ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Dersi i xhumasë në Greenway Masjid

(Phoenix, 5 shtator 2009) 

E xhumaja e parë në xhaminë e shqiptarëve të Phoenix, përveç dëshirës natyrale të një thirrësi islam, kënaqësisë legjitime dhe sikletit të prezantimit me një numër më të madh besimtarësh, nga ata që prezantojnë në netët e teravisë, barte me vete edhe përgjegjësinë e komunikimit me secilin prej tyre, zemrën dhe mendjen që pas pak do të përqendroheshin para duarve të vaizit të ulur në kursinë e dersit.

Me të hyrë në xhami, sipas programit, zura vendin e caktuar të predikuesit, meqë për pak do të fillonte vasi i ditës së xhuma. Duke parë edhe realitetin e xhamisë së re të muslimanëve shqiptarë të këtij shteti, mendova të flas mbi rëndësinë dhe vlerën që ka jeta e xhamisë dhe mënyrat e organizimit për ruajtjen dhe përhapjen e mesazheve islame që dalin prej saj.

Xhamia e Qendrës Islame Shqiptare Amerikane të Phoenixit, është ndërtuar fillimisht në vitin 2004, ndërkohë më 10 maj 2009 ka përfunduar rikonstruksioni dhe transformimi i saj në pamjen bashkëkohore që ka sot, me mjediset dhe orenditë e nevojshme për funksionimin normal të jetës fetare në të.

Para fillimit të dersit, imami i xhamisë më lajmëroi se të pranishëm në dersin e kësaj xhumaje janë edhe disa vëllezër arabë, prandaj duhet të merrja parasysh edhe hisen e tyre nga dersi që do të mbaja pas pak, dmth, më duhej që një pjesë të kohës së tij ta ndaja edhe për ta, gjë që nuk përbënte aspak problem (ndonëse ishte një eksperiencë e re).

Nga kursija e dersit të pranishmit janë kudo njëlloj, pa marrë parasysh vendin, por në rastin konkret, teksa isha ulur në vendin e predikuesit, në njërën prej 17 faltoreve të Phoenixit. Emocionalisht ndjehesha ndryshe nga herët e tjera, me një dëshirë të papërshkrueshme për të sjellë dobi nëpërmjet vasit që do mbaja para tyre.

Xhamia e shqiptarëve është e re, ndaj mendova që do të ishte e dobishme të flisja mbi rëndësinë dhe dobitë e xhamisë, angazhimin dhe interesimin që duhet të tregojnë besimtarët karshi saj, sidomos në realitete sociale si ai amerikan, ku jeta është shumë e vrullshme, aktive dhe njerëzit nuk e kanë kohën të mjaftueshme për të qenë pranë xhamisë në çdo moment.

Dhe nisa të flas… Shembujt e historisë së shkuar të Shqipërisë në marrëdhënie me Islamin dhe xhaminë, më morën për dore drejt rrëfimit të disa syresh, për të kujtuar ngjarje të zeza të një kohe të kuqe me njerëz pa ngjyrë, të cilët me duart dhe zemrat e tyre derdhën injorancë kudo në vendin tonë. Disa prej tyre u mburrën publikisht për shkatërrimin e xhamive të lagjes, duke i kthyer ato “nga institucione të errësinës dhe vatra të propagandës së çfrenueme kundër interesave të popullit në qendra për edukim dhe argëtimin e brezit të ri”, sikurse shkruan gazeta famëkeqe “Zëri I Popullit”, më 26 mars 1967… Ky fakt e shumë të tjerë nuk duhen harruar asnjëherë, në mënyrë që brezat e ri që po vijnë të mësojnë se pse u shkatërruan xhamiat tona dhe njëkohësisht të mos lejojnë përsëritjen e historisë më mjeruese të shqiptarëve nën zgjellën e ateistëve!

Nuk duhet ta braktisni xhaminë tuaj, duhet ta konsideroni si pjesë të rëndësishme të jetës, si familja, puna e shtëpia. Xhamia është vendi i adhurimeve, i organizimit tonë, i formimit shpirtëror e intelektual, prandaj duhet ta falënderoni All-llahun për këtë xhami të re e të bukur me të cilën ju ka pajisur. Detyra e secilit është që lajmin e xhamisë ta përcjellë te anëtarët e tjerë të shoqërisë shaiptare këtu në Arizona, të përpiqet për përmirësimin e pozitës së saj, të bëhet korrier i mirësisë që buron prej saj në shoqërinë amerikane! – ishin disa prej mesazheve të dhëna në këtë ditë të xhuma.

Hasani (r.a) thoshte: “Kush vazhdon të vijë në xhami do të përfitojë tetë të mira: Një ajet të qartë, një vëlla të dobishëm, një dituri të precizuar, një mëshirë të garantuar, një fjalë që e udhëzon drejt së mirës, ose e largon nga e keqja, largimin nga gjynahet, nga turpi a nga frika e Zotit”!

Dersi vazhdoi edhe në gjuhën arabe, ku nëpërmjet syve të xhematit të pranishëm arabishtfolës, kuptova se edhe ata morën diçka të re sot, në xhaminë e shqiptarëve të Phoenix.

Pas faljes së namazit të xhumasë, nëpërmjet shtrëngimit të duarve dhe përqafimeve, ndjehej dukshëm kënaqësia e kësaj dite, prehja dhe qetësia që na kishte mbuluar të gjithëve, teksa ndanim hiset e mëshirës dhe begatisë së fituar në këtë ditë të madhnueshme agjërimi…

 

Muhamed Sytari

           

           

Dersi i xhumasë në Greenway Masjid
Dersi i xhumasë në Greenway Masjid
Dersi i xhumasë në Greenway Masjid