ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

“Dhikrull-llah!”

(Shkodër, e xhuma, më 6 shkurt 2009) 

Në hytben e parë të këtij muaji, në xhaminë e Tophanës, thirrësi islam Muhamed Sytari ka folur mbi vlerat dhe dobinë e dhikrit, përmendjes së All-llahut.

Nëpërmjet ajeteve të shumta, haditheve dhe citateve të ndryshme, ai ka treguar se përse muslimani duhet të jetë i lidhur ngusht me përmendjen e Zotit.

“Një jetë pa dashuri është e varfër! Ai që nuk e ka provuar dashurinë në jetën e tij, është mjeran! Ai që nuk jeton me flladet e dashurisë, jeton si çdo frymor mbi faqen e dheut! Nga këtu them, se kushdo prej nesh që nuk ka arritur ta dojë Zotin e tij nëpërmjet mirësive dhe dhuntive të shumta me të cilat e ka mbuluar, është varfanjak! E kushdo që dashuron, nuk mund të rrijë larg përmendjes së dashurisë së tij, ditën dhe natën! Ai që dashuron, bie me dashurinë e tij dhe ngrihet me të. Ai, edhe kur merr frymë, në të vërtetë merr erën e dashurisë së tij! Po besimtari? Po ai, të cilit Krijuesi i gjithësisë i drejtohet duke i thënë: “Unë të përmend e ti më harron! Unë të dua për Vete e ti shkon diku tjetër…”?”- ka thënë në fillim të hytbes së tij Sytari.

Më pas, nëpërmjet një transmetimi të Bejhakiut nga Ibni Omeri (r.a), ai ka cituar hadithin e profetit (a.s): “A t’ju tregoj për më të mirën e punëve tuaja, më të pastrën te Mbreti juaj, më lartësuesen e gradëve tuaja, më të mirë se dhënia e arit dhe parasë dhe më të mirë se të takoni armikun tuaj, t’ju godasë e ta goditni? – DHIKRULL-LLAH!”.

Në hytben e tij, hatibi i Tophanës, ka cituar edhe dijetarin e madh Ali Dekkak, i cili duke treguar vlerat e dhikrit thotë: “Dhikri është një kolonë e fortë në rrugën e All-llahut, madje është themeli i kësaj rruge! Asnjëri nuk do të mbërrijë tek All-llahu, veçse me vijimësinë e dhikrit

Në përfundim të hytbes së kësaj xhumaje, ai u ka bërë thirrje xhematit të xhamisë Tophanë, për të kontribuar për të mirën e xhamisë. “Sado që të ketë xhamia, asnjëherë nuk është mjaftueshëm! Sado që japim për xhaminë tonë, asnjëherë nuk është shumë! Sadekaja shuan zemërimin e All-llahut e, cili prej nesh nuk e ka zemëruar Zotin e tij me veprimet e ndryshme gjatë ditëve që kalojnë!? Prandaj të përfitojmë nga këto mundësi që na jep All-llahu për të bërë mirë e për të përkrahur shtëpinë e Tij”- ka nxitur ai.

Në përfundim të faljes së namazit të xhumasë, të pranishmit kryen edhe lutjen tradicionale në gjuhën shqipe, nën drejtimin e thirrësit islam Muhamed Sytari.

 

Ahmed Mahiri