Kënaqësitë e një dite në shoqërinë e rrezeve
të diellit…
(Shkodër,
më 7 mars 2009 )
(Mbresa)
Në prag të përkujtimit të lindjes së begatë të hazreti Muhammedit
(a.s.), sot së bashku me një grup medresistësh vendosëm të
organizonim një ekskursion në shërbim të mesazheve të këtij
përkujtimi të veçantë,
më të veçantit përkujtim!
Ajo që e bënte edhe më tërheqës dhe të plotë këtë aktivitet ishte
larmia e programit dhe miqtë e tij, që nuk ishin të pakët!
Në orën 10 paradite, të gjithë ishin mbledhur para xhamisë së
Parrucës, në pritje të nisjes. Më bënte përshtypje, interesi i
kalimtarëve, të cilët nuk nguronin të kthenin kokën nga ne e të
pëshpërisnin kushedi se
çfarë me
njëri-tjetrin. Më vinte mirë se atyre u tërhiqte vëmendjen
gjallëria që i jepnin medresistët oborrit të xhamisë më të re në
qytetin tonë!
Pas një fotografie që bëmë, morëm rrugën drejt fshatit Bardhej,
ku do të vizitojmë xhaminë e tij. Në përgjithësi rruga drejt
fshatit, shoqërohet me kureshtjen e medresistëve, një pjesë e
mirë e të cilëve nuk kanë ardhur më parë në këtë zonë e në
xhaminë e saj.
Për pak minuta jemi përpara xhamisë, ku na pret imami i saj z.
Ilir Dizdari. Në ambientet e brendshme të xhamisë, ai na tregon
për mënyrën sesi është ndërtuar kjo xhami, për kontributin e
vyer të banorëve të fshatit dhe dëshirën e madhe për të patur
një xhami. “Së shpejti, do të fillojmë me ndërtimin e minares së
xhamisë tonë, gjë që do ta plotësojë më së miri paraqitjen e saj”,
thotë me shumë dashamirësi imami i xhamisë Bardhej.
Pasi bëjmë një lutje të përbashkët dhe këndojmë një Fatiha,
dalim nga xhamia e bukur dhe e hijshme e Bardhejve dhe
drejtohemi drejt xhamisë së fshatit Mes-Myselim.
Rruga e shkurtër që lidh dy fshatrat është pjesërisht e prishur,
mezi kalohet.
Para xhamisë së Mes-Myselimit, imami i saj, thirrësi islam Altin
Nikshiqi, na uron mirëseardhjen dhe na drejton për nga xhamia, e
cila, përveç
oborrit të madh, ka edhe një pamje shumë tërheqëse. Ndoshta
është minareja e hijshme, e ndërtuar me kontributin e bamirësve
vendas, ndoshta ullinjtë e shumtë që rrezatojnë paqe e mirësi,
ndoshta shatërvani bri hyrjes së xhamisë, ndoshta…
Në ambientet e faltores ulemi dhe dëgjojmë bisedën e ngrohtë të
imamit, i cili, pasi na uron me zemër për këtë vizitë, na rrëfen
për historinë e kësaj xhamie dhe etapat nëpër të cilat ka kaluar
për të qenë kjo që është sot. Medresistët shikojnë me habi, por
të kënaqur, përreth saj dhe nuk ngurrojnë të pyesin, herë pas
here, për orenditë e ndryshme brenda faltores, për dy tabllotë
mbi të cilat shihet arti i kaligrafisë arabe me dorën e
mjeshtrit të shquar Shefqet Kraja. Ato dy “ikona”, mbi të cilat
lexohet “shefaat ja Resulall-llah” dhe një ajet kur’anor,
përkthejnë mjaft mirë elementë të kulturës dhe të qytetërimit
islam në këtë xhami e në realitetet shqiptare të fillimshekullit
të kaluar.
Pas vizitës së ambienteve të brendshme të xhamisë, imami na
tregon për klasën, ku nxënësit e kësaj xhamie mësojnë besimin,
Kur’anin dhe gjuhën e tij. Ajo është e kompletuar me orenditë e
duhura për mbarëvajtjen e një ore mësimi. Është si të thuash,
shembull pozitiv për
çdo xhami e
faltore, bri së cilës duhet të ketë klasa dhe mjedise për
edukimin e fëmijëve që e frekuentojnë dhe duan të marrin mësime
në shtëpinë e Zotit!
Nga xhamia e Mes-Myselimit, rruga që të
çon drejt
Urës së Mesit është e shkurtër. Pasi zbresim nga makinat, ulemi
dhe teksa shkelim mbi urën e famshme, zhurma e Kirit që vërshon
poshtë saj, sikur na fton drejt një peisazhi ndryshe…
Medresistët duke vështruar përreth bukuritë e natyrës, që Zoti i
ka dhuruar këtij vendi, fillojnë të pyesin e të shprehin
kënaqësinë e tyre që janë mbi Urën e Mesit, duke shijuar rrezet
e ngrohta të diellit e zhurmën e Kirit që rrjedh në heshtjen e
tij… “Kur është ndërtuar kjo urë?”, “Kush e ka ndërtuar?”, “A
është më e vjetër se kalaja e jonë?”, “Deri kur ka funksionuar?”,
“Po kjo ura e re përballë, kur është ndërtuar?”, “A e vlerësojnë
sa duhet këtë vepër kulturore, sot?”, ishin disa nga pyetjet që
ata na drejtonin, të shtyrë nga kureshtja e moshës së tyre.
Pas vizitës së Urës së Mesit, nisemi drejt zonës së Kullajve, ku
do të vizitojmë xhaminë e saj karakteristike, drejt së cilës
mund të ngjitesh vetëm nëpërmjet 54 shkallëve të saj të gurta.
Koha, që po i afrohet mesditës, është e ngrohtë, qëkur rrezet e
diellit na shoqëruan në këtë eskursion soditës.
Në mesin e shkallëve që të
çojnë drejt
xhamisë së Kullajve, një i moshuar po ngjitet edhe me ndihmën e
bastunit që mban në dorë. Pasi i afrohem, e njoh. Është plaku i
urtë 88 vjeçar, Dul Idrizi, me të cilin jam njohur që më 12 shtator 2008,
natën e 13-të të teravisë së Ramazanit të kaluar. Pasi
përshëndetemi dhe e pyes për shëndetin e tij, më tregon për një
rrënjë ulliri, bri xhamisë (Në të djathtën tënde, teksa ngjitesh).
“E kam mbjellur me durt e mija kët ulli. I kam vendosë edhe da
copa tjegullash, që t’i shkojnë uji direkt e n’rranjë”, më thotë
me shumë pathos plaku i moshuar e besimtar, që vjen për
çdo rast
për t’u falur e për t’u lutur në xhaminë e fshatit Kullaj.
Ai gëzohet pa masë kur mëson se djemtë e rinj që na kanë rrethuar
janë medresistë. I uron me zemër e lutet për mbarësinë e tyre.
Pasi fotografohemi sëbashku marrim leje prej zotërisë së tij dhe
shpejtojmë drejt xhamisë, e cila nuk ka heshtje… Imami i saj, z.
Kujtim Cufaj, po u bën mësim disa nxënëseve të vogla (në moshën
e medresistëve vizitorë). Pasi përshëndetemi, ai ka mirësinë të
na tregojë xhaminë dhe të prezantojë me kursin e Kur’anit.
Njëkohësisht ai shpreh gëzimin e tij për këtë vizitë dhe na uron
përzemërsisht.
Është kohë mesdite. Udhëtimi ynë nuk ka përfunduar ende. Në kthim
nga Kullajt kalojmë pranë xhamisë së Dragoçit
e asaj të Boksit. Njerëzit, shpejtojnë për të falur namazin,
ezani i së cilit është ngritur tashmë drejt lartësive qiellore…
Pas disa minutash jemi sërish para xhamisë së Parrucës, aty ku
edhe nisi ekskursioni ynë. Në pamje të parë duket se nuk ka
kaluar shumë kohë, por në të vërtetë, ishte një kohë e mbushur
me begati, njohuri e mbarësi besimi.
Së bashku me thirrësit islamë dhe medresistët
ulemi të hamë drekën.
Gjatë saj, të gjithë këmbejnë kënaqësitë e kësaj dite të mbushur
me begatitë e një soditje të këndshme në shoqërinë e rrezeve të
diellit, salavateve dhe Fatihasë.
Ishte një ditë e bukur, në të cilën ndamë sëbashku kënaqësitë e
përkujtimit të lindjes së hazreti Muhammedit (a.s), në hapësirat
e tokës tonë, që dëshmoi sikurse kjo ditë dashurinë tonë për
Resulull-llahin (a.s)…
Muhamed Sytari
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|