ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

“Përfitoni nga Ramazani për ta forcuar lidhjen me Kur’anin”

(Shkodër, më 28 gusht 2009) 

Nëpërmjet minberit të xhumasë, hatibi i xhamisë Tophanë, thirrësi islam Muhamed Sytari ka vazhduar të flasë mbi atmosferën e muajit të begatë të Ramazanit dhe reflektimin e tij në jetën e besimtarëve muslimanë.

Nëpërmjet hytbes së kësaj xhumaje, Sytari ka tërhequr vëmendjen e të pranishëmve drejt domosdoshmërisë së angazhimit me leximin dhe kuptimin e Kur’anit Famëlartë. Në hytben e tij, ai ka bërë një krahasim në mes të muslimanëve, jehudëve dhe të krishterëve dhe librave të tyre të zbritur, duke thënë: “Realiteti i sotëm dëshmon se edhe ne muslimanët, po të na ishte lënë Kur’ani në dorën tonë, si Teurati jehudëve dhe Inxhili të krishterëve, do ta kishim devijuar e transformuar, sikurse vepruan beni israilët! A nuk jemi dëshmitarë të fitneve të ndryshme që po instalohen nga xhahilë të cekët, në xhamitë tona, në emër të Kur’anit Famëlartë? A nuk jemi dëshmitarë sesi po shtohen tendencat shkretëtuese të jetës së xhamisë në emër të fesë? A nuk jemi dëshmitarë sesi po tentohet të zëvendësohen traditat tona fetare me abandonim të tyre, në emër të synetit profetik etj?! Kjo do të thotë, se po të mos ishte garancia e All-llahut mbi Kur’anin, do të vepronim, sikurse vepruan! Prandaj, është momenti t’i kthehemi Librit të All-llahut dhe të ringjallim traditat e të parëve tanë, në leximin, kuptimin dhe veprimin sipas tij!”- ka tërhequr vëmendjen e të pranishëmve Sytari.

“Përfitoni nga koha e Ramazanit për ta forcuar lidhjen me Kur’anin”- ka qenë mesazhi i kësaj hytbeje, nëpërmjet fjalëve të hatibit të kësaj xhamie.

Në hytben e dytë, ai ka falënderuar publikisht presidentin e Republikës, z. Bamir Topi, për pjesëmarrjen e tij në iftarin e natës së shkuar dhe mesazhet qytetëruese e humane të dhëna prej tij në fjalën përshëndetëse para besimtarëve shkodranë të pranishëm në iftarin e shtruar për nder të tij nga Klubi Kulturor “Drita”.

Për të dytën xhuma radhazi, besimtarët kanë vazhduar t’i përgjigjen ftesës për të kontribuar materialisht në ndihmë të xhamisë dhe projekteve të saj.

 

V. Mehmeti