Gruaja dhe Thirrja Islame
(Nga bashkëbisedimi me Shejkh Vehbi Gavoçin)
Cilat janë kufijtë e një thirrësi islam në thirrjen e gruas në
Islam?
"Në fenë tonë, gruaja është motra e burrit dhe kërkohet prej saj
të besojë dhe të adhurojë si burri, siç është e kërkuar të ruajë
zemrën, gojën dhe gjymtyrët e saj nga ato gjëra të ndaluara,
ashtu si edhe burri. Thirrja e gruas në Islam nuk ka kufij,
përveç atyre çështjeve që duhen studiuar në veçanti prej tyre.
Prandaj edhe Pejgamberi (a.s) kishte caktuar ditën e enjte (siç
thuhet) për t'u takuar me gratë e për t'u mësuar atyre fenë e
Zotit (xh.sh)".
Çfarë vendi zë gruaja në thirrjen islame?
"Gruaja është gjysma e shoqërisë.
Ajo është djepi i burrave dhe grave të mira… Ajo është
nëna e oficerit, presidentit, bujarit, dijetarit, punëtorit,
fshatarit, etj. Gruaja është fabrikë e sjelljeve të mira, të
njerëzve të ndershëm e të lartë. Ne e dimë shumë mirë, se në
kohën e Pejgamberit (a.s), gruaja dilte për të falur edhe
sabahun në xhami, sikurse merrte pjesë edhe në luftra duke
ndihmuar për të mjekuar të plagosurit, për të gatuar, etj. Dimë
po ashtu, se shumë prej tyre kanë qenë mësuese të shumë burrave
të ditur.[1]
Është shumë mirë që femra, pas përgjegjësive ndaj burrit dhe
familjes së saj të merret me misionin fetar në kuvendin e grave,
pasi mund të jetë më e suksesshme në thirrjen e tyre se burri,
për shkakun, se ajo si femër i njeh më mirë ndjenjat femërore,
nevojat dhe mënyrat e të komunikuarit me to.
Sot në Siri, njoh një grua që ka me mijëra studente e nxënëse,
madje edhe jashtë saj, si në Liban, Jordani, Amerikë, etj.
Edhe libri më i madh për jetën e Pejgamberit (a.s) i shtypur në
gjashtë vëllime të mëdhenj, është shkruar nga një studente e
asaj gruaje.
Sot kemi me qindra e mijëra gra me shkollë të lartë, që mësojnë
Kur'anin përmendësh, mundohen të kryejnë me sukses punët që
kanë, etj.".
Thuhet, se Islami e ka burgosur gruan me hixhabin e saj. Si e
shikoni këtë pretendim, aq më tepër kur bëhet fjalë për një
femër që u mëson të tjerëve fenë e tyre?
"Mbulimi i gruas përpara burrave të huaj është ligj edhe tek
çifutët e kristianët! A i keni parë murgeshat, se si vishen?
Mbulojnë çdo pjesë të trupit, përveç duarve dhe fytyrës.
Atëherë, mbulimi i gruas është urdhëresë hyjnore dhe ata që
flasin për mbulesën kritikojnë Zotin Krijues! Po kush me mend në
kokë, mendohet ta kritikojë Krijuesin e gjithësisë, i cili di më
mirë se çfarë vlen më shumë për krijesat e Tija të dobëta që
vetë i ka krijuar. Atëherë ky pretendim del prej atyre që nuk
kanë asnjë besim dhe nuk kanë mend në kokë dhe logjikë të
shëndoshë! Ndërsa disa të tjerë nuk e kritikojnë mbulesën e
gruas, por thonë fjalë të tjera, thelbi i të cilave është, se
koha ka ndryshuar duke menduar se ligjet hyjnore janë si ato
njerëzore që ndryshojnë me ndryshimin e temperamenteve e
dëshirave. Këtyre njerëzve duhet t'u themi se, dija e Zotit (xh.sh)
përfshin interesin dhe të mirën e njeriut sa të jetë kjo jetë,
pasi Zoti (xh.sh) e di të kaluarën, të sotmen dhe të nesërmen me
dije të plotë dhe pa mangësi në të! Pastaj le të flasim qartas:
A ngihet burri me gruan e tij, njëkohë që shkon e vjen me gra të
huaja, të zhveshura nga çdo moral e të zhveshura nga frika e
Zotit (xh.sh)!?
Në Amerikë në çdo 3 minuta grabitet një femër…[2]
Në Brazil, numri i fëmijëve pa prind ka arritur në 800 mijë, ku
një pjesë e madhe e tyre jetojnë në stacione, fusha, etj. Në
Amerikë 24% e fëmijëve janë të jashtëligjshëm. Në Francë 32%. Në
Gjermani 34%. Në Panama 71%, etj. Në Amerikë, për çdo vit lindin
më se 1milion fëmijë të paligjshëm. Mendo atëherë të ardhmen e
Amerikës në moral e mirësjellje, me breza të tillë!?[3]
Nevoja e mashkullit për femër dhe anasjelltas është e natyrshme
dhe natyra nuk ndalohet kurrë, por sillet dhe vendoset në një
vijë të pastër e të drejtë që është lidhja martesore.
Kemi dëgjuar dhe vazhdojmë të dëgjojmë për abuzimet seksuale të
priftërinjve në Amerikë që edhe pse në moshë të thyer, janë
paditur disa herë nëpër gjyqe…Epshi i natyrshëm nuk mbytet edhe
pse mosha e njeriut arrin 72 vjetët!?
Kthehem edhe njëherë tek pyetja juaj dhe them se tek ne, në
Islam gruaja ka vendin e saj në tubimin dhe bashkimin me masën
femërore dhe komunikimin me ta.
Le të dalin mësuese që mëson vajzat e fëmijët e vegjël, më mire
se të bëhet inxhiniere fjala vjen. Le të bëhet edukatore e
brezave, duke mësuar fëmijët për të qenë burrat e së nesërmes,
më mirë se të merret me politikë fjala vjen. Ajo grua që është
bërë prind dhe del për të punuar në një punë, të cilës i
mjaftojnë burrat, kujt ia lëshon fëmijët e saj? Kujt ia dorëzon
dritën e syve dhe loçkën e zemrës dhe a thua bëhet më pas
shërbëtorja si nana?
O gra, ju kur punoni punët e burrave, ta dini se keni mbyllur
derën e punës për disa burra dhe keni lënë njëkohësisht zyrën e
shtëpisë pa një "nëpunëse" të aftë! Shkurt, mbulesa është ndihma
e zemrës së pastër për me jetu jetë të pastër, pasi mbulesa nuk
e ndalon femrën për t'u mësuar, për t'u shkolluar e për të
arritur në gradë të larta të feminilitetit të saj.
Sa e sa vende të përparuara kanë sot nevojë për gra të
specializuara në sëmundjet e grave? Në çështjet edukative
kërkohet gruaja, po ku është ajo? Në kuzhinat e mëdha botërore
punojnë meshkujt, grate ku janë? Të huajt e sakrifikuan gruan që
në vend që të merrej me veten, familjen e fëmijët e saj, duke
kënaqur burrin e duke u specializuar në lëmin e saj, zgjodhën
për të përzierjen me burrat e huaj në punë, në rrugë e në
shtëpi!?
Ti po lexon çdo ditë se ç'po pëson gruaja që po lë shtëpinë e
saj, pallatin e saj e po sakrifikon jetën e saj natyrale, për
t'u bërë kukulla e burrit dhe loja e tij dëfryese në shumë
raste. .Ne e dimë se shumë femra janë të detyruara të punojnë
punë të papërshtatshme për te, por edhe këtu u themi atyre që të
armatosen me besim dhe të ruhen nga përzierja me burra të huaj,
të ruajnë nderin e tyre dhe moralin e denjë për ta!
Gruaja europiane në shumë raste zbret nga fshati në qytet për të
punuar punë të ndryshme e fitimprurëse.
Mirëpo duke lexuar librin "Çështja e gruas në peshore", shkruar
në gjuhën arabe, do shohim se si e pëson gruaja perëndimore nga
egërsia e burrit dhe përfitimi i tij nga mundi dhe djersa e saj.
Ata që thonë se gruaja muslimane rron në burg, ata vetë
përfitojnë prej grave të tyre "të lira", derisa arrin kjo
përfitesë edhe me nderin e saj! Në sa e sa vende të huaja femra
kërcen nëpër kabare të ndryshme, duke shfaqur edhe pjesët e
turpshme të trupit të saj?! Sa e sa gra janë përdorur për të
prishur burrat, deri sa janë kthyer në prostituta? Prandaj atyre
që flasin për mbulesën e gruas
u them të shikojnë në kohë, se kur është nderuar femra si
nënë, motër, bashkëshorte, nuse djali e vajzë më tepër se sa
sot? Sot që ajo bëhet ministre, por edhe pastuese rrugash, siç
kam parë në vendin tim!? Sot kur femrat pastrojnë banjot, siç e
kam parë këtë në Rumani!?
Sot kur femrat bëjnë hamallëk, duke mbajtur edhe hekura para
duarve, siç i kam parë në Bullgari!? Vetëm në Islam femra ka
gjetur të drejtat e saja dhe është nderuar, ashtu siç i takon
dhe për këtë gjë dëshmon vetë historia"!
Nga monografia e thirrësit islam Muhamed Sytari:
“Vehbi
Sulejman Gavoçi- dijetar nga dijetarët e ymmetit”,
Prishtinë 2005.
[1]
Kemi të transmetuara shumë fakte nga historia jonë e
pasur islame për këtë vërtetësi, si fjala e Urves (r.a):
(Nuk kam parë
njeri më të ditur në Kur'an, obligime, hallall, haram,
poezi, tregimet e arabëve dhe trashëgiminë e tyre, si
Aishen (r.a)…), ose shprehja e tabiiut Zuhri: (Sikur
të krahasohet dija e Aishes (r.a) me dijen e krejt grave
të Pejgamberit (a.s)
dhe krejt grave të botës; do jetë dija e saj më e
madhe).
Sikurse transmetohet, se Imam Shafiiu ka mësuar në
Egjipt dhe ka dëgjuar fjalët e Nefise ibneti Ebi
Muhammed Hasan, mbesë e largët e Imam Aliut (r.a)…
Përmendet gjithashtu, se Aishe ibnetu Muhammed, mbesë e
largët e dijetarit Ibnu Kudame Makdesiut, që në moshën
katërvjeçare mësoi hadithet e Bukhariut…Prej saj ka
transmetuar edhe Ibni Haxheri sikurse edhe ka lexuar në
prezencën e saj shumë libra…
Shih: Nedhir Mektebi, "Safahatun- nejjirat min hajatis-
sabikat", Bejrut, botimi i dytë, 1996, fq.157- 192.
(Autori).
[2]
Në librin e tij "Min kadajal mer'etil muslime", Shejkh
Vehbiu, na paraqet edhe një tjetër statistikë shumë
interesante për t'u përmendur në këtë pikë. Thotë në
faqen 5 të këtij libri: "Lexova statistikat e këtyre
lajmeve të rrezikshme, se 92.7 % e burrave në Britani e
më gjerë, rrahin gratë e tyre. Përqindja e divorcit në
disa vende ka arritur në 72.9 %, ndërsa 70 % të rasteve
të krimeve të ndryshme, janë përdhunime. Në Francë 10
milion gra,
jetojnë të vetmuara në shtëpi; 5 milion prej tyre, pa
burra e 3 milion e sa prej tyre të veja. Në Britani 35
milion burra kanë marrëdhënie me gra të tjera…".
[3]
Problemet e shkaktuara si pasojë e lirisë së pa kufi të
femrës në botë janë të mëdha dhe shqetësuese. Fjala vjen
me datën 21. 02. 2003 në emisionin e lajmeve të radhës,
tek VOA (Zëri i Amerikës) u dha një lajm me të vërtetë
shqetësues, që thoshte se: "Sipas një raporti të OKB-
së, 700 mijë deri në 4 milion gra trafikohen çdo vit në
botë për prostitucion…". Ndërsa në gazetën "Republika"
të datës 22 Shkurt 2003, nr. 40 (2639), fq. 11 theksohet
shqetësimi për sëmundjen e shekullit "SIDA', ku jepen
edhe disa raporte problematike për vendin tonë, ku
thuhet: "Sipas raportit, në Shqipëri deri në fund të
muajit Janar, shifrat raportonin 53 raste me virusin
HIV/SIDA…Ndërsa deri në Nëntor të vitit 2001, ka pasur
edhe 18 raste të pakonfirmuara me virusin e SIDA- s,
duke e çuar në 71 numrin e përgjithshëm të rasteve.
Ndërsa sot në muajin shkurt 2003, numërohen 98 raste me
sëmundjen e SIDA-s...", fakt që në një mënyrë a tjetër
ka të bëjë me temën!