Muhamed Sytari
thirrës islam
Botë dijetari...
(çaste
meditimi në shoqërinë e Shejkh Vehbi Gavoçit)
Çfarë është adhurimi dhe
përse e bëjmë atë?
"Adhurimi është të respektuarit e Zotit (xh.sh) dhe të përulurit
ndaj Tij me besim. Në Kur'anin Famëlartë thuhet: "Unë nuk i
krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë".[1]
Ndërsa në një vend tjetër thuhet: "…ata nuk ishin të urdhëruar
me tjetër pos që ta adhuronin All-llahun me një adhurim të
sinqertë ndaj Tij…".[2]
Ne bëjmë adhurim, sepse jemi krijuar për të adhuruar Zotin tonë
që të arrijmë pëlqimin dhe dashurinë e Tij. E bëjmë atë, sepse
kemi nevojë të arrijmë pëlqimin e Atij që na fali jetën, mendjen,
shëndetin, gjymtyrët e shqisat dhe na e lehtësoi përfitimin nga
krijesat e tjera.
E adhurojmë Zotin (xh.sh), sepse dëshirojmë të arrijmë dashurinë
e Tij, të mbërrijmë gradën e të dashuruarve e të jemi prej të
udhëzuarve në këtë jetë në bazë të pëlqimit të Tij e të
shpresojmë për kënaqësinë dhe dëshirën më të madhe, hyrjen në
xhennet:
"…e kush shmanget zjarrit e futet në xhennet, ai ka arritur
shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim
mashtrues".[3]
Xhenneti nuk fitohet me mall e me pozitë, nuk fitohet as me dije
e shkencë të madhe, por fitohet me besim te Zoti (xh.sh), ashtu
siç na ka mësuar, duke zbatuar fenë e Tij që na e tregoi me anën
e Pejgamberit të përgjithshëm, Muhammedit (a.s)".
A mund të na tregoni për programin tuaj ditor në adhurim?
"Unë për vete jam përtac, megjithatë po ju shkruaj diçka nga
programi im ditor, jo për t'u mburrur me të por si mirënjohje
ndaj Zotit (xh.sh).
Zakonisht ngrihem nga gjumi pak para se të thërritet ezani i
namazit të sabahut, fali 8 rekatë nafile[4]
dhe bëj istigfar[5].
Kur thërret ezani i sabahut, fali synetin në shtëpi,[6]pastaj
shkoj në xhami për të falur farzin e sabahut.
Mundohem që para faljes së farzit të përmendi All-llahun
(xh.sh), duke thënë:
(Subhanall-llahi ve bihamdihi Subhanall-llahil- adhim
Estagfirull- llah), 100 herë.
(La ilahe il- lall- lahu vahdehu la sherike lehu Lehul- mulku ve
lehul- hamdu ve huve ala kul- li shej'in kadir), 100 herë.
(Subhanall-llah vel- hamdu lil- lah ve la ilahe il- lall-llahu
vall-llahu ekber ve la haule ve la kuvvete il- la bil- lahil
alijjil- adhim), 100 herë.
Pastaj bie salavat përmbi Pejgamberin (a.s) 100 herë dhe lutem
gjithashtu:
(Rabbena igfir li ve livalidejja ve lil- mu'minine jeume jekumul-
hisab), 100 herë.
Përmendi edhe disa dhikre të tjera që nga momenti, kur hapi sytë
në sabah, kur dal nga shtëpia, kur qëndroj pa punë e deri sa bie
të fle. Këto dhikre që përmenda më lart, i përsëris edhe para
akshamit e pas jacisë. Gjithashtu lexoj katër xhyza nga Kur'ani
Famëlartë pas sabahut dhe, kur lind dielli, fali dy rekate.
Pastaj këndoj suren "Jasin" dhe suren "El- Fet'h" dhe e ndaj
sevapin e tyre për Pejgamberin (a.s) dhe familjen e tij,
vëllezërve të tij Pejgamberë, prindërve të mi e njerëzve të
tjerë.
Natën lexoj xhyzin e pestë të Kur'anit dhe suret "El- Mulk",
"El- Vakia" dhe "Es- Sexhde".
Tashti që po plakem, po mundohem të përfitoj sa më shumë nga
përmendja e All-llahut (xh.sh). Kjo është prej mirësive të All-llahut
(xh.sh) ndaj meje dhe sikur Ai të mos më ndihmojë, unë nuk do të
mund t'i vij në ndihmë as vetes time".
Si e lexoni Kur'anin?
"Kur'anin e lexoj si të tjerët. Mundohem që gjatë ajeteve të
ndryshme të bëj ndonjë dua dhe ta përsëris atë ajet. Mundohem
t'i lidh ato ajete me jetën time.
Përpara leximit të tij përgatis zemren time me qortim, marr
abdes dhe ulem me nderim për të lexuar librin e All-llahut
(xh.sh)".
Si e ndieni veten tuaj gjatë namazit?
"Në namaz mundohem të jem i përqendruar dhe e përfytyroj veten
time para All-llahut (xh.sh).
Nëse ndodh që gjatë tij mendja më largohet tek kërkesat e
ndryshme të jetës, e mbledhi zemrën duke kujtuar
dhe duke menduar për ajetet që lexoj dhe duke menduar se
përpara kujt jam duke qëndruar".
Nga monografia e thirrësit islam Muhamed Sytari:
“Vehbi
Sulejman Gavoçi- dijetar nga dijetarët e ymmetit”,
Prishtinë 2005.
[1]
Edh- Dharijatë: 56.
[2]
El- Bejjine: 5.
[3]
Ali Imran: 185.
[4]
Nafile:
Në gjuhën arabe quhet shtesa, ndërsa në
terminologjinë islame quhet: "Çdo veprim i lejuar,
shtesë përmbi detyrimet dhe obligimet e ndryshme, siç
quhet ndryshe edhe mendub, mustehab
ose tetavu".
(Shih: Esh- Sherif Ali ibn Muhammed Exh- Xherxhani, "Kitabut-
ta'rifat", fq. 245).
[5]
Istigfar:
Quhet kërkimi i faljes pas shikimit të fëlliqësirës së
gjynahit, si dhe largimi prej tij. Thotë një dijetar: "Istigfar
quhet rregullimi i çështjes së prishur me fjalë e me
vepra". (Shih: Esh- Sherif Ali ibn Muhammed Exh-
Xherxhani, "Kitabut- ta'rifat", fq. 18).
[6]
Transmetohet nga Imam Ahmedi nga Zejd ibn Khalid (r.a),
se Pejgamberi (a.s) ka thënë: "Mos i bëni shtëpitë tuaja
varreza. Faluni në to!". Shih: Imam Sujuti, "El xhamius-
sagir", hadithi nr. 9732.