Gurthemeli i xhamisë së Detarëve në bregdetin e Ulqinit...

(përjetim)  

Muhamed Sytari

thirrës islam, Shkodër

 

Në vitin 1932, qytetit bregdetar të Ulqinit iu shkatërrua një ndër xhamitë më të vjetra në rajonin e Ballkanit, ajo e marinarëve, që sipas shënimeve studimore: “të dhënat e vitit 1571 tregojnë që, kur erdhën turqit në këto vise, e kanë gjetur xhaminë e maurëve apo arabëve marinarë. Për turqit që e sollën fenë islame, kjo xhami ishte një befasi e rrallë[1]

Sot, disa orë para namazit të mesditës, nga podiumi i madh ku ishin vendosur çallmat e shumta me tarbushin e kuq, drejtuesit e pushteteve në Ulqin e të ftuarit nga Shkodra, Podgorica, Tivari, Prizreni etj, vështroja me vëmendje peisazhin shumëngjyrësh përpara syve të mi. Një rrëmet i madh njerëzish që prisnin me ankth se çfarë do të thuhej në lidhje me vendosjen e gurthemelit të ri të xhamisë së traditës e të kulturës së qytetit bregdetar. Pas tyre, horizontin e pushtonte kalaja 2500 vjeçare, brigjet e së cilës lageshin me butësi nga dallgët e gjysëm të trazuara të detit... Qielli nga ana e tij kishte marrë pamjen e atij, që nga emocionet dhe malli i takimit me gjurmët e kujtimeve të hershme fillon e përlotet, pastaj qetësohet, pastaj sërish përlotet duke humbur në një botë të përshpirtshme plot nostalgji e rrezatim optimizmi, qetësohet me zemër të mekur... Hoxhallarëve të shumtë u shëndrisnin fytyrat e dukej se edhe xhybet e tyre flisnin, jepnin e merrnin me njëra-tjetrën nga emocioni i kësaj dite plot dritë.

Kush e kishte menduar se sot, pas rreth 77 viteve do të vendosej gurthemeli i xhamisë më të lashtë e më të vjetër i gjurmëve të fesë së teuhidit në Ulqin?! Kush, prej pleqve të pranishëm, me tesbihë në dorë e fesin mbi kokë, do ta kishte imagjinuar se ajo xhami të cilën e mbanin mend nga kohët e shkuara, si një vegim i largët e konfuz, do të ringjallej mbi themelet e saj?! Kush prej të rinjve, që ngriheshin në majë të gishtërinjve për të parë fytyrat e shumta në podiumin e madh para syve të tyre, që kishin dëgjuar në rrëfimet e të moshuarve për traditën dhe kulturën islame të qytetit të tyre edhe për xhaminë e marinarëve, do t’u shkonte nëpër mend se pikërisht sot, më 3 prill 2008, historia e lashtësisë së Islamit në këto troje shqiptare do të kthehej aty ku kishte gjurmët e saj më të pafshira, në bregdetin e marinarëve të bardhësive..?!

Përshëndetjet e folësve të shumtë po sosnin, momenti i gurthemelit të xhamisë së re të Detarëve, siç u prezantua nga drejtuesit e Bashkësisë Islame të Ulqinit po afrohej, teksa vështroja me vëmendje reagimet e njerëzve. Ishin të mallëngjyer. Të gjithë vëzhgonin vendin e gurthemelit. Të gjithë donin të ishin të parët që do të merrnin në dorë lopatën e parë... Të gjithë donin... Të gjithë vëzhgonin... Të gjithë luteshin, lutjen e mbarësisë, të cilën e shoqëronte edhe ndonjë rrëkezë loti, burimi i së cilës ishte zemra, në sëmbimin e së cilës fshihej edhe ndonjë hise zemërimi historik për fatin e xhamisë së lashtë tëmbetur nëpër faqet e historisë së Ulqinit...

Ishte një pamje e rrallë, edhe për lidhjen e saj me faktet dhe historinë e Islamit në këtë qytet. Ishte një pamje që nuk mund të shihet çdo ditë, që nuk mund të përjetohet në  çdo moment, që nuk mund të mos rreshtohet në mbresat dhe kujtimet e hedhura mbi të bardhë...

Sot, disa orë para namazit të mesditës, në bregdetin e Ulqinit, në gjirin e plazhit të vogël, u vendos gurthemeli i xhamisë së lashtë të detarëve. Me siguri, dallgët e shumta që do ta vizitojnë këtë bregdet, ditë pas dite, do të sjellin me vete imazhet e detarëve të parë muslimanë arabë që sollën me vete, në këtë vend, jo vetëm besimin dhe dritën e Islamit, por hodhën edhe themelet e xhamisë së sinqeritetit, ngulitën me zemrat e tyre rrënjët e besimit në Njësinë e Zotit, në dijen e pakufishme, në përkushtimin ndaj jetës... Ai sinqeritet u ruajt ndër shekuj. E ruajti koha. E ruajti deti. E ruajtën dallgët. E ruajti kalaja shumëshekullore. E ruajtën brezat...

Gurthemeli i sotëm, përveçse shënoi fillimet e rindërtimit të një xhamie të lashtë, sa lashtësia e historisë së Ulqinit, u bë në vetëvete edhe gurthemeli i ringjalljes së mirënjohjes së sinqertë për detarët e shekujve... detarët e dritës e të besimit... detarët e Thirrjes Islame...

Mbarësi në rindërtimin e Xhamisë së Detarëve!

 

Shkodër, më 3 prill 2008



[1] Ismet H. Karamanaga: “Kalaja legjendë dhe art”, Ulqin 2006, fq. 56.