhe xhamitë e
shumta të vendit tonë dhe erërat e terrorit të kuq antiislam, do
të frynin furishëm mbi realitetin shqiptar, për ta tharë e për
ta ngrirë atë, për ta tjetërsuar e për ta nxjerrë feje e
besimi...
Hafiz Qamil
Tresi konsiderohet si
Imami i fundit i xhamisë së kësaj lagjeje.
Gjatë jetës
së tij, ai ka arritur të krijojë një bibliotekë të pasur, me
libra të shumtë e në shumë gjuhë, siç do të evidentohet më
poshtë. Akoma edhe sot, pjesa dërrmuese e saj vazhdon të ruhet
"me fanatizëm" dhe seriozitet nga familjarët e tij, siç pohojnë
ata.
Gjatë kohës
së diktaturës, biblioteka është ruajtur në shtëpi, në një raft
të blerë kinse për ato libra, siç tregon njëri prej bijve të
Hafizit, ndërsa pjesë të tjera të saj janë shpërndarë nëpër
njerëz të besueshëm të familjes, brenda dhe jashtë qytetit.
Hafiz Qamil
Tresi është martuar dy herë gjatë jetës së tij. Martesa e parë,
për arsye objektive, kryesisht shëndetësore, përfundon shpejt.
Martohet për herë të dytë në vitin 1960. Nga kjo martesë, ka
patur shtatë fëmijë, nga të cilët gjashtë jetojnë edhe sot.
Duke
hulumtuar në emërtimet e fëmijëve të tij, vihet re se emrat e
tyre janë kryesisht me prejardhje nga gjuha arabe (gjuha e
Kur'anit) dhe me kuptime të bukura e fetarë, si:
Muhamed-
I lavdëruar,
Mevahib-
Dhunti të shumta,
Taxhudin-
Taxh i fesë,
Vildan- Shumësi i
fjalës fëmijë, djalë
(me prejardhje kur'anore), etj., ç'ka vërteton interesimin e tij
për një edukim sa më të mirë e sa më të pastër islam të
pasardhësve të tij, duke filluar që me gjetjen e një emri me
kuptim e me burim, sikurse është transmetuar të ketë porositur[12]
Profeti Muhammed (a.s).
Duke
përmendur marrëdhëniet e tij me hoxhallarët e Shkodrës, gruaja e
tij kujton: "Kur u martova me Hafizin, na erdhi për shyqyr edhe
Hafiz Sabri begu (Bushati),
se Hafizi kishte shoqëri të mirë me hoxhallarët e Shkodrës.
Kishte shoqëri dhe miqësi edhe me Hafiz Sheuqet Boriçin, Hafiz
Musa Dërgutin[13],
etj., me të cilët këmbente edhe vizita të shumta".
Nga monografia e thirrësit islam Muhamed Sytari:
“Hafiz
Qamil Tresi- në gjurmët e një biblioteke që sfidon heshtjen e
kohës”,
Shkodër, 2006.
[1]
Për këtë dëshmon edhe studimi i Dr. Feti Mehdiut, "Hafizët
tanë gjatë historisë-V", ku në listën e Myftinisë së
Tetovës përmendet edhe H. Abdulgafarri, pa ndonjë të
dhënë tjetër. Shih: Dr. Feti Mehdiu, "Hafizët tanë gjatë
historisë-V", në revistën "Edukata Islame", viti XXXIV,
nr. 75, Prishtinë, 2004, fq. 285.
[2]
Për këtë, i biri i Hafizit, Taxhudini thotë: "Shpesh
baba thoshte se ne jemi turqeli Tetove. Madje halla e
jonë, që akom rron në Tetovë, e flet shqipen me shumë
vështirësi".
[3]
Këtë fakt e ka shënuar edhe Smajl Bala në librin e tij
"Institucionet islame dhe hoxhallarët e Shkodrës", në
faqet 554-555, ku flet për H. Qamil Tresin.
[4]
Në shënimet e shumta të Hafiz Qamil Tresit, janë gjetur
edhe gjurmë të mësimit nga ana e tij të gjuhës gjermane,
si zgjedhimi i disa foljeve, përkthimi në serbisht i
disa shprehjeve të përditshme gjermane, etj. Në
bibliotekën e tij ekziston edhe një ilmihal në gjuhën
serbe e osmane, me shkronja të familjes arabe, një
metodologji për mësimin e gjuhës frënge, një metodologji
për mësimin e gjuhës perse, etj. Të gjitha këto fakte
kthehen në elemente që formojnë portretin e një
poligloti.
[5]
Të afërmit e Hafizit në Shkodër tregojnë se bëhet fjalë
për luftën apo masakrën e Tivarit të vitit 1945, ku mesa
duket edhe i riu Qamil Tresi (Abdyli) bënte pjesë në atë
grup shqiptarësh, kryesisht nga trevat kosovare, që më
pas u masakruan barbarisht nga ushtarët sërbo-malazezë.
(Për këtë ngjarje shkruhet se me 2 prill të viti 1945,
në Tivar, 3760 shqiptarë u vranë, u masakruan dhe u
dogjën të gjallë nga xhelatët sërbo-malazezë. Për më
shumë rreth kësaj tragjedie kombëtare shih: Azem Ajdini,
"Masakra e Tivarit", Sh.B. "Besa", redaktoi Luan Xhafa,
gusht 1998).
Ata pohojnë se ndërsa grupi po kalonte në Shkodër, djali
i ri (Qamil Tresi) ishte futur tinëz në një dyqan për të
pirë ujë dhe aty, i zoti, një tregtar shkodran i quajtur
Shyqyri Behri, e kishte strehuar për disa ditë derisa
jeta e tij nuk ishte më në rrezik. Familjarët e Hafizit
në Shkodër, vazhdojnë ta përmendin me shumë respekt
emrin e tregtarit që u bë shkak për strehimin e të
dashurit të tyre dhe shpëtimin e jetës së tij!
[6]
Muamer Vuci, "Hafiz Qamili sakrifikoi për Islamin", në
gazetën "Drita Islame", viti i III- të, nr. 16 (59),
nëntor 1994, fq. 3.
[7]
Myderriz, nga arabishtja:
muderrisun,
"është një emër foljor i rrjedhur nga folja në gjuhën
arabe "tedris",
që do të thotë "jap
mësim". Sipas kësaj,
muderisi
është dikush që jep mësim në medrese. Qysh në vitet e
para të Islamit është ndjerë nevoja për një mësues (muderris)
dhe është gjykuar si i mangët e nuk është parë me sy
të mirë studimi autodidakt"- Shih: Prof.dr. Ziya
Kazici, "Historia e arsimit islam", Tiranë, 2001, fq.
44.
[8]
H. Muhamed
Bekteshi- (1883-1958): "Në radhën e njerëzve të
shkolluar të këtij fisi (Bekteshët-
shënim imi. M.S.) dallohet Haxhi H. Muhameti (viti
1883-1958), i cili qe një ndër ylematë e qytetit dhe
udhëheqës i Tarikatit Tixhani."- Hamdi Bushati, "Shkodra
dhe motet", vëll. i II- të, fq. 141.
Në
një bisedë me z. Hilmi Qazim Hoxha, duke folur për të
atin dhe marrëdhëniet e tij me H. Muhamed Bekteshin, më
tha: "Baba, ka qenë nxënës i Haxhi Muhamedit në Sheriat,
murid i Sheh Shaban Domnorit në Tarikatin Tixhani. Më
pas, Haxhi Muhamedi u bë murid i babës. Kur takoheshin,
baba ia puthte dorën duke thënë: "Hoxha im", ndërsa
Haxhi Muhamedi ia puthte dorën babës duke thënë: "Shehu
im".
Po
sipas H. Bushatit, H. Muhamed Bekteshi përmendet
gjithashtu edhe si njëri ndër 41 myderrizët e Shkodrës,
të autorizuar me të drejtë mësimi ndër medrese a
privatisht. Lista e këtyre 41 myderrizëve fillon me
Myrteza ef. Shoshin (myderriz dhe myfti: 1757-1777) dhe
mbaron me Hafiz Ali Tarin.- Shih: Hamdi Bushati,
"Shkodra dhe motet", vëll. i I- rë (botim i dytë i
rishikuar, Shkodër, 2005), fq. 481.
[9]
Muamer Vuci, "Hafiz Qamili sakrifikoi për Islamin", në
gazetën "Drita Islame", viti i III- të, nr. 16 (59),
nëntor 1994, fq. 3.
[10]
Në arkivin e H. Qamil Tresit kam gjetur edhe shënime të
shumta, që vërtetojnë angazhimin e tij serioz në xhaminë
e fshatit Bërdicë. Ekzistojnë akoma listat me emrat e
kontribuesve për mirëqenien e Imamit, akte martese të
shkruara e të celebruara nga ai, etj. Ruajtja e tyre
deri në këto ditë i jep atyre vlera historike, prej të
cilave nxirren konkluzione për mënyrën e funksionimit të
punës së Imamit në fshat dhe raporteve të tij me
besimtarët.
[11]
Smajl Bala, "Institucionet islame dhe hoxhallarët e
Shkodrës", Shkodër, 2005, fq. 555.
[12]
"Kur të lindë fëmija, nderimi i parë që i bëhet është
stolisja me një emër të bukur, sepse emri i bukur ka
ndikimin e tij në zemra, me dëgjim të parë. Transmeton
Ebu Davudi dhe Nesaiu, nga Ebu Vehb el-Xheshmi, që
thotë: Ka thënë i dërguari i All-llahut (a.s): "Ngjitni
emrat e Profetëve..." dhe thotë në hadithin e
transmetuar nga Ebu Davudi, nga Ebu Derdâja (r.a): "...Përzgjidhini
emrat tuaj"- Shih: Muhammed Nur Suvejd, "Menhexhut-terbijetin-nebevijjeti
lit-tifli", fq.66.
[13]
Dëshmi e kësaj miqësie është edhe libri i vasit: "Kitabul-mexhalisis-senijje",
ku mbi faqen e tij të brendshme shënohet: "Këtë libër e
zotëron si dhuratë nga Hafiz Musa Dërguti, Hafiz Qamil
Abdulgafarri…". Pra Hafiz Musa Dërguti i ka dhuruar edhe
libra mikut të tij tetovar.