“Unë shoh se
jo shumë larg, drita e Islamit do të ndriçojë
Evropën”
(Shkodër, më 08 dhjetor 2008)
Ditën e parë të Kurban Bajramit, thirrësi islam Muhamed Sytari,
nëpërmjet valëve të Tv1 Channel, ka uruar mbarë muslimanët
shqiptarë me rastin e kësaj dite të bukur feste e gëzimi.
I ftuar në emisionin e gazetarit Ergys Bamçi,
“Mulliri i mëngjesit”, Sytari ka shpjeguar domethënien e
kësaj dite dhe simbolikën e saj, sikurse ka transmetuar disa
mesazhe në lidhje me mësimet dhe dritën e fesë islame.
“Do të ishte mirë sikur edhe mediat qëndrore shqiptare të
transmetonin live pelegrinazhin më të madh në botë, atë të
haxhit, që sidoqoftë është më i rëndësishëm se shumë
pelegrinazhe që u transmetohen muslimanëve shqiptarë nëpërmjet
valëve të tyre! Megjithatë, unë shoh se jo shumë larg, drita e
Islamit do të ndriçojë Evropën! Drita e Kur’anit do të përzihet
me dritën e teknologjisë dhe përparimit perëndimor, për të parë
një njeri më të ditur, më dashamirë, më ndërtues të jetës!
Dita-ditës, rinia perëndimore po e kupton humanizmin e Islamit
dhe gënjeshtrën e madhe mediatike që thuret me kohë kundra
mësimeve të pastra islame”- ka thënë ndër të tjera ai.
I pyetur se përse flamuri kombëtar
është vendosur në këtë ditë feste në xhaminë e Parrucës, ai duke
buzëqeshur, ka thënë: “Nuk është çudi një gjë e tillë! Kurban
Bajrami është festë e muslimanëve shqiptarë, festë e
shqiptarëve! Nga ana tjetër, dëshmon angayhimin e muslimanit
shqiptar për të qenë ndërtues i harmonisë kombëtare, harmonisë
ndërfetare! Flamuri kombëtar, është flamuri ynë dhe si i tillë,
na takon ta valëvisim në rast festash e ditësh gëzimi!”
I pyetur në lidhje me mesazhin e kësaj
Feste, ai ka thënë: “Është ditë e bamirësisë, e sakrificës
për të mirën e përkushtimin në jetë. Është ditë që na fton të
mësojmë nga sakrifica e papërshkrueshme e plakut të urtë, Hz.
Ibrahimit (a.s), për të sakrifikuar secili prej nesh në jetën e
tij diça për hatër të Zotit Krijues!”.
Emisioni është ndjekur me shumë
vëmendje nga një audiencë e konsiderueshme, jo vetëm në Shkodër,
por edhe përtej saj.