Duaja- arma sekrete e besimtarit
(Shkodër,
më 26 qershor 2009 )
Nëpërmjet minberit të xhamisë së Tophanës, në xhumanë e datës 26
qershor 2009, hatibi i kësaj xhamie, thirrësi islam Muhamed
Sytari ka nisur një cikël të ri hytbesh, rreth dobive dhe
sekreteve të duasë, lutjes, me të cilën njeriu i drejtohet Zotit
Fuqiplotë në momente të ndryshme të jetës së tij.
Në hytben e tij, Sytari është përqendruar te logjika e duasë, me
të cilën njeriu i drejtohet Zotit të tij. Gjithashtu ai ka
treguar se përse njeriu duhet të lutet dhe të pajiset me
sekretet e saj, në shërbim të besimit, harmonisë dhe qetësisë së
tij në jetë.
“Raporti i njëriut me duanë, është si raporti i fëmijës me
prindin e tij. Një
marrëdhënie normale dhe krejtësisht legjitime. Fëmija ka nevoja
të shumta, për të cilat i drejtohet natyrshëm prindit të tij.
Poashtu edhe besimtari, në momentet më të vështira të jetës, por
jo vetëm, i drejtohet pa ndrojtje Zotit të tij, që është i
Plotfuqishëm, Dëgjues, Posedues i gjithësisë dhe i shkaqeve të
çdo gjëje në këtë jetë.”- ka thënë në fillim të këtij arsyetimi
hatibi i Tophanës.
Më pas, nëpërmjet ajeteve kur’anore, haditheve të sakta dhe
ngjarjeve reale, ai ka vërtetuar domosdoshmërinë e angazhimit të
njeriut me lutjen dhe vlerën e madhe që ka ajo në jetën e tij.
Gjatë hytbes së tij, thirrësi islam Muhamed Sytari nuk ka lënë
pa përmendur as sekretet e shumta që ka duaja, sidomos në
parandalimin e “dëmeve dashakeqe që mund t’i ndodhin njeriut nga
zilija, xhelozia ekstreme, smira e dashakeqësia e të tjerëve.
Njeriu që lutet në vazhdimësi, pajiset me një imunitet hyjnor, i
cili është i padepërtueshëm nga çdo lloj ndikimi fizik e
material, me të cilin njerëz të ligj mundohen të dëmtojnë të
tjerët, nga padija e tyre, mungesa e besimit dhe
shpirtvogëlsia”.
“Njeriu që vazhdimisht lutet, e përmend në vijimësi All-llahun
dhe mbështetet me besim në Të, është i mbrojtur nga e keqja e të
këqinjve, cytjet e tyre, sprovat dashakeqe etj.”- ka mbaruar ai
hytben e kësaj xhumaje.
V. Mehmeti