ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Dersi i natës së xhuma në xhaminë e Tophanës

(Shkodër, e enjte, më 22 tetor 2009) 

Ditën e enjte, pas namazit të akshamit, në xhaminë e Tophanës ka nisur “Dersi i natës së xhuma”, vasi i përjavshëm, mbajtur nga vaizi dhe hatibi i kësaj xhamie, Imam Muhamed Sytari.

Në dersin e parë të kësaj nate, vaizi i xhamisë Tophanë, ka sqaruar: “Po nisim sonte, me mbarësinë e All-llahut, leximin dhe komentimin e 40 haditheve të Imam Neveviut, si një domosdoshmëri për secilin prej nesh në rrugën e thellimit të dijes dhe afrimit me mësimet e fesë tonë të pastër. Këto 40 hadithe konsiderohen si ajka e fjalëve të profetit Muhammed (a.s). Imam Neveviu, si një dijetar i shquar dhe i konfirmuar për diturinë dhe përkushtimin e tij, i ka komentuar ato në më të mirën mënyrë. Prandaj, shpresojmë që gjatë këtyre javëve, në shoqërinë e tij, të kemi mundësi të përfitojmë sa më shumë dhe të kuptojmë si duhet qëllimet e fjalëve të Resulull-llahit (a.s)”.

Dersi i kësaj nate është përqendruar te hadithi i parë, “Të gjitha punët vlerësohen sipas nijetit”, i cili është konsideruar nga dijetarët e Islamit si “gjysma e fesë” dhe “një e treta e krejt dijes”.

Të pranishmit e shumtë, kanë patur mundësi të dëgjojnë edhe hadithe, ajete dhe ngjarje nga historia islame në shpjegim dhe komentim të hadithit të parë, prej 40 haditheve të Imam Neveviut.

V. Mehmeti