Për diturinë, në ixhazetin e H. Muhamed Bekteshit

(dituria është e lartësuar në veten e saj dhe e dashur për veten e saj) 

Disa herë kam marrë të shkruaj rreth personalitetit të dijetarit islam shkodran, të njohur në rrethet besimdrejte të qytetit tonë, si: “Haxhi Muhamedi”. Për H. Muhamed Bekteshin kam dëgjuar të flitet me nostalgji, me kujtime nga më të mirat e më tërheqëset e shpesh të shoqëruara edhe me lot malli, nga më të moshuarit besimtarë, me të cilët jam takuar e kam biseduar, në krye të të cilëve qëndron me madhështi gjyshi im, rahmet pastë, i cili ishte “i dashuruar” pas hoxhallarëve me zë të Shkodrës dhe vaseve të tyre, që shpesh i riprodhonte në ndenjat e tij të këndëshme, të mbushura me dije e urtësi njerëzish të ditur e të urtë.

  ixhazeti Vitet kalonin e dëshira ime për të realizuar këtë qëllim, sa vinte e shtohej, mirëpo hapësirat ishin fare të ngushta e mundësitë të pakëta. Të tjerë, para meje, kishin shkruar e kishin rreshtuar mjaft fjalë, rreth tij. Të tjerë, herë pas here, më tregonin argumente të pabotuara më parë rreth personalitetit dhe gjurmëve të H. Muhamed Bekteshit, por që asnjëherë nuk denjuan të m’i jepnin për studim, ndonëse insistimi dhe dëshira ime ishin më të etur se kurrë. Bënë zgjedhjen e tyre të gabuar...

   Kaluan vite dhe sëbashku me to edhe ditë të tëra të mbushura me kërkim e hulumtim rreth gjurmëve të hoxhallarëve të ndritur të Shkodrës.

   Teksa isha angazhuar maksimalisht me studimin e jetës, veprës, gjurmëve dhe bibliotekës së H. Qamil Tresit, papritur një dritë e bardhë doli nga njëra prej valixheve, ku qëndronin librat e vjetër të hafizit tetovar... ndriçoi edhe natën e errët dhe orët e para të asaj dite të re, që do të ishte fatlume për mua dhe islamologjinë shqipe... Për herë të parë, po prekja të famshmin ixhazet... atë diplomë hyjnore, që dijetarët e Shkodrës ia përcillnin brezave të rinj, në mbrojtje dhe kultivim të vlerave dhe diturive islame... Ishte ixhazeti që H. Muhamed Bekteshi i kishte dhënë H. Qamil Tresit. Ishte i plotë, me një shkrim të bukur e tërheqës, me një kaligrafi të qartë e artistikisht të qetë.  Çdo gjë brenda asaj broshure njëzet faqëshe (ixhazeti i dhënë) fliste dashuri për fenë, dashuri për dijen, dashuri për brezat e ardhshëm, dashuri për amanetin, dashuri për dashurinë që të nxit të bëhesh pishtar udhëzimi..! E mora para duarve, si një gjë të çmuar, shumë të çmuar. E shfletova. Kudo ndihej prekja e H. Muhamed Bekteshit. Në moment, ama fare pak, më erdhën ndër mend ato çaste kur kërkoja të merrja qoftë edhe një kopjo të thjeshtë të atyre argumenteve që dëshmonin madhështinë e këtij njeriu të ditur, e që asnjëherë nuk m’u dhanë... dhe mendova madhështinë e begative hyjnore dhe shpërblimin e insistimit të sinqertë... Isha i bindur se All-llahu Mëshirëplotë, e kishte shpërblyer durimin tim me argumentin më të rëndësishëm, që vërtetonte katërciprisht vlerat e H. Muhamed Bekteshit (sikurse edhe të muxhazit të tij) dhe trashëgiminë e tij fetare, të lidhur me një zinxhir të artë besimi e dashurie, që buronte nga burimet e pashterrshme të Resulull-llahit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme.

   Ixhazetin e botova për të parën herë në monografinë kushtuar Hafiz Qamil Tresit, sepse në fund të fundit i takonte atij të prezantohej i pari me diplomën e fituar nga një dijetar i tillë, dija e të cilit buronte nga burimi më i madh i dijes dhe i devotshmërisë.

   Me kalimin e ditëve, disa miq më sugjeruan që ixhazetin në fjalë dhe pjesët përbërëse të tij t’i shkoqisja edhe më shumë, për efekt të evidentimit të vlerave dhe t’i prezantoja në sahifet e kontributeve fetare, shkencore dhe arsimore të H. Muhamed Bekteshit.    

   Këtë mora të bëj edhe për një arsye tjetër, gëzimin e madh që më dhuroi gjetja e ixhazetit, që e konsiderova edhe si një “borxh” për studimin e jetës dhe gjurmëve të H. Muhamed Bekteshit, të cilin mund ta “laja” vetëm duke u bërë lajmëtar i këtyre vlerave, me të gjitha mundësitë e mia të kufizuara. Këtë vendosa ta bëj në këtë studim, me mbarësinë e Zotit.

 

Muhamed Sytari

 

Bismil-Lahirr-Rrahmanirr-Rrahim

   Falënderimi i takon All-llahut që e ka lidhur dijen për qafë të dijetarëve, të cilët, me butësinë dhe mirësinë e Tij, i ka bërë trashëgimtarë të Profetëve[1] dhe të asaj që ka folur ai që s'flet nga vetja e vet[2].

   Salati dhe selami qofshin mbi atë që urdhëroi ymmetin e tij për të kërkuar diturinë, duke thënë: "Kërkojeni diturinë qoftë edhe në Kinë"[3], edhe përmbi familjen dhe sahabët e tij, të cilët e zbatuan urdhërin e tij dhe u bënë njerëz të diturisë dhe të bindjes (jekin).

   Thotë më i përuluri i robëve[4], nevojtar i mëshirës së Zotit të tij, në çdo kohë, sidomos në kohën e tenâdit[5], Muhamedi i Bekrit[6] të Mahmud Shkodranit, i faltë All-llahu me butësinë e Tij të përjetshme:

   Më e vlefshmja punë, për të cilën është shpenzuar koha, më i dobishmi ushqim, me të cilin janë ushqyer shpirtrat, më e ndershmja punë, për të cilën është lënë edhe kënaqësia e gjumit dhe më e madhnueshmja gjë, për të cilën kanë vrapuar këmbët, është zënia e diturive.   

   Sepse dituria është dalluesi në mes të ngurtësirave dhe gjallesave dhe sepse pa të nuk i thuhet personit, njeri![7]

   Për vlerën e diturisë ka bërë shenjë edhe All-llahu i Madhëruar, në Librin e Tij Famëlartë, kur thotë: [Thuaj: "A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?"][8] dhe thotë: "Pyetni njerëzit e dijshëm, nëse nuk dini"[9] dhe thotë: "Këta janë shembuj që Ne ua sjellim njerëzve, po këta nuk i kupton kush pos dijetarëve"[10]. Dhe mjafton shenjë e madhështisë së gradës së saj, që All-llahu ka urdhëruar atë[11] që ka arritur dijet e të parëve e të mramëve dhe që i ka kaluar ata me zgjuarsi e kuptim, duke i thënë: ["Zoti im, më shto dituri!"][12].

   Ka thënë i Dërguari i All-llahut (s.a.v.s): "Atij që All-llahu ia do të mirën, e bën të ditur në fé dhe i inspiron pjekurinë". Thotë gjithashtu i Dërguari i All-llahut (s.a.v.s): "Dijetarët janë trashëgimtarë të Profetëve".

   Është e ditur se nuk ka gradë më të lartë sesa profetësia dhe nuk ka nder më të madh sesa nderi i trashëgimisë së kësaj grade!

   Ka thënë i Dërguari i All-llahut (s.a.v.s): "Për dijetarin kërkon falje çdokush, në qiej e në tokë, deri balenat në det". Kush atëherë e ka gradën më të lartë sesa ai, për istigfarin e të cilit janë të angazhuar melekët e qiejve e të tokës, njëkohë që ai është i zënë me veten e tij?

   Ka thënë i dërguari i All-llahut (s.a.v.s): "Urtësia ia shton të ndershmit ndershmërinë dhe e lartëson skllavin derisa të arrijë lartësitë e mbretërve". Profeti (a.s) ka treguar për frutet e diturisë në këtë botë, por Ahireti  është më i mirë e më i qëndrueshëm!

   Ka thënë i Dërguari i All-llahut (s.a.v.s): "Mirësia e dijetarit mbi adhuruesin është si mirësia ime mbi sahabët e mi". E pyetën: O i Dërguar i All-llahut: Cila është puna më e mirë? Tha: "Dituria fetare (el-ilmu bil-lah)" I thanë: Po të pyesim për punën dhe na përgjigjesh për diturinë? Tha (s.a.v.s): "Puna e pakët me dituri fetare është më e dobishme sesa puna e shumtë me injorancën fetare".

   Në hadithin e Ebu Dherrit (r.a) thuhet: "Prezantimi në mexhlisin e një dijetari është më i mirë se falja e 1000 rekatëve (nafile), se vizitimi i 1000 të sëmurëve dhe se dëshmia e 1000 xhenazeve." Thanë: O i Dërguar i All-llahut: Edhe se këndimi i Kur'anit? Tha (s.a.v.s): "Po pse, a nuk vlen Kur'ani, përveç se me dituri?".

   Ka thënë i Dërguari i All-llahut (s.a.v.s): "Atij që i vjen vdekja duke kërkuar diturinë për të gjallëruar Islamin, do të jetë në xhennet një shkallë poshtë Profetëve"[13].

   Është pyetur Ibnul-Mubarek: "Kush quhen njerëz? Ka thënë: Dijetarët! Po mbretër? Ka thënë: Asketët. Po njerëz të ulët? Ka thënë: Ata që e hanë botën me fé!", pra nuk ka konsideruar dikë tjetër pos dijetarit prej njerëzve, sepse veçoria më e madhe që e dallon njeriun nga bagëtitë, është dituria. Pra njeriu nderohet me atë që është nderuar për hatrin e tij; dituria!

   Me kaq po mjaftohemi në tregimin e lartësisë së vendit të dijes dhe madhështisë së saj në argumentet e transmetuara, të cilat janë akoma më shumë. Ai që ka dëshirë të thellohet, të lexojë tefsirin e ajetit: "E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjithë emrat (e sendeve)…"[14], në të cilin Imami[15] thotë: "Dije se qënia e diturisë cilësi e plotësimit dhe e nderit, dhe qënia e injorancës cilësi mangësie, është një çështje esenciale fetare për dijetarët. Për këtë kur një të dituri i thuhet: "O injorant", ai hidhërohet, edhe pse e di mirë gënjeshtrën e këtij pretendimi. Ndërsa po t'i thuhet injorantit: "O dijetar", ai gëzohet, edhe pse e di mirë se nuk është ashtu. E gjitha kjo vërteton se dituria është e lartësuar në veten e saj dhe e dashur për veten e saj, ndërsa injoranca është e mangët në veten e saj. E nëse injoranca është nëna e çdo të keqeje, dituria është nëna e fisnikërive, e kush e arrin atë ka arritur çdo të arritshme".

 



[1] Sipas hadithit të transmetuar nga Ebu Derdai (r.a), ku Profeti (a.s) ka thënë: “Dijetarët janë trashëgimtarët e Profetëve”. Hadithi transmetohet nga Ahmedi e shumë të tjerë. Shih: Imam Axhluni, "Keshful khafa`", hadithi nr. 1743.

[2] Nënkupton Profetin Muhammed (a.s) dhe përcaktimin që i bën Kur’ani Famëlartë: “Dhe ai nuk flet nga mendja e tij”- (53:3).

[3] Në lidhje me këtë citat, ka disa fjalë. Këtë citat e ka shënuar edhe Imam Sujuti në "El-xhamius-sagir", me numër 1110 dhe 1111, me ca shtesa, duke shënuar se është transmetuar nga: el-Akili në "Ed-duafa", Ibni Adijji në "El-Kamil", Bejhekiu në "Shuabul-iman" dhe Ibnu Abdil-Berr në "El-Ilm", nga Enesi (r.a) dhe duke e pasuar me simbolin e hadithit të dobët. Në shpjegim të tij, Imam Mennavi në "Fejdul-Kadir", v. 1, fq. 675, sqaron: "Ka thënë Bejhekiu: Metni (pjesa e citatit) është shumë i njohur (meshhur), ndërsa isnadi (zinxhiri i transmetimit) është i dobët. Është transmetuar nga rrugë, të gjitha të dobëta", dhe vazhdon duke cituar Imam Sekhaviun që thoshte: "I dobët, madje Ibni Hibbani e ka konsideruar si të paqenë (batil), pa bazë (la asle lehu), ndërsa Ibnul-Xheuzi ka vendosur për shpifjen e tij (meudu)". Ai përmend edhe Imam Dhehebiun, që në "Talkhisul-vahijat", në lidhje me këtë citat thoshte: "Është transmetuar nga disa rrugë të dobëta, ku ka edhe të shëndosha (salih)". Po mbi këtë citat, Imam Axhluni në "Keshful-khafa", v.1, fq. 124, thotë: "Është transmetuar nga Ebu Ja'la vetëm me këto fjalë: "Kërkojeni diturinë, qoftë edhe në Kinë"...".

[4] Këto shprehi, si: “më i përuluri”, “i varfëri”, “i dobëti nevojtar”, “i huaji”, e të ngjashme me to, janë prezente në shënimet dhe shkrimet e dijetarëve të shkuar islamë. Traditën e tyre e ndjekin edhe sot shumë prej tyre.

[5] Fjala tenâd, është përmendur vetëm një herë në Kur'anin Famëlartë, në suren "Gafir: 32", ku thuhet: "O populli im, unë kam frikë për ju ditën e britmës (të mjerimit)". Ajo ditë është dita e kiametit, "atë ditë kur jobesimtarët do të thërrasin njëri-tjetrin për ndihmë, nga vështirësia e asaj dite"- Shih: Grup autorësh, "El-meusuatul-Kur'anijjetul-mujessere", botimi i 3- të, Damask, 2002, fq. 471.

[6] Beqirit.

[7] Në ixhazetin që i jep muxhizi Muhamed Said, myftiut të Shkodrës Adem ef. Vehbiut (1904-1914), shënohet: “Dijetarët janë udhëzues për ata që e kërkojnë atë, ndërsa të tjerët (ata që nuk e kërkojnë udhëzimin dhe diturinë), janë trupa të krijuar, si shembulli i kafshëve, pa mendje e mendim...”.- Ixhazetin në fjalë e kam gjetur rastësisht, duke hulumtuar rreth gjurmëve të hoxhallarëve të vjetër shkodranë, më 10. 04. 2007.

[8] Kur'ani: Zumer: 9.       

[9] Kur'ani: Enbija: 7.         

[10] Kur'ani: Ankebut: 43.

[11] Profetin Muhammed (a.s).

[12] Kur'ani: TaHa: 114.

[13] Këtë hadith e përmend edhe Imam Razi gjatë komentimit të ajetit 31 të sures "El-Bekare": "E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjithë emrat (e sendeve)…", ku ia atribuon transmetimin e tij Hasanit, merfuan. Shih: Imam Fekhruddin er-Razi, "Et-tefsirul-kebir", vëll. i I-rë, fq.166.

[14] Kur'ani: Bekare: 31.    

[15] Ndoshta ka për qëllim Imam Fekhruddin Razin, i cili ka një koment të ngjashëm rreth këtij ajeti, me të lartpërmendurin, në tefsirin e tij "Et-tefsirul-kebir", në faqet 161-191.