ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

“Copëza nga universaliteti i besimtarit” 

(Arizona, e Xhuma, më 01 janar 2010) 

Qendra Islame Shqiptare Amerikane e Arizonës
Hytbeja e Xhumasë mbajtur më  01-01-2010
Tema: “Copëza nga universaliteti i besimtarit” 
Hatib: Imam Didmar Faja
 

 
Të gjitha falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut.
Paqja dhe faljet e Tij qofshin mbi të dërguarin e fundit, Muhamedin (a.s.), familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndoqën rrugën e tij.
O Zot, na nxjerr nga errësira e injorancës dhe e iluzioneve, në dritën e “njohjes” dhe diturisë
dhe na përfshij me Mëshirën Tënde në robërit Tuaj të devotshëm.
 
Të nderuar besimtarë!
 
Në jetën tonë të përditshme, gjithmonë mundohemi ti vendosim rëndësinë e duhur veprave primare dhe nuk ka dyshim se një gjë e tillë është e domosdoshme dhe e rëndësishme për mbarëvajtjen e jetës dhe familjes sonë.
Ka nga ata individë në shoqëri që i kushtojnë njëqind për qind rëndësi vetëm veprave primare në jetë dhe të tjerat për ta nuk kanë rëndësi. Një gjë e tillë nuk tregon universalitet tek njeriu. Disa vepra që në pamje të parë na duken të rëndomta, tek Allahu mund të kenë një peshë shumë të madhe. Le ta marrim për shembull karakterin e Profetit Muhammed (a.s.). Ai ishte njeri që i kushtonte rëndësi të gjitha shtresave njerëzore. Ai kishte dhëmbshuri dhe tregonte vëmendje dhe për kafshët dhe bimët, me një fjalë, ishte vërtetues i versetit kur’anor, “Dhe ne nuk të kemi dërguar ty (Muhammed), përvec se mëshirë për të gjitha botërat.”
Në një hadith profeti tregon se një njeri u shpërblye me xhennet, thjeshtë se i kishte dhënë për të pirë ujë një qeni të etur në shkretëtirë. A nuk tregon ky fakt se dhe veprat që në syrin tonë duken të vogla, tek Allahu kanë një domethënie të madhe?
 
Profeti (a.s.) kishte kohë dhe vullnet për të gjithë duke pasur para sysh se ankesa e një të varfëri ose e një të përbuzuri vlente aq ose dhe më shumë se ankesa e të pasurit ose e autoritarit.
Shoku i profetit, Amr Ibn El-As (r.a.), i cili para se të pranonte Islamin ishte një nga armiqtë kryesorë të profetit dhe muslimanëve, duke folur për vecoritë e Profetit (a.s.), tha: “ I dërguari i Allahut, ka treguar vëmendje, ka folur, dhe ka treguar dashuri  dhe për atë më të ulurin në vendin tonë, në atë mënyrë që personi ta ndiejë se dikush edhe atij i shfaqë vëmendje të vecantë. Ai më jepte mua vëmendje të vecantë dhe fliste me mua në një mënyrë të tillë, saqë fillova të ndihesha se isha më i miri në mesin e komunitetit.”
Me plot kuptim është dhe fjala, të cilën i dërguari i Allahut e tha: “Me të vërtetë, unë jam dërguar mëshirë dhe jo mallkim.”
 
Të nderuar vëllezër dhe motra:
 
Pa dyshim se veprat e mira, qofshin ato të mëdha ose të vogla dhe morali i pastër janë pjesë plotësuese të besimit të Muslimanit. Pejgamberi (a.s.) thotë: “Nga besimtarët, ai që e ka imanin (besimin) më të plotësuar, është ai që posedon  moralin më të mire”.
 
Tregohet se në një dhomë të spitalit u shtruan dy pacienta. Njëri nga ata duhej të qëndronte në këmbë cdo ditë një orë, për të larguar lëngjet që gjindeshin në mushkëritë e tij dhe tjetri duhej të qëndronte në regjim shtrati. Pasi kaluan pak kohë, të dy u njohën me hallet e njëri-tjetrit. Me kalimin e kohës ata njohën njëri-tjetrin më shumë.
Dhoma ku qëndronin kishte vetëm një dritare dhe pacienti që duhet të qëndronte në këmbë një orë në ditë, i tregonte bukuritë që shikonte nga dritarja. Përmes të tjerash që ai përmendte, ishin fëmijët që luanin të gëzuar, liqeni i bukur me njerëz që lundronin me varka të vogla, dielli që lëshonte rrezet e tij mbi cdo gjë, etj… Fjalët e tij pasqyruese të natyrës dhe ambjentit e bënin pacientin tjetër të ndihej më mirë dhe e inkurajonin atë.
Një ditë në mëngjes  infermjerja solli ujë dhe c’të shihte! Pacienti që qëndronte pranë dritares kishte ndërruar jetë. Shoku i tij dëshpërohet dhe pas disa ditësh, kërkon nga infermjerja që të vendosej pranë dritares. Me mundime të shumta drejton trupin e tij dhe sjell kokën nga dritarja për të parë ato bukuri që shoku i tij i tregonte cdo ditë. Në atë moment ai mbeti habitur nga pamja që kishte para syve. Pas dritares dallohej vetëm një mur i spitalit dhe asgjë tjetër. Menjëherë thërret infermieren dhe e pyet atë: “Ku e mori inspirimin e tij magjepsës ai, kur pas kësaj dritare ka vetëm mur?” Infermierja iu përgjigj: “Në fakt, ai nuk arriti ta shikonte as murin pas dritares se ishte i verbër, por të gjithë atë e bëri që të inkurajonte ty!”