Këngëtari Sidrit Bejleri, mik në xhaminë e Tophanës
(Shkodër,
më 1 maj 2009 )
Në xhumanë të parë të muajit maj 2009, thirrësi islam Muhamed
Sytari, ka vijuar me serialin e hytbeve kushtuar 300 veçorive,
me të cilat Zoti Fuqiplotë e ka dalluar Hz. Muhammedin (a.s) nga
të dërguarit dhe profetët e tjerë.
Në hytben e tij të radhës, ai ka hedhur dritë mbi disa prej
këtyre veçorive, si: falja e hz. Muhammedit (a.s) si imam në
mesin e të gjithë të dërguarve të tjerë, në Bejti Makdis,
mrekullia e Israsë dhe e Miraxhit, mrekullia e ndarjes së hënës,
fakti që Resulull-llahi (a.s) ka parë xhennetin dhe xhehnemin
etj. “Teksa përmendim këto veçori me të cilat u dallua
pejgamberi ynë mbi të gjithë të dërguarit e tjerë, duhet të
kujtojmë njëkohësisht edhe mirësinë e madhe me të cilën na ka
privilegjuar Zoti ynë duke na bërë pjesë e ymetit të hz.
Muhammedit (a.s). E, në të njëjtën kohë, kjo na shtyn ta duam
dhe ta ndjejmë për ditë e më shumë Resulull-llahin (a.s), si
busullën tonë orientuese në jetë, si garancinë tonë, si më të
shtrenjtin e krijesave të Zotit”- ka thënë ndër të tjera hatibi
i Tophanës.
Në këtë xhuma, në xhaminë e Tophanës ka prezantuar edhe
këngëtari i mirënjohur, Sidrit Bejleri. I ftuar nga hatibi i
kësaj xhamie, pas namazit të xhumasë, Bejleri ka përshëndetur të
pranishmit në xhaminë e Tophanës duke shprehur kënaqësinë e
pjesëmarrjes së tij në faljen e kësaj xhumaje në këtë xhami.
“Në të vërtetë, kjo është xhumaja e parë që fali në qytetin tim
të lindjes. U ndjeva mirë dhe kam kënaqësi që jam sot së bashku
me ju në këtë vend të bukur e të ngrohtë”- ka thënë ndër të
tjera ai.
Në përfundim të bisedës së tij me shumë emocion, hatibi i kësaj
xhamie, i ka dhuruar këngëtarit Sidrit Bejleri, “librin e
xhamisë së Tophanës”, titulluar: “Rrugëtime të një hatibi”.
“Në emrin tuaj, po i dhuroj vëllait tonë të shtrenjtë Sidrit
Bejleri, librin e xhamisë tonë, në mënyrë që të jetë një kujtim
domethënës i kësaj vizite dhe kësaj xhumaje të tij të parë në
Shkodër dhe në këtë xhami”- është shprehur Sytari në momentin e
dhuratës.
Ahmed Mahiri
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |



