Edhe një javë nga përkujtimi i lindjes së Resulull-llahit (a.s)
(Tophanë, e xhuma, më 19 shkurt 2010)
"Edhe pak ditë dhe mbarë njerëzia përkujton ditën e lindjes së
njeriut që mësoi sesi ndërtohet marrëdhënia e njeriut me Zotin e
tij, me veten e tjetrin! Ai që na mësoi sesi të jetojmë në
harmoni me jomuslimanët e sesi të jemi mëshirues ndaj tyre! Ai
që na mësoi sesi të jetojmë me krenarinë e fesë sonë, jo me
frikën dhe servilizmin e realiteteve dhe dredhive të tyre!
Shfaqeni gëzimin tuaj në shtëpi, jashtë saj e kudo që të jeni!
Thoni fëmijëve tuaj se pas pak ditësh përkujtojmë lindjen e
dritës së gjithësisë, hazreti Muhammedit që është më i madhi i
të mëdhenjve! Thoni se ai është më i madh se çdo bust e
shtatore, më i madh se çdo idhull i ri a i vjetër, është njeriu
që Zoti e dërgoi për lumturinë tonë! Bëjeni bajram atë ditë, atë
muaj, atë stinë! Hapni dyert dhe vizitoni njëri-tjetrin me këtë
rast të rëndësishëm, më të shënuarën ditë të historisë së
njerëzimit!”- ka qenë kjo esenca e hytbes së mbajtur nga Imam
Muhamed Sytari në xhaminë e Tophanës, ditën e xhuma, më 19
shkurt 2010. Gjatë saj ai ka vazhduar të flasë mbi mrekullitë e
të dërguarit të All-llahut, si burimi i ujit nga gishtat e tij,
sihariqet e ndryshme dhe dëshmia e pemës dhe e gurit për
dërgesën e tij profetike.
Për kënaqësinë e të pranishmëve, ezani i dytë i xhumasë është
kënduar nga një medresist në klasën e shtatë, i cili ka spikatur
me zërin e ëmbël e melodioz. Në përfundim të xhumasë, besimtarë
të shumtë e kanë uruar për kënaqësinë e dhuruar në këtë ditë.
V. Mehmeti
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|