Duke pritur ditën e lindjes së Resulull-llahit (a.s)
(Shkodër,
më 1 mars 2009 )
Të xhumanë e fundit të muajit shkurt, nëpërmjet minberit të
xhamisë së Tophanës, thirrësi islam Muhamed Sytari ka folur mbi
dashurinë e All-llahut për krijesat dhe reflektimin e saj në
realitetin njerëzor.
Në hyrje të hytbes së tij, ai ka njoftuar të pranishmit për
rëndësinë e këtyre ditëve, të cilat na lidhin me përkujtimin e
lindjes
së
profetit Muhammed (a.s). Në lidhje me këtë, në mes të
tjerave ka thënë: “Po afron dita e madhnueshme, në të cilën
përkujtojmë së bashku ngjarjen më të rëndësishme të historisë së
njerëzimit! Po afron ajo ditë e bukur e pranverës së parë, në të
cilën përkujtojmë së bashku lindjen e fëmijës më të
mrekullueshëm në historinë e njerëzimit! Po vjen dita, në të
cilën përkujtojmë së bashku lindjen e më të dashurit, më të
privilegjuarit, më të zgjedhurit e më të afërtit krijesë me
Zotin e gjithësisë, pejgamberin tonë, hz. Muhammedin (a.s)! Po
vjen dita, ku të gjithë ne, në një formë a një tjetër, duhet të
përpiqemi ta përjetojmë lindjen e pejgamberit (a.s), jo si një
ditë e nje datë, por si një realitet i përshpirtshëm që duhet
përjetuar e jetuar në prehrin e tij!”.
Më pas, duke bërë lidhjen e kësaj ngjarje me realitetin besimor
të secilit, Sytari ka vazhduar: “E, teksa bëhemi gati për
përjetimin e kësaj “lindje” të mrekullueshme, si një besëlidhje
e re me fenë tonë, me All-llahun, me vetë Resulull-llahin (a.s),
më vjen para syve ajo ditë e bukur në të cilën sahabiu Selemetu
ibnul-Ekva (r.a) vinte në Medine për t’i dhënë besën pejgamberit
(a.s)… Ejani me mua, ta përjetojmë së bashku atë moment të
begatë, për të cilin, personazhi i saj tregon: “Ia dhashë besën
Resulull-llahit (a.s) me këtë dorë, pastaj ia puthëm dorën dhe
nuk e refuzoj!” Dhe vite më pas, pasi pejgamberi (a.s) kishte
ndërruar jetë dhe Seleme ishte shpërngulur në Rebdhe, një
rrethinë e Medines, disa sahabë të rinj e vizitojnë dhe pasi i
kërkojnë t’i tregojë për besën e Resulull-llahit (a.s), u tregon
dhe u nxjerrë dorën, me të cilën i kishte dhënë besën Zotërisë
së bijve të Ademit. Në këtë moment, ata ngrihen dhe e puthin
dorën me të cilën ai kishte shtrënguar dorën e pejgamberit (a.s)!
Dhe kjo ngjarje, motra dhe vëllezër, më merr për dore drejt
besëlidhjes së re, e cila rigjenerohet brez pas brezi dhe vit
pas viti me Resulull-llahin (a.s)!
Sa herë që vjen kjo ditë e bukur e pranverës në të cilën u lind
drita e njerëzimit, duhet të na vijë para syve besëlidhja e
Selemtu ibnul-Ekvasë dhe djemve të rinj që e puthën dorën e tij,
me të cilën kishte shtrënguar dorën e pejgamberit (a.s) ditën e
besëlidhjes!”
Më pas nëpërmjet ajeteve dhe haditheve, pasi ka folur për
përkushtimin e pejgamberit (a.s), ai ka treguar sesa fatlum
është ai njeri që përfiton dashurinë e All-llahut në këtë botë
dhe sa mjeran është ai që meriton urrejtjen e Zotit të tij, pas
së cilës mbetet njeri i pashpresë, meskin, i humbur!
Hytbeja e xhumasë në xhaminë e Tophanës, është ndjekur nga një
numër i madh të rinjsh dhe intelektualësh që kishin tejmbushur
haremin e faltores.