Besimi dhe puna- binom suksesi në jetë
(“Dhe thuaj: "Veproni, All-llahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i dërguari i Tij e besimtarët")
Një mesazh i fuqishëm, një thirrje logjike, një kushtrim që
buron nga thellësitë e fesë islame që nxit për punën dhe
angazhimin e vazhdueshëm në jetë: “Dhe thuaj: "Veproni,
All-llahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i dërguari i Tij e
besimtarët, e më vonë do të ktheheni te njohësi i të fshehtës
dhe të dukshmes, e do t'ju njoftojë për atë që vepruat"!”[1]
Ajete të shumta kuranore, por edhe hadithe të ndryshme në gojën
e Resulull-llahit (a.s) tërheqin vëmendjen drejt një fakti shumë
të rëndësishëm, shenjës së barazimit në mes besimit dhe punës në
fenë tonë! Kjo do të thotë se Islami e ka nxitur njeriun
besimtar që mos të mjaftohet vetëm me pretendimin e besimit të
tij, por këtë ta shfaqë me vepra konkrete, si në adhurimet
thelbësore të fesë (si: namazi, agjërimi, haxhi etj.), ashtu
edhe në marrëdhëniet e përditshme dhe moralet fisnike. Me fjalë
të tjera, një besimtar që mban me vete sexhaden e namazit në
punishten e tij, në makinë a zyre është në vetëvete nëj njeri me
ekuilibër, që respekton edhe kohën e punës, por nuk harron as
hakun e Zotit në jetën e tij!
Në shumë vende, në Kur’anin Famëlartë, besimi dhe puna janë
përmendur të pandara nga njëra-tjetra. Ajetet kuranore që
fillojnë me: “ata që besuan dhe bënë vepra të mira” e që
përshkohen rreth këtij boshti ekuilibrues për jetën e
njeriut dhe lumturinë e garantuar të tij, janë të shumta. Ky
fakt në vetvete vërteton se Islami është një fe praktike që e
edukon besimtarin me frymën e punës dhe veprës së mirë e të
dobishme. Jo vetëm kaq, por Resulull-llahi (a.s) udhëzon se:
“All-llahu do nga robi i tij që kur ta bëjë një punë, ta përsosë
atë!”
Ja disa nga ajetet që përmendin së bashku besimin dhe
punën:
-“E, përgëzoi ata që besuan dhe bënë vepra të mira se ata do të
jenë në xhennete në të cilët rrjedhin lumenj...”[2]
-“E, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, ata janë banues të
xhennetit, aty janë përgjithmonë”[3]
-“S'ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, e falën
namazin dhe e dhanë zekatin, ata i pret shpërblim i madh te Zoti
i tyre, ata nuk do të kenë kurrfarë frike as brengosje”[4]
-“E, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, s'ka dyshim se Ne nuk
ia humbim shpërblimin atij që është bamirës”[5]
-“S'ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira,
vendpritje për ta janë xhennetet e Firdeusit”[6]
-“Po ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Ne me siguri do t'ua
shlyejmë të këqijat e do t'i shpërblejmë më së miri për atë që
vepruan”[7]
-“(Janë të shënuara) Që t'i shpërblejë ata që besuan dhe bënë
vepra të mira. Për të tillët ka falje dhe furnizim të mirë”[8]
-“Ndërsa, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, të tillët janë
krijesat më të dobishme”[9] Etj.
Duke lexuar me vëmendje ajetet e mësipërme, por edhe shume të
tjera në linjën e tyre, del në dritë se si rezultat i
ndërthurjes së besimit me punën, njeriu shpërblehet nga Zoti i
tij me mirësi të shumta, shpirtërore, materiale, sociale e
përtej tyre, si: do të jenë në xhennete në të cilët rrjedhin
lumenj, ata janë banues të xhennetit, për ta nuk do të kenë
kurrfarë frike as brengosje, nuk humbet shpërblimi i tyre,
vendpritje për ta janë xhennetet e Firdeusit, do t'u shlyhen të
këqijat, për të tillët ka falje dhe furnizim të mirë, janë
krijesat më të dobishme etj.
Kushdo që përpiqet t’i përvetësojë si duhet këto mirësi që
pasojnë binomin besim-punë, kupton realisht vlerën e të dyjave
në mbështetje të njëra-tjetrës dhe vrapon për të përfituar sa më
shumë nga jeta e tij për ta mbushur me shpirtin e besimit dhe
veprimin konform tij!
Imam Muhamed Sytari
[1]Kur’ani, Teube, 105.
[2]Kur’ani, Bekare, 25.
[3]Kur’ani, Bekare, 82.
[4]Kur’ani, Bekare, 277.
[5]Kur’ani, Kehf, 30.
[6]Kur’ani, Kehf, 107.
[7]Kur’ani, Ankebut, 7.
[8]Kur’ani, Sebe, 4.
[9]Kur’ani, Bejjine, 7.