Muhamed Sytari
thirrës islam
"Darka e Resulull-llahit" në xhaminë e fshatit Bardhej
(Shkodër,
e diel, më 20 prill 2008 )
Namazi i iqindisë së kësaj dite ka mbledhur me qindra besimtarë
muslimanë të fshatit Bardhej e përreth tij, në xhaminë e re të
këtij fshati, në përkujtim të lindjes së begatë të hazreti
Muhammedit (a.s) dhe misionit të tij universal, si mëshirë e
dhuruar.
Në këtë
ceremoni festive kanë qenë të pranishëm: ish-myftiu i Shkodrës
h. Faik Hoxha, thirrësit islamë Muhamed Sytari, Lavdrim Hamja,
Altin Nikshiqi, imami i xhamisë së Tophanës, njëkohësisht edhe
vaiz e hatib i xhamisë së Bardhejve, Ilir Dizdari.
Pas
faljes së namazit të iqindisë, ceremonia ka nisur me leximin e
disa ajeteve kuranore nga thirrësi islam Lavdrim Hamja.
Në fjalën e tij
të rastit, h. Faik Hoxha, ka folur mbi vlerën që bart në
vetëvete tubimi i muslimanëve në përkujtim të pejgamberit tonë,
hz. Muhammedit (a.s). Ai ka tërhequr vëmendjen e të pranishëmve
drejt shtimit të përkujtimit të Resulull-llahit (a.s) me
salavate, lexime të ndryshme të jetës së tij, si dhe përvetësim
të këtyre mesazheve për t’i praktikuar më pas në jetë.
Fjalimi i tij
është pasuar me këndimin e disa ilahive dhe pjesëve të mevludit
nga h. Faik Zaganjori, z. Sami Muçej
dhe grupi i të rinjve të xhamisë Bardhej.
Në fjalën e tij,
me këtë rast, thirrësi islam Muhamed Sytari, ka folur mbi
dashurinë e sahabëve për pejgamberin (a.s). Duke iu referuar
momenteve të fundit të jetës së Resulull-llahit (a.s) dhe disa
episodeve emocionale nga marrëdhënia e sahabëve me profetin e
tyre, ai ka nxitur të pranishmit drejt thellimit të ndjekjes së
shembullit të hz. Muhammedit (a.s) në jetën e tij. Ai i ka bërë
thirrje të pranishëmve të kujdesen për besimin e fëmijëve të
tyre, për fenë e tyre, për arsimimin dhe të ardhmen e tyre, që
si muslimanë, duhet të jetë sa më e ndritur e plot arritje.
Kjo ceremoni ka
vijuar me këndime të tjera dhe është mbyllur me duanë e mevludit
të kënduar me shumë dashuri nga h. Faik Zaganjori, që ndonëse në
moshë të thyer dhe në kushte jo të mira shëndetësore ka
sakrifikuar për të qenë i pranishëm në këtë tubim vlerash.
Pas faljes së
namazit të akshamit, në një prej ambienteve të jashtme të
xhamisë
është
shtruar “Darka e Resulull-llahit”- kështu e ka
quajtur këtë sofër, në fjalën e tij përshëndetëse në prani të
ftuarve të shumtë nga i gjithë fshati, thirrësi islam Muhamed
Sytari.
“Le të
jetë një traditë e mbarë dhe e mirë, kjo që po bëjmë sëbashku
sonte në këtë xhami, në këtë tubim, në këtë ditë përkujtimi të
pejgamberit tonë, hazreti Muhammedit (a.s). Përcjelleni edhe të
tjerët gëzimin e kësaj sofre, tregojuani fëmijëve tuaj, të
rinjve, përhapeni gjithandej lajmin e “Darkës së Resulull-llahit”,
i cila na ka mbledhur sonte si vëllezër besimi në xhaminë tuaj”-
ka thënë ai në fjalën e tij përshëndetëse.
Kjo ceremoni e
veçantë u mbyll me përqafime e lutje të ngrohta.
Ilir Dizdari,
vaiz i xhamisë Bardhej