ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

"Faqe të ndritura nga jeta e besimtareve të kaluara"

("E durojmë urinë në këtë botë, më mirë se të durojmë dënimin e botës tjetër") 

Nedhir Muhammed Mektebi, Damask

 

Gruaja që kërkonte xhennetin me më të lartin çmim

Ibrahim Nekhiu, dijetari i njohur, kishte një të afërt, e cila ruante ardhjen e ditëve më të nxehta për t'i agjëruar. Një ditë dikush e pyeti: Përse i pret këto ditë të nxehta për t'i agjëruar? Ajo iu përgjigj: Kur ulet çmimi, çdokush blen.[1]

 

E dashuruara pas Zotit të saj

Tregohet, se një besimtare nga Mosuli, e quajtur Rukejje, kishte thënë: "E dua Zotin tim me një dashuri shumë të madhe, saqë po të më dërgonte në zjarr, nuk do të kisha ndjerë nxehtësinë e tij, me dashurinë që kam për Të. Por, edhe sikur të më dërgonte në xhennet, nuk do ta kisha ndjerë kënaqësinë e tij, përballë dashurisë së Tij, sepse dashuria e Tij është zotëruesja ime".[2]

 

Gruaja që qante nga ndarja me adhurimet

Tregohet, se në momentet e fundit të jetës së saj, Muadhe el- Adevijje qau pastaj qeshi. Dikush nga të afërmit e pyeti atë: Nga se qave e pastaj qeshe? Ajo u përgjigj: Qava, sepse m'u kujtua se do të ndahem nga agjërimi, namazi dhe dhikri i Zotit. Pastaj qesha, pasi pashë Ebu Sahbanë -burrin e saj të vdekur- në oborrin e shtëpisë, të veshur me dy pelerina të gjelbërta, së bashku me disa njerëz. Pasha All- llahun, s'kam parë të ngjashëm me ta në këtë botë, prandaj edhe u qesha. Pas kësaj, s'besoj se do të kem mundësi të fal ndonjë farz.

Thotë i afërti i saj: Ajo vdiq, para se të hynte koha e namazit.[3]

 

Gaboi Omeri dhe goditi gruaja

Një ditë, Omeri (r.a) nga minberi u tha njerëzve: "Nuk e di se dikush e ka shtuar dhuntinë (mehrin) më tepër se 400 dirhem, pasi edhe Profeti (a.s) me shokët e tij, dhuntinë e jepnin nga 400 dirhem e poshtë dhe sikur shtimi i mehrit të ishte çështje përkushtimi a mirësie, s'do i kishit kaluar ata". Kur zbritil, një grua kurejshite, e kundërshtoi, duke i thënë: O prijës i besimtarëve, a i ndalove njerëzit që të shtojnë mbi 400? Tha: Po! Tha (gruaja): Po, a s'e ke dëgjuar All- llahun që thotë në Kur'an: "Në qoftë se dëshironi të ndërroni (ta merrni) një grua në vend të një gruaje (të lëshuares) i keni pas dhënë shumë të madhe, mos merrni prej saj asnjë send".[4] Ai tha: O Zot, më fal! Të gjithë njerëzit janë më të ditur se Omeri! Pastaj u kthye, hypi në minber dhe tha: "O ju njerëz! Ju pata ndaluar që të mos shtoni në dhuntinë tuaj mbi 400 dirhem, por nëse ndonjëri prej jush dëshiron të japë nga pasuria e tij çfarë të dojë e të pëlqejë, le ta bëjë"![5]

 

Durojmë urinë dhe jo dënimin e All- llahut!

Një ditë Rabia el- Adevijje, adhuruesja e njohur, i tha të atit: "O baba! Nuk ta bëj hallall nëse na ushqen me haram".  I ati i tha: Po sikur të mos gjej vetëm se haram? Ia ktheu: "E durojmë urinë në këtë botë, më mirë se të durojmë dënimin e botës tjetër".[6]

 

 

 

Shqipëroi nga arabishtja: Muhamed SYTARI

 



[1] Marrë nga "Sifetus- safve", 4/46.

[2] Po aty, 4/190.

[3] Po aty, 4/23- 24.

[4] Kur'ani: 4:20.    

[5] Marrë nga "Hajatus- sahabe", nga "El- kenz", El- Hejthemi dhe Ibn Sa'd: 2/ 758.

[6] Po aty, fq. 94.