ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Hafiz Musa Hoxha, në rreshtat e një botimit të ri…

(Shkodër, më 24 janar 2009) 

Doli nga shtypi, botimi më i ri i thirrësit islam Muhamed Sytari, “Hafiz Musa Hoxha- Vaizi besnik i qitabeve të vjetra”.

Në faqet e tij, Sytari ka përshkruar momentet më interesante të jetës së hafizit të fundit, që mban lidhje të gjalla dhe të drejtpërdrejta me dijetarët e vjetër të Shkodrës, prej të cilëve mori dituritë dhe kulturën e mjaftueshme fetare në më shumë se një dekadë jetë.

“Kisha dëshirë  t’i shkruaja këto rreshta, ku nëpërmjet asaj çfarë është rezervuar në memorien time për Hafiz Musa Hoxhën të rreshtoja ca fjalë, këshilla, momente e kujtime që më lidhin me njeriun e mirë, imamin e xhamisë së Oblikës (por shumë më të madh sesa perceptimi i lidhur me emrin e një fshati e botën e tij shumë të vogël), Hafiz Musa Hoxha.

Hafizin me mjekër të bardhë e fytyrë të gjallë e kujtoj që në momentet e para të rilindjes, aty nga dimri i vitit 1991... Rastësisht jemi takuar në rugë; ai me veshjen e bukur të një hoxhe, që kurrë më parë nuk më kishin zënë sytë (sepse jetoja në një vend e në një mjedis, ku sytë në përgjithësi ishin tharë dekada më parë), unë fare i ri, adoleshent, i lidhur ngusht me botën e besimit, nëpërmjet qumështit të nënës time muslimane e gjakut të pastër të Molla Alushit, gjyshit të gjyshit tim. Si të thuash: unë, një nip hoxhe i harruar në thellësitë e historisë islame të vendit tim”- shkruan në parathënien e botimi të tij më të ri, thirrësi islam Muhamed Sytari.

Më pas, nëpërmjet përgjigjeve të disa intervistave të zhvilluara me personazhin e këtij botimi, Sytari ka përshkruar personalitetin e Hafiz Musa Hoxhës dhe botën e  tij të gjerë në dituri e përkushtim ndaj fesë islame.

Ky botim mbyllet me kasavetin e hafizit të moshuar: “Hafiz, çfarë mungon sot, në krahasim me kohën tuaj? Ai, buzëqesh rregullon çallmën e tij dhe merr të flasë: "Tash ka ma shumë libra se at'herë. Edhe miradí ka ma shumë se at'herë. Por, sot mungon... A e di se çfarë mungon? E kam shumë kasavet, po jua tham: Kam lexu para shumë kohësh një rivajet, ku Resulull-llahi, duke përmendur shenjat e kiametit, ka thanë: "Ngrihet dituria, shtohet injoranca, shtohet kurvnia dhe ndërtohen xhamitë duke qenë harab përbrenda"... Kjo mungon sot, frika e Zotit dhe forca e besimit!" dhe Hafizi merr pamje mëshiruese dhe lutëse teksa flet me shumë zemër për kasavetin tij...”

“Hafiz Musa Hoxha- Vaizi besnik i qitabeve të vjetra”, është botim i Sh.B. “Camaj-Pipa” dhe ka për redaktor shkrimtarin Xhahid Bushati.

 

www.muhamedsytari.net