Ceremoni promovuese për “MUHTESAR SAHIH EL-BUHARI”
(Tiranë, më 29 maj 2009)
Ceremoni promovuese për librin
“MUHTESAR SAHIH EL-BUHARI”
Versioni i shkurtuar i librit botohet për herë të parë në gjuhën
shqipe nga AIITC. Libri përmban 2230 hadithe autentike, të cilat
shërbejnë si referencë për studiuesit e Islamit, studentët e
fakulteteve teologjike dhe nxënësit e medreseve dhe si
rregullator i jetës e i fesë së çdo besimtari musliman shqiptar.
AIITC promovoi ditën e premte, me 29 maj, njërin nga thesaret më
të çmuara të traditës së Profetit Muhamed (a.s.), pikërisht
librin “Muhtesar Sahih El-Buhari”, i cili për nga rëndësia dhe
autenticiteti vjen pas Kuranit të Shenjtë.
Ky libër ka qenë prej kohësh në vëmendjen e Institutit Shqiptar
të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC) për shkak të vlerës
së tij teologjike dhe për gjerësinë e mesazheve hyjnore,
njerëzore e shkencore që përcjell.
Duke qenë se vepra e plotë përmban një numër të madh hadithesh
të përsëritura, AIITC vendosi që të botonte përkthimin e një
versioni të shkurtuar, me titull “Muhtesar Sahih el-Buhari”
(Përmbledhje e librit Sahih el-Buhari), i përpunuar nga imam
Zejnudin Zubejdi dhe i përkthyer në shqip nga Telat Sula. Libri
përmban 2230 hadithe autentike, të cilat krijojnë një orientim
të saktë informues për të gjithë besimtarët muslimanë.
Për të prezantuar këtë ngjarje të madhe të spektrit botues,
AIITC organizoi një ceremoni promovuese në mjediset e Muzeut
Historik Kombëtar, në të cilën merrnin pjesë teologë,
përfaqësues të trupit diplomatik të Egjiptit dhe të Libisë,
përfaqësues të shoqatave kulturore dhe të komitetit të kulteve,
përfaqësues fondacionesh e forumesh, përfaqësues të medias,
intelektualë dhe besimtarë të grupmoshave të ndryshme.
Botuesi i veprës në gjuhën shqipe, njëkohësisht edhe drejtori i
Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, Dr.
Ramiz Zekaj mbajti fjalën përshëndetëse për të pranishmit dhe
foli mbi vlerat që mbart botimi i publikuar së fundmi nga AIITC.
Ndër të tjera, ai theksoi: “Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i
Qytetërimit Islam, e ka bërë traditë tashmë botimin e veprave të
literaturës islame, për të plotësuar sadopak nevojën e lexuesit
shqiptar për njohjen e botëkuptimit dhe të praktikës fetare
islame. Botimet në këtë fushë kanë qenë të shumëllojshme, duke
filluar me botimin e përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe, me
broshurat e vogla njohëse mbi parimet dhe rregullat bazë të
fesë, e duke vijuar me vepra voluminoze, siç është “Fikhus-Sunneh
/ Legjislacioni i Traditës së Profetit Muhamed a.s.”. Në kuadër
të kësaj veprimtarie botuese është edhe dalja e kësaj vepre
burimore të fesë islame. AIITC përveç kontributit të saj në
botimin dhe publikimin e kësaj vepre, ka organizuar edhe
dhurimin e saj për lexuesin shqiptar.” Në fund të fjalës së tij,
Dr. Ramiz Zekaj tha se puna për publikimin e veprave të
rëndësishme të besimit islam do të jetë e pandalshme nga ana e
Institutit që drejtohet prej tij.
Më tej, fjalën e mori pedagogu i Fakultetit të Shkencave Islame
në Prishtinë, Dr. Sulejman Osmani, ku sipas tij: “Imam Buhariu
është njëri nga trashëgimtarët e vërtetë të gjeneratave
shembullore dhe paraqet rrethin e artë në hallkën e gjatë të
kolosëve që me prodhimtarinë e tyre shkencore lanë gjurmë të
pashlyera në kulturën dhe civilizimin njerëzorë në përgjithësi,
e të muslimanëve në veçanti. Ai paraqet kapacitetin kryesor në
shkencën e hadithit, ndërsa përmbledhja që ai bëri vlerësohet si
libri më i saktë menjëherë pas Kuranit. Aty përmblodhi thëniet
më autentike të transmetuara nga Pejgamberi a.s. Gjithsesi është
më i madhi në mesin e të mëdhenjve. Puna e tij nuk ka idil
tjetër. Buhariu paraqet pikën më të lartë në majën e piramidës.
Ai nuk ofroi vetëm një përmbledhje hadithesh, por solli një
shembull unik në tërë punën e tij duke sistemuar njohuri nga
shkencat e ndryshme islame. Ne në kohën e sotme e kemi shumë të
vështirë ta kuptojmë fenomenin Buhari. Sipas vlerësimeve, ai
ishte imami universal në të gjitha fushat fetare, ndërsa në
hadith ka marrë epitetin “emirul muëminijne ” me çfarë nuk e
shoqëron askush tjetër, qoftë në kohët e mëhershme apo të
mëvonshme. Në çdo pikëpamje ishte i veçantë dhe vetëm si tillë,
me një personalitet kaq madhor të plotësuar në shumë aspekte, ka
merituar të marrë besën e umetit islam për amanetin e kryer në
shërbim të mësimit, ruajtjes, kodifikimit dhe transmetimit të
trashëgimisë së Pejgamberit a.s.
Buhariu ka jetuar rreth 63 vjet, por duke analizuar punën e tij
dhe produktivitetin shkencor të bën të mendosh se një punë e
tillë nuk mund të realizohet as për 630 vjet.” Në mbyllje ai
theksoi: ”Me këtë publikim, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i
Qytetërimit Islam po vendos edhe një gurë shumë të madh në
zhvillimin e mendimit dhe qytetërimit islam. Po kryen një amanet
dhe ka nisur të heqë nga qafa barrën e Sahihut të Buhariut.”
Në vijim, teologu Sabaudin Jashari foli mbi rolin e këtij libri
për formimin e teologëve shqiptarë.
Ai tha se libri është pranuar gjerësisht nga teologët e
vendeve të ndryshme të botës për dy arsye kryesore: Së pari, për
vetë personalitetin e imam Buhariut, për shkak të njohurive dhe
kujtesës së tij të jashtëzakonshme, gjë e cila vërtetohet edhe
me faktin se ai arriti ta shkruante brenda 16 vjetësh
përmbledhjen e tij të haditheve. Së dyti, libri është pranuar
për shkak të metodës që ka përdorur Buhariu në formulimin e
librit, duke përzgjedhur perlat profetike. Specifikë e metodës
së tij është se për herë të parë në historinë botërore futi në
përdorim zinxhirin e transmetimit për studimin e referencave të
ndryshme historike, filozofike, sociale etj. Suksesi i metodës
së tij vërtetohet edhe me faktin se arrinte në 20.000 numri i
nxënësve që ndiqnin ligjëratat e tij në Bagdad.
Mbi jetën e veprën e Imam Buhariut dhe mbi rëndësinë e botimit
të veprës së tij nga AIITC foli edhe teologu Kreshnik Osmani, i
cili tha: “Përveç kontributit personal në ruajtjen e hadithit,
puna e tij nxiti edhe të tjerët të hulumtojnë trashëgiminë e
mbetur të Muhamedit a.s. disa i kushtëzuan vetes po ato
standarde që kishte paraparë Buhariu, ndërsa të tjerët gjetën
një përmbajtje shumë të gatshme dhe të përpunuar. Arritja e tij
shumë e lartë i shtyu të tjerët të bëjnë sa më shumë.
Të gjithë i njohin vlerat e tij dhe pranojnë se ai dinte më
shumë se të tjerët, por
jo vetëm në gjeneratën e vet. Mrekullia e quajtur Buhari
dhe Sahihu i tij do të vazhdojnë deri sa të ketë jetë mbi faqen
e dheut.”
Më tej foli teologu shkodran Muhamed Sytari, i cili u përqendrua
te roli dhe ndikimi që ka ky libër në jetën e përditshme të
muslimanit shqiptar. Sipas Z. Sytarri, “Ky libër nxit besimin
dhe respektimin e të dërguarit (a.s.), duke u bërë kështu
shëmbëlltyrë kryesore për muslimanin në jetën e tij.
Gjithashtu libri nxit vlerësimin dhe ruajtjen e Sheriatit
islam, si dhe ndikon në ndërtimin e individit dhe të shoqërisë
islame.”
Pas argumenteve të detajuara mbi dobishmërinë e librit në jetën
e besimtarit, ai e mbylli fjalën e tij duke përgëzuar stafin e
AIITC-së për punën e ndritshme dhe kontributin e veçantë për
nxjerrjen në dritë të këtyre haditheve.
Në fund të aktivitetit, u dhuruan kopje të librit për të
pranishmit, gjithashtu u shtrua edhe një koktej, gjatë të cilit
vijoi bashkëbisedimi mbi vlerat e librit dhe mbi nevojën që ka
shoqëria shqiptare për të njohur mesazhet e ardhura nëpërmjet
besimit islam.
![]() |
![]() |
![]() |


