Bidati dhe devijimet në fe
(“Kushdo që shpik diçka në çështjen tonë (në fenë islame), është e refuzuar!”)
Tema e dersit të kësaj nate, më 21 janar 2010, në xhaminë e
Tophanës ka qenë hadithi i pestë, nga dyzet hadithet e Imam
Neveviut, ku Bukhariu dhe Muslimi transmetojnë nga nëna jonë
Aishe (r.a) se Resulull-llahi (a.s) ka thënë: “Kushdo që shpik
diçka në çështjen tonë (në fenë islame), është e refuzuar!”
“Sonte, në këtë mbrëmje të parë me këtë hadith të shkurtër, por
shumë të rëndësishëm, do të mundohem të hedh dritë mbi kuptimin
e përgjithshëm të tij. Duhet theksuar se prej mirësive të All-llahut
ndaj kësaj feje, është se Ai e ka ruajtur atë nga devijimi e
ekstremizmi nëpërmjet dy garancive të forta: fillimisht ajeti
kur’anor në të cilin Ai (xh.sh) merr përsipër mbrojtjen dhe
garancinë e Kur’anit, si burim kryesor i fesë islame dhe së dyti,
ky hadith, nëpërmjet të cilit lajmërohet botërisht angazhimi i
profetit (a.s), i trashëgimtarëve dhe pasuesve të tij deri në
ditën e fundit, për ta mbrojtur Islamin nga ekstremizmi dhe
çthurrja e parimeve dhe rregullave të tij!”- ka thënë në mes të
tjerave vaizi i kësaj xhamie, Imam Muhamed Sytari.
Më pas ai ka shpjeguar se si devijimi dhe ekstremizmi kanë hyrë
në adhurime të ndryshme, nëpërmjet injorancës së disa
muslimanëve dhe keqadministrimit të dijes dhe se si këto
devijime janë zbuluar dhe kritikuar nëpërmjet dijetarëve dhe
mësimeve të tyre. Këtu ai ka përmendur disa sekte islame që para
mexhliseve të dhikrit pijnë alkool, disa të tjerë që lënë
namazin duke u mjaftuar me disa lutje, disa që neglizhojnë e
mohojnë hadithin, etj.
Dersi i natës së xhuma vazhdon çdo të enjte pas namazit të
jacisë, me shpjegimin e 40 haditheve të Imam Neveviut.
V. Mehmeti
![]() |
![]() |

