Hadithe, këshilla, urtësi

(Në brendësinë e librave të shumtë të bibliotekës së Hafiz Qamil Tresi) 

el-Fatiha

Në brendësinë e librave të shumtë të bibliotekës së Hafiz Qamil Tresi, në ditarin e tij, në arkivin familjar e në shumë shënime të tjera me shkrimin e dorës, të gjetura gjatë hulumtimit për këtë studim, do të gjejmë edhe shumë hadithe profetike, këshilla nga njerëz të ditur e urtësira nga më të ndryshmet, të cilat dëshmojnë për tiparet kërkimore dhe studiuese të këtij njeriu të ditur, kërkues në vazhdimësi të diturive.

   Duke lexuar pas rreshtave të lartpërmendur, është e pamundur të mos shikosh të dukshme fytyrën e një njeriu të etur për dituri, të një hatibi të preokupuar për përgatitjen e një hytbe xhumaje, të një vaizi në kërkim të argumenteve të shumtë, me të cilët do të ngrohë zemrat e dëgjuesve të tij dhe do të angazhojë mendjet e tyre për të menduar e medituar rreth tyre.

   Këto shënime të vyera i kam ndarë në tre grupe, në hadithe, në këshilla, në urtësira. Më poshtë po rreshtoj disa prej tyre, për efekt ilustrimi dhe me qëllimin që dikush nga vaizët, hatibët a kërkuesit e njohurive e urtësive islame, të përfitojë prej tyre.

 

Hadithe kudsijje[1]:

 

1. Thotë All-llahu (xh.sh): "Robi Im! Në se më përmend në vetmi, të përmendi në vetmi, e nëse më përmend në shoqëri, të shpërmendi në një shoqëri më të mirë se ajo".

2. Thotë All-llahu (xh.sh): "O bir i Ademit! Sa herë që të më përmendësh, më ke falenderuar e sa herë që të më harrosh, më ke mohuar".

3. Thotë All-llahu (xh.sh): "O bir i Ademit! Ngrihu drejt Meje, të eci drejt teje. Ec drejt Meje, të vrapoj drejt teje".

4. Thotë All-llahu (xh.sh): "O Muhammed! Ai që më beson Mua dhe nuk beson kaderin; të mirën e të hidhurën e tij, , le të kërkojë një zot tjetër pos Meje"

5. Thotë All-llahu (xh.sh): "Robi Im besimtar, është më i dashur te unë, se disa melekë".

 

Hadithe profetike:

 

1. Transmetohet nga Ibni Abbasi (r.a), se i Dërguari i All-llahut (s.a.v.s) ka thënë: "Do të hyjnë në xhennet, shtatëdhjetë mijë prej ymmetit tim, pa llogari".

2. Ka thënë Resulull-llahi (s.a.v.s): "Janë dy fjalë, të lehta në gojë, të rënda në peshore, të dashura për Mëshiruesin: Subhanall-llahi ve bihamdihi, subhanall-llahil-adhim".[2]

3. Ka thënë Profeti (a.s) : "Ia kaloi një dirhem, njëqind mijë (dirhemëve)".[3]

4. Ka thënë Profeti (a.s): "Gibet është ta përmendësh vëllanë tënd me diçka që ai e urren".[4]

5. Ka thënë Profeti (a.s ): "Mëshiruesit i mëshiron Mëshiruesi".[5]

6. Ka thënë Profeti (a.s): "Mëshironi ata që janë në tokë, t'ju mëshirojë kush është në qiell".[6]

7. Ka thënë Profeti (a.s): "Kur të vdesë njeriu do t'i ndërpriten  punët, përveç tri gjërave: sadekaja e vazhdueshme, dituria me të cilën sjell dobi, ose një fëmijë i mirë që lutet për të"[7].

8. Ka thënë Profeti (a.s): "Duaj për njerëzit atë që do për veten tënde".[8]

9. Ka thënë Profeti (a.s): "Nuk beson asnjëri prej jush derisa të dojë për vëllanë e tij atë që do për veten e tij".[9]

10. Ka thënë Profeti (a.s): "Sikur ta dinin njerëzit se çfarë ka në Ramazan, do të dëshironin që i gjithë viti të ishte Ramazan".

11. Ka thënë Profeti (a.s): "Zotëria i muajve është Ramazani dhe zotëria i ditëve është xhumaja".[10]

12. Ka thënë Profeti (a.s): "Shpejtojeni iftarin dhe vonojeni syfyrin".[11]

Ka thënë Profeti (a.s): "Hani syfyr, sepse në syfyr ka bereqet".[12]

13. Ka thënë Profeti (a.s): "Ai që e agjëron Ramazanin dhe e pason me gjashtë ditë nga Shevvali, është si të ketë agjëruar të gjithë vitin".[13]

14. Ka thënë Profeti (a.s): "Ai që merr abdes në mënyrë të duhur, pastaj vjen për të falur xhumanë, dëgjon (hytben) dhe heshtë, do i falen gjynahet e krejt javës".

15. Ka thënë Profeti (a.s): "Nuk qëndron dashuria e kësaj bote dhe dashuria e Ahiretit në zemrën e një besimtari, sikurse nuk rri uji dhe zjarri në një enë të vetme".

16. Ka thënë Profeti (a.s): "Besimi është lakuriq; rrobat e tij janë devotshmëria, frutet e tij dituria dhe stolitë e tij turpi".

17. Ka thënë Profeti (a.s): "Dhikri më i mirë është La ilahe il-lall-llah dhe duaja më e mirë është Elhamdu lil-lah".[14]

 

Nga monografia e thirrësit islam Muhamed Sytari:

Hafiz Qamil Tresi- në gjurmët e një biblioteke që sfidon heshtjen e kohës”,

Shkodër, 2006.

 



[1] Në lidhje me hadithin kudsi, është thënë: "Ky term i atribuohet një sërë thënieve profetike, që i transmeton Profeti (a.s) nga All-llahu i Madhëruar, me revelatë, me inspirim apo me ëndërr. Disa prej tyre fillojnë me thënien e tij (s.a.v.s): "Ka thënë All-llahu (xh.sh)", ose: "Thotë All-llahu (xh.sh)..."- Shih: Ebu Abdurr-Rrahman Kemal ibn Besjuni El-Ebjani el-Misri: "Mu'xhemul-ehadithil-kudsijje", botimi i 1-rë, Bejrut, 1993, fq. 3.

[2] Këtë hadith e transmeton Ahmedi, Bukhariu dhe Muslimi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe nga Ebu Hurejra (r.a). Imam Sujuti në "El-xhamius-sagir", e shënon si të saktë (sahih), me numër 6376, fq. 397.

[3] Këtë pjesë hadithi e transmeton Nesaiu nga Ebu Dherri (r.a), si dhe Nesaiu, Ibni Hibbani dhe Hakimi nga Ebu Hurejra (r.a). Imam Sujuti në "El-xhamius-sagir", e shënon si të saktë (sahih), me numër 4650, fq. 286.

[4] Këtë hadith e transmeton Ebu Davudi nga Ebu Hurejra (r.a). Imam Sujuti në "El-xhamius-sagir", e shënon si të saktë (sahih), me numër 5822, fq. 359.

[5] Përmendet më poshtë.

[6] Imam Sujuti në "El-xhamius-sagir" e rreshton kështu: "Mëshiro atë që është në tokë, të mëshiron ai që është në qiell", transmetuar nga Tabaraniu në "El-Kebir" nga Xheriri (r.a), si dhe Tabaraniu në "El-Kebir" dhe Hakimi në "El-Mustedrek" nga Ibni Mes'udi (r.a), si të saktë (sahih), me numër  941, fq. 64. Ndërsa hadithi i mësipërm është pjesë e një hadithi të gjatë, që fillon kështu: "Mëshiruesit i mëshiron All-llahu i Madhëruar, mëshironi ata që janë në tokë ju mëshiron kush është në qiell...", transmetuar nga Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Hakimi nga Ibni Omer (r.a), me numër 4489, fq. 275.

[7] Transmetuar nga Bukhariu në "El-Edeb", Muslimi, si dhe treshja Ebu Davudi, Nesaiu dhe Tirmidhiu. Imam Sujuti në "El-xhamius-sagir", e shënon si të dobët (daif), me numër 850, fq.58. Ndërsa Imam Mennavi në "Fejdul-Kadir", (v.1, fq.548-549) nuk e shënon gradën e këtij hadithi, duke u mjaftuar me shënimin e transmetuesve të tij.

[8] Transmetohet nga Bukhariu në "Et-Tarikh", Ebu Ja'la në Musnedin e tij, Tabaraniu në "El-Kebir", Hakimi në "El-Mustedrek" dhe Bejhekiu në "El-Iman", nga Jezid in Usejd (r.a). Imam Sujuti në "El-xhamius-sagir", e shënon si të saktë (sahih), me numër 222, fq. 20.

[9] Transmetuar nga Ahmed në Musnedin e tij, Bukhariu dhe Muslimi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxhe, nga Enesi (r.a). Imam Sujuti në "El-xhamius-sagir", e shënon si të saktë (sahih), me numër 9940, fq. 586.

[10] Në këtë formë nuk e kam gjetur, por të ndarë nga njëri-tjetri, janë përmendur disa hadithe, si ai i transmetuar nga Ahmedi në Musnedin e tij dhe Bukhariu në "Tarikh", nga Sa'd in Ubade (r.a): "Zotëria i ditëve te All-llahu, është xhumaja...", ose hadithi i transmetuar nga Bezzari dhe Bejhekiu në "El-Iman", nga Ebu Saidi (r.a): "Zotëria i muajve është muaji Ramazan..."..

[11] Transmetuar nga Tabaraniu në "El-Kebir", nga Ummi Hakim. Imam Sujuti në "El-xhamius-sagir", e shënon si të saktë (sahih), me numër 5397, fq. 334.

[12] Transmetuar nga Ahmedi në Musnedin e tij, Bukhariu dhe Muslimi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxhe, nga Enesi (r.a), etj. Imam Sujuti në "El-xhamius-sagir", e shënon si të saktë (sahih), me numër 3291, fq. 197.

[13] Transmetuar nga Ahmedi në Musnedin e tij, Muslimi dhe katërshja Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxhe, nga Ebu Ejjubi (r.a). Imam Sujuti në "El-xhamius-sagir", e shënon si të saktë (sahih), me numër 8777, fq. 531.

[14] Transmetuar nga Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxhe, Ibn Hibbani në Sahihun e tij dhe Hakimi në "El-Mustedrek", nga Xhabiri (r.a). Imam Sujuti në "El-xhamius-sagir", e shënon si të saktë (sahih), me numër 1253, fq. 79.