Muhamed Sytari
thirrës islam
Duke kujtuar Meulanën, poetin e madh të dashurisë së virgjër
hyjnore...
(me rastin e 800 vjetorit të lindjes)
Xhelaluddín er-Rûmi (604/shtator
1207 – 672/1273)
Poeti më i madh i sufizmit
Është poeti
më i madh mistik i Islamit, por mund të thuhet pa frikë se e
teprojmë se është më i madhi në kuadër të literaturës mistike në
përgjithësi... Thjeshtësia, domosdoja e Rumit bazohet në
unitetin e posaçëm të mendjes dhe përvojës së thellë religjioze.[1]
Xhelaluddín Muhammed ibn Muhammed Belkhiu pastaj Konjaviu,
i njohur si Rumiu (604-672 h.), është njëri ndër poetët
më të shquar të njerëzimit dhe dijetar i madh i mendimit, prej
të cilëve përfitoi shumë qytetërimi ynë i lulëzuar islam, duke
kontribuar me bagazhin e tij mendor dhe artistik në pasurimin e
krejt njerëzimit.
Ky poet
ishte sufist, e përzgjodhi atë si rrugë në jetën e tij praktike,
sikurse e përzgjodhi si filozofi dhe inspirim për mendimin dhe
artin e tij të lartë. Jeta e tij mendimtare u përzie me jetën
praktike deri në atë gradë sa e bëri sufizmin e tij një
përzierje të filozofisë dhe urtësisë praktike.[2]
Gjenialiteti
i Rumiut si poet u shfaq në një periudhë të avancuar të
pjekurisë së tij mendore dhe shpirtërore. Por, është e çuditshme
në këtë gjenialitet, se si ai e bëri prodhimin e tij mendor të
moshës pas 40 vjeçare të ndryshonte krejtësisht nga prodhimtaria
e tij para kësaj periudhe. Ai ishte një vaiz dhe konsiderohej
prej dijetarëve të medh’hebit hanefi dhe u bë një sufist,
artist, poet, i urtë moralist dhe filozof human.[3]
[Pak kohë
para se të vdiste Moulana Rumiu, shqiptoi testamentin e tij
proverbial. Në mes tjerash ai porosit: “... Qëndroni larg së
keqes dhe mëkatit. Të kontrolloni veprimet tuaja dhe të jeni
këmbëngulës në agjërim. Hani pak, flini pak, flisni pak.
Qëndroni larg lakmive epshore me të tëra forcat. Duroni
ofendimet që u bëjnë të tjerët. Bëni shoqëri me njerëz
zemërmëdhenj e të përshpirtshëm. Njeri i mirë është ai që u bën
mirë të tjerëve dhe këshilla më e mirë është ajo që i drejton
njerëzit drejt së mirës...”][4]
Xhelaluddin Rumiu për dashurinë hyjnore
Shpirti që nuk ka si simbol të tij dashurinë e vërtetë është më
mirë të mos ekzistojë, pasi ekzistenca e tij kështu, është vetëm
turp!
Ji i mbushur
me dashuri, pasi krejt gjithësia është dashuri dhe pa
bashkëpunuar me dashurinë nuk mund të arrihet tek i dashuri.
Thonë çfarë është dashuria? Thuaj: Të heqësh dorë nga vullneti!
Dhe ai që nuk heqë dorë nga vullneti i tij, është njeri pa
vullnet!
I dashuri
është mbret ndërsa botrat pluhur para këmbëve të tij! Mbreti
asnjëherë nuk e sjellë kokën nga ajo që është hedhur para
këmbëve të tij!
Dashuria dhe
i dashuri do të jenë deri në përjetësi, prandaj mos e lidh
zemrën tënde me diçka tjetër pos tyre, sepse do të jetë një
shfaqje me fund!
Deri kur do
të rrish i përqafuar pas këtij të dashuri të vdekur[5]?
Përqafoje shpirtin edhe pse nuk ka kufij. Lulet që çelin në
pranverë, vdesin në vjeshtë, ndërsa kopshti i dashurisë nuk
ushqehet nga pranvera. Ato lule që pranvera sjell plot ferra,
janë si vera e lëngjeve që nuk pastrohet asnjëherë nga llumi.
Prandaj, mos u dridhëro mbi kështjellat e trupit, por ec duke
vrapuar mbi këmbët e tua! All-llahu i dhuron krahë atij që heq
dorë nga kështjellat e trupit!
Biseda e Rumiut me zemrën e tij
O zemra ime!
Përse ke mbetur rob i këtij skeleti të zhdukshëm prej dheu? A
nuk fluturon jashtë asaj skute, sepse ti je zog nga bota e
shpirtit? Ti je shoqërues i vetmisë së kënaqësisë, qëndron pas
perdes së sekreteve, e si e lejon atëherë të jetë pozita jote në
këtë vend të zhdukshëm?
Shihe pak
veten, dil nga aty dhe largohu nga burgu i botës së formave
drejt vendit të kuptimeve, sepse ti je zog i botës së shenjtë, i
penduar i ndenjave të qetësisë... Është e ulët të vazhdosh të
qëndrosh në këtë pozitë!
Gazel sufist me të Dashurin...
O i Dashur!
Asnjë kënaqësi në të dy botrat nuk kam gjetur pa Ty!
Kam parë
shumë çudira, por nuk kam parë çudi më të madhe sesa Ty!
Thonë se
djegia në zjarr është hise e femohuesve, por unë nuk kam parë të
privuar nga zjarri Yt, përveç Ebu Lehebit!
Ah, sa herë
e kam vënë veshin e shpirtit në dritaret e zemrës, kam dëgjuar
shumë fjalë, por... nuk i kam parë buzët...[6]
Përktheu nga arabishtja,
përshtati në shqip dhe studioi
Muhamed Sytari
Shkodër, shtator 2007
[1]
Dr. Muhammed Hamiduddin,
“Historia
e sufizmit”,
përktheu nga boshnjakishtja, Dr. Selim Sylejmani,
Prishtinë, 2005, fq. 179.
[2]
Dr. Muhammed Abdusselam Kefafi,
“Methnevi Xhelaluddin er-Rûmi”,
përkthyer në arabisht, shpjeguar dhe studiuar, vëllimi
I, Bejrut, 1966,
fq. 1.
[3]
[4]
Shefik Osmani, “Panteoni
iranian dhe iranologët shqiptarë”,
Tiranë, 1998, fq. 257-258.
[5]
Ka për qëllim këtë botë të përkohëshme.
[6]
Dr. Muhammed Abdusselam Kefafi, “Methnevi Xhelaluddin er-Rûmi”,
përkthyer në arabisht, shpjeguar dhe studiuar, vëllimi
I, Bejrut, 1966, fq. 33.